7.4 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Një komentim fantastik për ajetin e Dritës

Më të lexuarat

“Allahu është Drita e qiejve dhe tokës. Shembulli i dritës së Tij i ngjan një kamareje në të cilën gjendet një llambë. Llamba, e cila ndodhet brenda një qelqi që duket sikur të ishte një yll i ndritshëm, ndizet me vajin e një peme të bekuar ulliri. Pema nuk i përket as Lindjes dhe as Perëndimit. Vaji i saj sa nuk ndriҫon, edhe pa e prekur flaka. Dritë përmbi dritë. Allahu udhëzon për te drita e Tij atë që dëshiron; Allahu i përshkruan shembujt për njerëzit; Allahu është i Dijshëm për gjithҫka.” (En-Nur 24, 35)

Allahu është Drita e qiejve dhe tokës.
Kjo frazë e ajetit është interpretuar sikur të kishte kuptimin “Allahu është Ndriҫuesi i qiejve dhe tokës” apo “Allahu është Udhëzuesi i banorëve të qiejve dhe tokës”, sepse nëpërmjet dritës së Tij udhëzohen ata që janë në qiej dhe në tokë. Ky interpretim e zëvendëson cilësinë me një emër që tregon veprimin, ndërkohë që “Drita” është nga karakteristikat e Tij të qenësishme, prej të cilës është derivuar emri “en-Nur – Drita”, një nga Emrat e Bukur të Allahut.
Tabarani transmeton se Ibën Mes’udi ka thënë: “Te Zoti juaj nuk ka ditë apo natë. Drita e qiejve dhe e tokës buron nga Drita e Fytyrës së Tij.”
Fjalët e Ibën Mes’udit i afrohen më shumë kuptimit të saktë të “Dritës” së përmendur në ajet, se sa interpretimi i frazës si “Udhëzuesi i banorëve të qiejve dhe tokës”. E vërteta qëndron në faktin se Allahu është “Drita” e qiejve dhe e tokës nisur nga gjithҫka që u përmend më lart.

Shembulli i dritës së Tij …
Fjalia e plotësuar për këtë frazë është “Shembulli i dritës së Tij në zemrën e besimtarit.” Kjo është drita e njohjes së Zotit, dashurisë për Të, besimit dhe përmendjes së Tij, me të cilën Allahu pajis robërit e Tij. Me zbritjen e kësaj drite, Ai i ngjalli ata dhe i bëri të ecin me të në mes të njerëzve. Burimin ajo e ka në zemër, pastaj substanca e dritës forcohet dhe shtohet derisa t’u shfaqet në fytyrë, gjymtyrë dhe trup, madje në veshje dhe në shtëpi. Këtë dritë e shohin ata që janë të ngjashëm me këta besimtarë, edhe pse pjesa tjetër e njerëzve e mohon ekzistencën e saj. Në Ditën e Gjykimit, kjo dritë do të bëhet e dukshme dhe do ju ndriҫojë në errësirën e Urës derisa ta kalojnë atë. Forca e saj atë ditë do të jetë sa forca dhe dobësia e dritës së zemrave në jetën e kësaj bote.

… i ngjan një kamareje në të cilën gjendet një llambë. Llamba ndodhet brenda një qelqi që duket sikur të ishte një yll i ndritshëm.
Kamarja është vendi i hapur në murin e një shtëpie tradicionale, zakonisht në të dyja anët e oxhakut, ku mbahen enë e sende të vogla që përdoren përditë (xhezve, filxhanë, etj). Ajo simbolizon kraharorin, në brendësi të të cilit ndodhet një qelq transparent, aq i tejdukshëm sa është krahasuar me një yll të shndritshëm për shkak të tejpashmërisë dhe kthjelltësisë së tij. Kjo është zemra, e përngjasuar me qelqin, sepse tejdukshmëria, ndjeshmëria dhe qëndrueshmëria e tij simbolizojnë cilësitë e zemrës së besimtarit. Ai e dallon të vërtetën dhe udhëzimin nëpërmjet kthjelltësisë së zemrës, i buron butësia, dhembshuria dhe përdëllimi nga delikatesa e saj, ndeshet dhe lufton me pengesat në rrugën e Zotit duke u treguar i rreptë dhe i vendosur për shkak të qëndrueshmërisë së saj. Asnjë prej këtyre cilësive të zemrës nuk bie ndesh me tjetrën; ato nuk e pengojnë njëra-tjetrën, por e mbështesin dhe e përforcojnë.
Në një transmetim thuhet: zemrat janë enët e Allahut të Lartësuar në tokë. Më të dashurat prej tyre tek Ai janë ato që kanë më shumë delikatesë, qëndrueshmëri dhe transparencë.

Llamba ndizet me vajin e një peme të bekuar ulliri, e cila nuk i përket as Lindjes dhe as Perëndimit.
Brenda qelqit ndodhet një llambë që bën dritë nëpërmjet fitilit. Lënda që ndriҫon fitilin është vaj ulliri i shtrydhur nga një pemë e rritur në vendin më të begatë, të rrahur nga dielli si në fillim të ditës, ashtu dhe në mbarim të saj.

Vaji i saj sa nuk ndriҫon, edhe pa e prekur flaka. Dritë përmbi dritë.
Vaji i prodhuar prej saj është nga më të kthjellëtit, pa turbullirë, aq sa nga dëlirësia e tij duket sikur ndriҫon ende pa u ndezur. Kur flaka e zjarrit prek fitilin, përforcohet lënda flakëruese dhe ndriҫimi shtohet me dritën që mbivendoset mbi dritën ekzituese.
I tillë është edhe besimtari. Zemrën e ka të ndriҫuar, pothuaj e njeh të vërtetën me fitra-n dhe mendjen e tij. Kur has në lëndën e Shpalljes që vjen në kontakt me zemrën e tij, drita e fitra-s me të cilën e ka krijuar Allahu i Lartësuar përforcohet me Shpalljen, sepse drita e Shpalljes i shtohet dritës së fitra-s. Besimtari pothuaj ia qëllon të vërtetës, edhe pa dëgjuar prej Shpalljes profetike rreth saj. Pastaj njihet me Shpalljen, e cila përputhet me të vërtetën e dëshmuar prej fitra-s, dhe në këtë mënyrë Shpallja shndërrohet në dritë përmbi dritë.

(Shkëputur nga libri Et-Tefsir el-Kajim i Ibën Kajim el-Xheuzije)
Pergatiti Gerdi Demneri

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit