19.4 C
Pristina
Wednesday, May 1, 2024

Nga Amir B. AHMETI: Si të bëhesh i famshëm në Kosovë

Më të lexuarat

I.

Nëse do të jetonte në Kosovë Stephen Covey, Charles Duhigg e shumë autorë me renome botërore të librave të suksesit në jetë, do të ishin shkrimtarët e publicistët më të varfër ndër ne. Askush nuk do t’i blinte librat e tyre, që pasqyrojnë hapat që duhet të ndjekë një njeri për të qenë i suksesshëm dhe i famshëm. Sepse në Kosovë ka disa vite që është instaluar një trend i pështirë i arritjes së suksesit dhe famës. Thjesht duhet të kritikosh gjithçka që është islame, të fyesh profetin e Islamit, Muhamedin a.s., të ofendosh besimtarët muslimanë me fjalët më denigruese, dhe famën e ke të garantuar. Prej të hënës e deri të premten, të gjitha portalet të japin hapësirën e “lirisë së shprehjes”, ndërkohë që shumë “analistë e publicistë” të tjerë të përkrahin, dhe për vikend kthehesh në fshat me famën e shehrit të madh.

II.

Kam shkruar edhe më herët se në Kosovë duhet që urgjentisht të kemi një ligj kundër blasfemisë, dhe këtë e argumentoj fuqishëm edhe sot. Por kjo kërkesë, sikur në vesh të shurdhër, askujt nuk i bën përshtypje.

Legjislativi i çdo vendi miraton ligje të ndryshme që ato të jenë në dobi të qytetarëve të vendit respektiv. Kemi shumë raste kur ligjet e miratuara kanë hasur në vështirësi të zbatueshmërisë dhe janë ndryshuar për t’iu përshtatur nevojave dhe kushteve të reja të popullatës. Kurse në raste të tjera janë miratuar ligje të reja. Në këtë frymë, kujtoj se në shumë vende europiane ekziston ligji kundër blasfemisë, si në Finlandë, Norvegji, Gjermani, etj. Madje në Britani të Madhe, ky ligj daton prej disa shekujve më parë; ai ndalon fyerjen e Kishës Anglikane, pra, të fesë zyrtare në vend. Por me shtimin e numrit të besimtarëve të besimeve të tjera, muslimanë, hebrenj, katolikë, ortodoksë, etj. kemi edhe ligjin i cili i ndalon fyerjet dhe nxitjen e urrejtjes fetare të të gjitha besimeve të tjera krahas asaj të krishtere anglikane. Pra, me paraqitjen e rrethanave të reja, shkruhen edhe ligje të tjera, dhe jo të kufizohen të drejtat e njeriut për shkak të ligjit i cili nuk e lejon atë liri. Edhe juristët e thonë shpesh se në rast se një ligj nuk i përshtatet një populli, s’do mend se duhet të ndryshohet ligji dhe jo populli, sepse ligji duhet të jetë në dobi të popullit, dhe jo anasjelltas.

III.

Me këtë rast po kujtoj se javën e kaluar, një shkrimtar në Kosovë, gjatë një debati kishte fyer të dashurin e syrit dhe zemrës së muslimanëve, të Dërguarin e Zotit, Muhamedin a.s.. Ai pastaj alarmoi dynjanë duke thënë se dikush e paska sulmuar fizikisht, dhe si rrjedhojë, nuk mbeti media e shkruar e elektronike që nuk e përmendi rastin. Dhe shkrimtari i ri, pas një javë në faqet e para të mediave, u kthye në fshatin e tij me famën që nuk e kishte parë as në ëndërr.

Personalisht e dënoj çdo akt dhune në një shtet të së drejtës dhe ligjit. Por, në të njëjtën kohë, ftoj organet e drejtësisë dhe ato të rendit publik që të marrin masa dhe të zbatojnë me përpikëri ligjet e aplikuara në vendin tonë. Besoj se deri në miratimin e një ligji kundër blasfemisë, nëse do të zbatohej Kodi Penal i Kosovës për të gjithë qytetarët e Kosovës në mënyrë të paanshme, do t’i shuante shpresat e shumë palaçove që duan të bëjnë famë duke fyer ndjenjat fetare të muslimanëve.

Neni 147 i Kodit Penal të Kosovës e dënon nxitjen e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik. Edhe pse ky ligj nuk është ekskluzivisht për mbrojtjen e besimeve nga fyerjet e langaraqëve, megjithatë e konsideroj të mjaftueshëm për prokurorinë dhe gjykatat e Kosovës që të marrin masa ndaj këtyre dashakeqëve që nuk kanë respekt për ndjenjat e besimtarëve. Besoj se prokuroria nuk duhet të presë që dikush të bëjë padi private, sepse feja është e të gjithë besimtarëve, por të veprojë “ex officio”, sipas statutit dhe pozitës që ka. Tekefundit, këta tipa njerëzish duhet të mësohen dhe të edukohen përmes ligjit nëse nuk e kuptojnë lirinë dhe të drejtën e besimit të tjetrit.

Për ne besimtarët, Musa (Moisiu), Isa (Mesihu), Muhamedi, e të gjithë të dërguarit e tjerë, paqja e Zotit qoftë mbi ta, janë më të dashurit tanë. Ata janë drita e syve tanë, fanari i zemrave tona. Nuk lejojmë që të fyhet asnjëri prej tyre, sikurse nuk kërkojmë që të tjerët, të cilët nuk mendojnë njësoj, të dënohen e persekutohen. Mjaft me fyerje ndaj fesë islame! /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit