Nga Amin Khalaf Allah
Me hyrjen e Knesset-it (parlamentit izraelit) në pushim pas përfundimit të sesionit veror më 28 korrik deri më 19 tetor, kryeministri Benjamin Netanyahu gjendet përballë njëkohësisht me mundësi dhe kërcënime.
Vëzhguesit e lidhin këtë pushim me përpjekjet e Netanyahut i kërkuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare – për të shfrytëzuar boshllëkun parlamentar për të menaxhuar çështje tepër të nxehta, si mundësia për një marrëveshje me lëvizjen Hamas mbi çështjen e të burgosurve në Gaza dhe kriza e ligjit të rekrutimit që rrezikon rrëzimin e qeverisë pas tërheqjes së partive ultraortodokse nga koalicioni.
Pushimi dhe marrëveshja
Sipas analistëve, pushimi i Knesset-it i jep Netanyahut një hapësirë më të madhe për manovrim, veçanërisht në lidhje me negociatat për një ndërprerje të përkohshme të luftës në Gaza, që do të mundësonte lirimin e disa pengjeve izraelite nga rezistenca palestineze.
Analistja politike në gazetën Maariv, Ana Braski, e konsideron këtë pushim jo si një periudhë pushimi për Netanyahun, por si një ndër periudhat më të çmuara të dhëna për të, ku ai mund të fitojë kohë dhe qetësi për të filluar një manovër të re politike, larg syve të opinionit publik.
Kjo periudhë vjen në kohën kur ministrat Itamar Ben Gvir dhe Bezalel Smotrich kundërshtojnë fuqishëm çdo marrëveshje, qoftë edhe të pjesshme, me Hamasin. Ministrja Struk nga partia sioniste fetare shprehet: “Lufta në Gaza duhet të përfundojë me një fitore, edhe nëse kjo është në dëm të pengjeve izraelite.”
Netanyahu ka shprehur disa herë, sidomos pas përfundimit të luftës me Iranin, dëshirën për një ndërprerje të luftës në Gaza.
Sipas Braskit, çdo marrëveshje e tillë kërkon kohë dhe punë të kujdesshme për të përgatitur opinionin publik, i cili për më shumë se dy vite ka dëgjuar vetëm për “fitoren e plotë”.
Qëllimi i tij është të arrijë një marrëveshje që do ta mbajë ende në pushtet, pa rrezikuar koalicionin, pa përplasje me presidentin amerikan Donald Trump, dhe pa humbur kontrollin.
Nga ana tjetër, sipas kanalit izraelit “Kan”, mundësia për rikthim në luftë është e ulët për shkak të lodhjes së ushtrisë në Gaza.
Eksperti për çështjet izraelite Walid Habbas thekson se ky pushim i Knesset-it i jep Netanyahut një boshllëk të përkohshëm kushtetues, pa mbikëqyrje nga parlamenti, që i mundëson manovrim të lirë dhe veprim prapa skenave.
Sipas analistit politik Abdullah Al-Aqrabawi, Netanyahu nuk ka synim ta përfundojë luftën, por dëshiron vetëm lirimin e sa më shumë pengjeve të gjalla, pa asnjë garanci për pjesën tjetër të kushteve të marrëveshjes. Ai shton se përveç presionit të armatosur nga rezistenca palestineze në Gaza, Netanyahu nuk ndjen presion të brendshëm apo ndërkombëtar.
Ligji i rekrutimit dhe qëndrueshmëria e koalicionit
Kriza me ligjin për përjashtimin e haredimëve (ultraortodoksëve) nga ushtria u përshkallëzua me tërheqjen e dy partive Shas dhe Yahadut HaTora – nga qeveria. Kreu i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Siguri, Yuli Edelstein, këmbëngul për një ligj që vendos “barazi në barrën e shërbimit ushtarak”.
Edhe pse Netanyahu e zëvendësoi Edelstein-in me deputetin Boaz Bismuth nga Likud, kjo nuk i kënaqi partitë ultraortodokse.
Sipas kanalit 12 izraelit, partitë haredi nuk pranojnë asnjë ligj që nuk i përjashton tërësisht nga rekrutimi dhe që nuk e rregullon statusin e studentëve të Talmudit.
Gjithashtu, është e pritshme që këshilltarja ligjore e qeverisë, Gali Baharav-Miara, të mos e pranojë këtë ligj dhe të mos lejojë që të kalojë në ndonjë komision tjetër.
Sipas gazetës Haaretz, qëllimi i vërtetë i Netanyahu-t me zëvendësimin e Edelstein është thjesht të fitojë disa javë qetësi në sesionin e ardhshëm parlamentar.
Habbas shton se pushimi i Knesset-it mund ta ndihmojë Netanyahun të bindë partnerët e tij ultraortodoksë të kthehen në qeveri dhe ta mbështesin buxhetin e ardhshëm, duke i dhënë jetë më të gjatë koalicionit.
Zgjedhje të parakohshme?
Flitet gjithnjë e më shumë për mundësinë që Netanyahu të shpallë zgjedhje të parakohshme pas pushimit të Knesset-it ose për t’iu shmangur zbatimit të marrëveshjes për Gazën dhe presionit të haredimëve, ose për të shfrytëzuar atë që ai e quan “arritje ushtarake” në Gaza, Liban, Siri dhe Iran.
Sondazhi i kanalit 12 tregon se 54% e izraelitëve besojnë se do të ketë zgjedhje gjatë vitit 2025 dhe 61% mendojnë se lufta në Gaza nuk e ka arritur qëllimin e saj.
Dilema është: a do të guxojë Netanyahu të shpërbëjë vetë koalicionin dhe të kërcejë nga “anija para se të fundoset”? Apo do të arrijë të blejë kohë duke promovuar “fitore” të pjesshme dhe të shtyjë zgjidhjen e krizave deri në dimër?
Për shumë analistë, zgjedhjet janë “jehona e shpëtimit” për Netanyahun një mundësi për të riorganizuar radhët e tij dhe për të fituar kohë.
Sima Kadmon nga Yedioth Ahronoth thotë se Netanyahu do të bëjë gjithçka për ta shtyrë marrëveshjen ose për ta paraqitur atë si arritje. Nëse dështon, do të shkojë në zgjedhje para se ta detyrojnë të tjerët.
Por gazetari Amit Segal nga kanali 12 pohon se Netanyahu nuk ka interes për zgjedhje të menjëhershme ai do t’i bëjë ato sa më afër datës së rregullt, ndoshta rreth shtatorit 2026, për të shkurtuar fushatën zgjedhore dhe për të shmangur përkujtimin e 7 tetorit 2023.
Sipas Habbas-it, një ndër faktorët që mund të çojë në zgjedhje të parakohshme është edhe ligji i përjashtimit nga rekrutimi, i cili mund të përçajë koalicionin mes haredimëve dhe partive të djathta si Likud dhe Sionizmi Fetar.
Një manovër e re?
Në përfundim, opsionet për Netanyahun po ngushtohen. Ruajtja e koalicionit me haredimët dhe të djathtët ekstremë është e mbushur me përplasje, ndërsa çdo marrëveshje me Hamasin mund të rrëzojë qeverinë. Zgjedhjet e parakohshme janë një bast i rrezikshëm nëse nuk arrin të bindë votuesit për “sukseset” e tij.
Sipas analistit Nael Abdul Hadi, Netanyahu, si zakonisht, do të përpiqet të manovrojë por këtë herë situata është si një “fushë me mina” ku nuk ka më hapësirë për manovra.
Presidenti amerikan nuk është thjesht një spektator, por aspiron për çmimin Nobel për Paqe dhe e sheh Gazën si një hap drejt një “marrëveshjeje rajonale të madhe”.
Ndërkohë Hamas-i, nga përvoja e mëparshme, është i bindur se marrëveshjet e pjesshme me Izraelin përfundojnë gjithmonë si fakte të imponuara mbi terren kundër interesave të popullit palestinez.
Burimi: Al Jazeera
