Nga njësimi i Allahut te kryqi: rruga e ndryshimit të fesë së Isait

Më të lexuarat

Përzierja me idhujtari e fesë së Isait -alejhi selam- pas largimit të tij.

Në kohën e Isait -alejhi selam- i gjithë pellgu i Mesdheut, në të cilin bën pjesë edhe Shami, vendi ku ai jetoi, sundohej nga idhujtarët romakë. Për këtë shkak të gjithë popujt e këtij rajoni ishin idhujtarë, me përjashtim të Beni Israilëve në Sham, të cilët kishin trashëgimi adhurimin e Allahut një.
Ftesa e këtyre popujve në fenë e drejtë nuk ka qenë detyrë e Isait -alejhi selam-, sepse ai ishte i dërguari i Allahut për Beni Israilëve, siç u tha më lart. Shembulli i tij është si shembulli i profetëve të tjerë para tij, sepse ata të gjithë janë dërguar te popuj të veçantë, me përjashtim të profetit tonë Muhamedit -alejhi selam-, i cili u dërgua për të gjithë njerëzit. Kështu dalja e havarinjve te popujt e tjerë përreth duhet të ketë ardhur për shkak të përndjekjes së hebrenjve dhe ata për t’iu larguar përndjekjes së tyre u shpërndanë dhe jetuan mes popujve paganë: romakë e grekë, çfarë bëri që atje të përhapej feja e tij.

Përhapja e fesë së Isait -alejhi selam- në këto vende shumë shpejt do të binte prehë e zakoneve pagane, që trashëgonin këta popuj.

Shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- thotë:
“Romakët, grekët e popuj të tjerë paganë adhuronin objekte qiellore dhe puta tokësore dhe Mesihu -alejhi selam- i dërgoi të dërguarit e tij për t’i ftuar ata në fenë e Allahut: disa prej tyre shkuan gjatë jetës së tij në tokë dhe disa të tjerë pas ngritjes së tij në qiell. Të dërguarit e tij, i ftuan ata në fenë e Allahut dhe hyri kush hyri prej tyre në këtë fe. Ata qëndruan kështu një farë kohe, pastaj Shejtani ia zbukuroi kujt ia zbukuroi prej tyre ndryshimin e fesë së Mesihut dhe shpikën një fe të përzier: pak nga feja e Allahut dhe e profetëve të Tij, e cila është dhe feja e Mesihut -alejhi selam- dhe pak nga feja e paganëve” .

Në historinë e krishterimit njihet një njeri me emrin Pali, i cili qarkullonte fjalë se Isai -alejhi selam- është i biri i Zotit dhe pati shumë ndikim sidomos në zonat e banuara nga greko-romakët: Azia e Vogël dhe Greqia, sepse ato vende ishin vende të pambrojtura me njësimin e Allahut. Qarkullimi i këtyre ideve në mesin e të krishterëve shkaktoi përçarje të madhe mes pasuesve të Isait -alejhi selam-.

Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë-, në lidhje me këtë dukuri thotë:
“Kur Allahu i madhëruar e ngriti Mesihun, Isain -alejhi selam- për në qiell, ndjekësit e tij u përçanë:
Disa prej tyre e besuan, ashtu siç e kishte dërguar Allahu: rob i Allahut, i dërguar i Tij dhe biri i robëreshës së Tij.
Disa prej tyre e tepruan në lidhje me të dhe e besuan për birin e Allahut.
Disa prej tyre thanë: ai ishte Allahu vetë.
Ndërsa disa të tjerë thanë: ai ishte i treti i të treve.
Allahu i madhëruar i ka përmendur thëniet e tyre në Kuran dhe i ka hedhur poshtë ato (me përjashtim të së parës).”

Me gjithë këtë përçarje që ndodhi mes pasuesve të Mesihut -alejhi selam-, pasuesit e tij të drejtë kanë vazhduar të jenë të shumtë deri në kohën kur sunduesit romakë kaluan në krishterim në kohën e Kostandinit, themeluesit të Kostandinopojës.
Kostandini përqafoi versionin e devijuar të fesë së Isait -alejhi selam- dhe me kalimin e tij në krishterim, raporti i ndjekësve të besimit të drejtë kundrejt ndjekësve të besimit të devijuar ndryshoi.

Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë-, në lidhje me këtë ngjarje thotë:
“Afërsisht treqind vjet pas Mesihut -alejhi selam-, Kostandini, njëri prej mbretërve të Greqisë (d.m.th. romakëve të Greqisë), përqafoi krishterimin. Ai më përpara ishte filozof (d.m.th. në fenë e filozofëve paganë të Greqisë) dhe thuhet se e përqafoi këtë fe për syefaqësi, apo si hile për ta prishur atë. Priftërinjtë i vendosen atij: rregulla, ligje dhe bidate të shpikura, ndërsa ai u ndërtoi atyre: kisha, faltore, manastire të mëdha e të vogla. Në kohën e tij u përhap krishterimi dhe u njoh nga njerëzit me gjithë: devijimet, ndryshimet dhe sajesat në kundërshtim të fesë së Mesihut dhe nuk mbeti më në fenë e drejtë të Mesihut, veçse një numër i vogël murgjish, të cilët ndërtuan manastire në zona të shkreta dhe të pabanuara për t’u strehuar. Atëherë të krishterët zaptuan: Shamin, Ultësirën e Mesopotamisë dhe vendet romake.”

Rreth devijimeve të futura në fenë e Isait -alejhi selam-, shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë-, thotë:
“Ndryshimet e fesë së Mesihut si: bërja hallall e mishit të derrit -të cilin edhe Allahu e ka bërë haram dhe edhe Mesihu nuk e ka lejuar-, anulimi i synetllëkut, falja në drejtim të Lindjes, shtimi i ditëve të agjërimit dhe zhvendosja e tij nga një kohë në një tjetër, varja e ikonave nëpër kisha, madhërimi i kryqit, ndjekja e murgërisë, etj. Të gjitha këto rregulla nuk i ka vendosur profet prej profetëve të Allahut, as Mesihu dhe as tjetërkush. Ata me to kundërshtojnë rregullat e Allahut, me të cilat i ka dërguar profetët dhe janë të paligjësuara nga Allahu nëpërmjet gojës së ndonjë profeti.”

Kështu u fut idhujtaria e paganizmi në fenë e Isait -alejhi selam- nëpërmjet romakëve dhe nuk mbeti feja e drejtë e tij, veçse te një pakicë njerëzish të shpërndarë në Sham dhe jashtë tij.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit