12.9 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Nga Enklid PELARI: Pse feja është kundër shtëpive publike?

Më të lexuarat

Nuk ka nevojë të jesh fetar që të kuptosh se shtëpitë publike janë të ndaluara fetarisht, por si fetar mund të them se ato kërcënojnë seriozisht vlerat e familjes. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një shoqëri si kjo e jona, e cila po vuan një stanjacion martesor; thënë ndryshe, shtëpitë publike do ta oksigjenonin edhe më shumë “beqarinë” e tejzgjatur të brezave të rinj, duke asfiksuar njëkohësisht shumë jetë martesore.

Sipas një studimi të bërë në Amerikë, 33 për qind e ftohjeve në çift dhe e divorceve buronin nga fakti se partneri mashkull kishte parë filma pornografikë apo i “kulloste” sytë gjetkë tek femrat e tjera. Imagjinoni tani se çfarë do të shkaktonte “implementimi” i kësaj tradhtie imagjinare tek shtëpitë publike.

Së dyti, ekziston rreziku i krijimit të precedentit. Pra, nuk mund të hapet një shtëpi publike vetëm se përse dikujt i shkohet atje, sepse kështu do të inkurajohej legalizimi i shumë akteve të tjera penale, si konsumimi i drogërave, i tregtisë ilegale dhe evazive fiskalisht, etj.

Filozofia e doktrinës fetare lyp pikërisht të kundërtën e kësaj, pra, që instiktet dhe pasionet të orientohen kah rruga e duhur, dhe jo të shtypen apo të tolerohen totalisht. Në këtë kontekst, njeriu, fjala bie, do të pasurohet, por feja të orienton vetëm kah fitimet e ligjshme, ai do të dëfrehet, por feja s’mund t’ia lejojë atij që të konsumojë drogëra, të frekuentojë shtëpitë publike, etj.

Kështu pra, akumulimi i instikteve do t’i shtynte të rinjtë drejt martesës, dhe kjo e fundit do t’i nxiste ata drejt krijimit të një familje produktive, drejt punës, fitimit të profesioneve dhe zanateve, etj. Prandaj mendoj se shoqëria civile dhe politikëbërësit duhet t’i studiojnë pasojat dhe ndikimet sociale të këtyre shtëpive, dhe jo të bien pre e njerëzve me ndjenja, apo e ndjenjave njerëzore. Në vend të shtëpisë publike, fjala vjen, mund të hapeshin vende pune, trajnime të ndryshme falas, etj.

Së treti, familja është qeliza më e domosdoshme social-ekonomike e një shoqërie, dhe si e tillë ajo duhet stimuluar në çdo mënyrë. Familja është shkollë, sipërmarrje, riciklim i shoqërisë, trashëgimi kulturore, kontribuese e zhvillimit të një vendi, etj. Pa të shoqëria do të plakej dhe do të “mbushej” nga të huajt, duke humbur identitetin e saj. Madje ekonomisti nobelist Solow pohon në teorinë e tij rreth rritjes ekonomike se vetëm rritja e popullsisë dhe teknologjia e zhvillojnë ekonominë e një vendi në periudhë afatgjate. Prandaj, jo vetëm si teolog, por besoj edhe si ekonomist apo sociolog, po të isha, do të shprehesha kundër hapjes së shtëpive publike dhe do të nxisja sipërmarrjet produktive. Ndërsa politikëbërësve u bëj një thirrje: nëse nuk kanë mundësi që t’i vënë në zbatim politikat e renditura më sipër, meqë flasim për publike, së paku të hapnin ndonjë banjo të tillë, pasi mund të jemi nga vendet e pakta në rajon apo në botë që nuk i kemi pajisur qytetet me banjo publike. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit