Refuzimi i Isait -alejhi selam- nga Beni Israilët dhe pasimi i tij nga të tjerët

Më të lexuarat

Isai -alejhi selam-, edhe pse erdhi me udhëzime dhe mrekulli të mëdha prej Allahut të Madhëruar, nuk arriti dot të ndryshonte gjendjen e pjesës më të madhe të Beni Israilëve.
Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:
“Isai, kur e ndjeu prej tyre mohimin (d.m.th. prej Beni Israilëve), tha: Kush janë përkrahësit e mi në rrugën e Allahut? Havarinjtë i thanë: Ne jemi përkrahësit e çështjes së Allahut. Ne e besojmë Allahun dhe ti dëshmo për ne se jemi robër të dorëzuar.”
Sure Ali Imran: 52.

▪️Në këtë ajet tregohet se Isai -alejhi selam- kur filloi ta ndjejë qartë refuzimin e Beni Israilëve, u detyrua të bëjë dallimin nëse kishte mes tyre njerëz që e përkrahin duke u thënë:
“Kush janë përkrahësit e mi në rrugën e Allahut?”.
Atëherë një grup prej Beni Israilëve të cilëve Allahu i Madhëruar u hodhi besim në zemrat e tyre dhe që quhen havarinj , thanë:
“Ne jemi përkrahësit e çështjes së Allahut” dhe “ne e besojmë Allahun” duke deklaruar kështu qartë, edhe besimin e tyre, edhe përkrahjen e Isait -alejhi selam-.

▪️Havarinjtë me këtë veprim synuan Ahiretin dhe shpërblimin e tij dhe prandaj ata e përfunduan fjalën e tyre duke thënë: “dhe ti dëshmo për ne se jemi robër të dorëzuar!”, që do të thotë: dëshmo për ne Ditën e Llogarisë se ne jemi besimtarë me qëllim që ne atë ditë të arrijmë shpërblimin e premtuar për besimtarët.

Kjo situatë tregon se sa shumë ishte përkeqësuar gjendja e Beni Israilëve në kohën e Isait -alejhi selam-. Qëndrimet e tyre ngjajnë me qëndrimet e popujve idhujtarë si populli i Nuhut, Hudit, Salihut etj. -alejhim selam- të cilët nuk patën dëshirë, as ti ndjekin profetët e Allahut dhe as ti pranojnë udhëzimet e Tij. Madje qëndrimi i Beni Israilëve duket akoma më i keq sepse këta edhe vinin dorë mbi profetët, gjë të cilën nuk e ka bërë çdo popull. Ata as me Isain -alejhi selam- nuk e lanë këtë adet dhe vendosën ta vrasin siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran:
“Ata thurën dredhitë e tyre dhe Allahu thuri dredhinë e Tij, mirëpo Allahu është thurës më i mirë i dredhive. Kujto, kur Allahu tha: O Isa, Unë do të të marr ty dhe do të të ngre pranë Meje. Unë do të të pastroj ty nga ata, të cilët mohuan dhe do t’i bëj ata që të ndoqën ty, mbi ata që mohuan, deri në ditën e Kiametit.”
Sure Ali Imran: 54-55.

▪️Në këto ajete shprehet qartë se Beni Israilët e refuzuan krejtësisht Isain -alejhi selam-, duke i shfaqur atij armiqësi të madhe. Kjo armiqësi i shtyri ata të thurin plane të fshehta për ta vrarë atë, mirëpo Allahu i madhëruar të cilit nuk i fshihet gjë as në Qiell dhe as në Tokë, bëri që plani i tyre të dështojë. Ai e shpëtoi të dërguarin e Tij duke e ngritur atë lart në qiell dhe i premtoi atij se ata që e ndoqën do t’i bëjë fitimtarë mbi ata që e mohuan.
Beni Israilët me këtë qëndrim ndaj Isait -alejhi selam-, kaluan nga rrethi i besimit në rrethin e mohimit me përjashtim të havarinjëve të cilët i dhanë atij besën për besim dhe përkrahje dhe këtu fillon ndarja e tyre në: jehudinj e nasara, apo hebrenj e të krishterë.

Havarinjtë, pas largimit të Isait -alejhi selam-, përcollën te njerëzit Inxhilin, librin e Allahut dhe besimin e Isait -alejhi selam-. Ata së bashku me pasuesit e tyre arritën t’i përhapin ato në Sham dhe jashtë tij.
Dijetarët e historisë islame dhe të tefsirit të Kuranit përmendin në librat e tyre pesë qendra ku u përhap krishterimi: Kudsi ose ndryshe Jerusalemi, i cili është vendi ku jetoi Isai -alejhi selam, Antakija, Aleksandrija, Kostandinopoja dhe Roma. Dy nga këto qendra janë pjesë e Shamit: Kudsi dhe Antakija, madje Antakija njihet si qyteti i parë, i cili ndoqi besimin e Isait -alejhi selam-, ndërsa të tjerat janë jashtë Shamit: Egjipt, Azi e Vogël dhe Evropë .

Rreth të krishterëve të parë nuk dihet shumë, sepse ata ishin të detyruar ta fshihnin besimin e tyre për shkak se përndiqeshin dhe dhunoheshin, si nga hebrenjtë, ashtu edhe nga romakët idhujtarë, të cilët sundonin në atë kohë, ama shihet një tendencë për t’u përhapur jashtë rrethit të Beni Israilëve….

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit