10 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Në Llap, konfiskohen 109 kg marihuanë

Më të lexuarat

Drejtoria për hetimin e trafikimit me narkotik, në një operacion të zhvilluar ka arritur të konfiskojë 109 kilogramë substancë narkotike, marihuanë. Lidhur me këtë rast policia ka arrestuar tre persona të dyshuar, janë konfiskuar katër vetura dhe 4 mijë e 150 euro paratë gatshme, të cilat dyshohet të jenë përdorur për veprimtari kriminale. Njëra nga veturat e konfiskuara është me targa të huaja.
Operacioni është zhvilluar në Rajonin e Prishtinës, konkretisht në tri fshatra të Podujevës dhe cilësohet si një prej operacioneve të mëdha të Policisë së Kosovës në vitet e fundit.

Brahim Sadriu, zëdhënës i Policisë së Kosovës, tha se ky është një nga operacionet më të suksesshme të Policisë së Kosovës.

“Mbrëmë rreth orës 22:00, Drejtoria antidrogë ka pasur një operacion të suksesshëm, si rezultat i hetimeve që ka kryer lidhur me një grup personash, që janë marrë me trafikimin e substancave narkotike. Si rezultat i operacionit, është konfiskuar sasi e drogës, apo substancës narkotike që është e llojit marihuanë, sasia është 109 kg. Është një prej operacioneve më të suksesshme të kësaj drejtorie gjatë këtij viti”, tha Sadriu, transmeton Kosovapress.

Ndërsa drejtori i Drejtorisë për trafikimin e substancave narkotike në kuadër të PK-së, Bahri Shala tha se Drejtoria për trafikimin me narkotik, para gjashtë muajve ka marrë informacione nga terreni dhe ka filluar një rast të koduar me emrin “Era” dhe pas hetimeve të një pas njëshme dhe intensive, ka arritur të konfiskojë mbi 100 kg drogë të llojit marihuanë.

“Është nga operacionet më të mëdha pas luftës, ku është sasia më e madhe dhe grupi ka qenë i mirë organizuar. Nga hetimet disa mujore, janë siguruar prova të rëndësishme. Në bazë të hetimeve tona dhe mbrëmë rreth orës 22:00, është ndërmarrë operacioni i bastisjes në tri lokacione, në Rajonin e Prishtinës, me ç’rast gjatë kontrollimit të tri shtëpive janë sekuestruar 109 kg marihuanë. Vlera totale e tyre 76 mijë e 300 euro, një revole ‘Cz’ kalibri 9 mm me 14 fishek, një skorpion me 25 fishek dhe janë konfiskuar katër vetura dhe 4150 euro”, tha ai.

Shala po ashtu pohoi se në bazë të hetimeve të zhvilluara, bëhet e ditur se substanca narkotike nuk ka qenë për tregun kosovarë, por ka qenë e destinuar për tregun e jashtëm, atë të Holandës dhe Gjermanisë, pasi që edhe një veturë e konfiskuara ka qenë me targa të huaja. Ndërsa prejardhja e drogës ka qenë nga Shqipëria.

Ndryshe, në këtë operacion në të cilin kanë marrë pjesë 60 oficerë, është arrestuar Fatbardh R. (1978), Dritan Zh. (1965) dhe Agim F. (1972), që të tre shtetas të Kosovës. Personave të arrestuar i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh. /Telegrafi/kohaisalme

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit