Nga përvoja ime në fushën e mësimdhënies së hifzit të Kuranit, kam arritur në bindjen e plotë se mësimi përmendësh i Kuranit nuk është thjesht çështje aftësish mendore apo kohe të lirë. Përkundrazi, ai është një “udhëtim përzgjedhjeje”, për të cilin Allahu zgjedh kë të dojë.
Kam parë gjëra të mahnitshme nga lloje të ndryshme njerëzish në këtë rrugëtim.
Kam parë njerëz që nisën me entuziazëm sa malet, por u shuan pas një muaji.
Kam parë të tjerë që e nisën me një kujtesë të dobët, por luftuan me veten, duruan dhe, në fund, e përfunduan hifzin e Kuranit dhe morën ixhazetin.
Ka prej atyre që vazhduan me vite të tëra, por u dorëzuan në metrat e fundit.
Dhe ka të tjerë që sfiduan angazhimet, sëmundjen dhe vështirësitë, vetëm që të mbeteshin në radhët e njerëzve të Kuranit.
E vërteta është se pengesat nuk qëndrojnë te mungesa e kohës apo te vështirësia e ajeteve.
Ato janë ose largime e pengime nga shejtani, ose periudha plogështie, me të cilat Allahu sprovon sinqeritetin e zemrave.
Kurani është i çmuar. Ai nuk i hap thesaret e tij veçse atij që këmbëngul në kërkimin e tij dhe duron vështirësitë.
Ndërsa atë që Allahu e sheh të painteresuar ose përtac ndaj tij, ia largon zemrën prej Kuranit.
Prandaj, kujtoje gjithmonë se qëndrimi yt në pragun e Kuranit, edhe nëse has vështirësi në hifz, është shenjë e dashurisë së Allahut për ty.
Prandaj, mos e nxirr veten nga “radha e të përzgjedhurve” vetëm për shkak të një pengese apo një periudhe angazhimi.
Sepse nuk ka rëndësi kush arriti i pari, por kush qëndroi i palëkundur dhe ishte i sinqertë.
O Allah! Na përdor në shërbim të fesë Tënde dhe mos na zëvendëso me të tjerë. Na bëj prej njerëzve të Kuranit, të cilët janë njerëzit e Tu dhe të zgjedhurit e Tu. Amin.
— Një mësuese e Kuranit.
