Në shoqërinë e librave: aty ku fillon jeta e brendshme

Më të lexuarat

Asnjë nuk është aq besnik sa një libër. Ai nuk të tradhton, nuk të gjykon, nuk të ndërpret. Rri aty, i hapur ose i mbyllur, duke të pritur me durimin dhe besnikërinë që pak gjëra në këtë botë e ruajnë.
Të kesh libra pranë është të jetosh me miq të mirë. Kur i ke ata, dhe ndërgjegjja jote është e qetë, ke gjetur jetën ideale. Sepse libri është më shumë se faqe. Është pasqyrë, është udhërrëfyes, është dritë.
Thuhet: “Mendo para se të flasësh, lexo para se të mendosh.”
Sepse fjala që vjen nga një mendje që ka lexuar, është më e matur, më e thellë, dhe më e mirëseardhur. Leximi nuk të bën thjesht të ditur, të bën të heshtur kur duhet, të mençur kur flet, dhe të qetë kur reflekton.
Ka libra që i lexon dhe i harron. Por ka edhe libra që i lexon vetëm një herë… dhe gjithë jeta jote ndryshon.
Një fjali, një ide, një histori dhe gjithçka merr tjetër dritë.
Dhe ndodh që, kur të rrethojnë librat, të mos mund të flesh. Jo nga shqetësimi, por nga nderimi. Sepse ndihesh sikur je në prani të mendimeve që nuk janë më të kohës, por vlejnë për çdo kohë.
Një shtëpi pa libra është si një dhomë pa dritare. Nuk hyn dritë, nuk fryn ajër, nuk ndjen liri.
Por kur ke libra rreth vetes, nuk ndihesh vetëm, sepse çdo faqe është një zë që të flet, një mendje që të shoqëron, një zemër që të kupton.

Fitim Gërguri

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit