17.7 C
Pristina
Saturday, May 18, 2024

Në kërkim të vrasësve të vëllezërve

Më të lexuarat

Dy javë pas përfundimit të luftës në Kosovë, tre shqiptaro-amerikanë, që i ishin bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), u arrestuan prej policisë jugosllave. Ata u torturuan dhe u vranë. Tetëmbëdhjetë vite më vonë, lufta pothuajse është harruar, por vëllai më i ri i këtyre burrave vazhdon i vetëm të luftojë për drejtësi, shkruan BBC.

Nga Matthew Brunwasser

Nga fundi i qershorit të vitit 1999, Yll, Agron dhe Mehmet Bytyçi po e shoqëronin një familje nga Kosova në kufi me Serbinë. Ishte një akt mirësjelljeje. Vëllezërit Bytyçi – prindërit e të cilit e njihnin fort mirë familjen rome – po garantonin sigurinë e tyre deri në kufi me Serbinë, meqë shqiptarët etnikë po i shihnin me dyshim romët. Por afër fshatit Merdare gjithçka mori të mbrapshtën.

Pasi iu afruan kufirit të pashënuar, vëllezërit u arrestuan dhe u mbajtën në burg për dy javë për shkak të hyrjes pa vizë në Jugosllavi. Kur u liruan, një makinë e bardhë pa tabela, e drejtuar prej burrave me veshje të rëndomta, po priste në burgun e qytezës së Prokuples. Tre vëllezërit pastaj u dërguan në bazën e njësitit special në Petrovo Sello afër kufirit rumun dhe kurrë më nuk u panë të gjallë.

Këtu do të niste kërkimi i vëllait të tyre, Fatos Bytyçit.

Derisa vëllezërit e tij ishin qytetarë me shtetësi amerikane, lindur në Illinois, Fatosi ishte lindur pas kthimit të prindërve të tij nga Shtetet e Bashkuara në Prizren, në atë që atëherë njihej si Jugosllavi. Ishte viti 1979. Fatosi ishte nëntëmbëdhjetë vjeç kur Ylli, Agroni dhe Mehmeti iu bashkuan Brigadës Atlantiku – një grup prej rreth katërqind qytetarëve amerikanë që u nisën në prill 1999 t’i bashkoheshin luftës së Kosovës për pavarësi nga Serbia.

Vëllezërit arritën në fund të luftës, meqë nga mesi i qershorit NATO-ja kishte detyruar forcat jugosllave të tërhiqeshin nga Kosova, dhe në vend të tyre u vendosën paqeruajtësit e NATO-s. Vëllezërit Bytyçi ishin pjesëtarë të UÇK-së.

Në ditën e arrestimit kishin emblemat e UÇK-së, si dhe patentat e shoferit të New Yorkut dhe një prej teorive pretendon se ata ishin arrestuar si të dyshuar për spiunazh.

Në javët e para pas zhdukjes, një grup për të drejtat e njeriut në Beograd kishte arritur të siguronte dokumente që dëshmonin lirimin e vëllezërve nga burgu.

Më vonë, Fatosi vizitoi Prokuplen me nënën e tij, ku e mori vesh punën e makinës së bardhë. Por u deshën edhe dy vite që ta zbardhte fatin e vëllezërve të tij.

Në korrik 2001, trupat e tyre u gjetën në një varrezë masive në Petrovo Sello bashkë me kufoma të shqiptarëve të tjerë nga Kosova. Sipas një agjenti të FBI-së, që kishte kaluar gjashtë vite duke e hetuar rastin, lëkura e tyre dëshmonte se kishte shenja të shokut elektrik, përfshirë edhe torturën.

Sot, 37-vjeçari është menaxher i një dyqani, «7-Eleven» në Hampton Bays në Long Island, në periferi të qytetit të New Yorkut. Vëllai i katërt, Iliri, qëndroi atje që të mbështeste financiarisht familjen. Me zërin e butë, Fatosi ia kthen shpinën dyqanit së paku njëherë në vit që të udhëtojë drejt Serbisë, ku e takon edhe kryeministrin, kryeprokurorin e krimeve të luftës, ministrin e Brendshëm dhe zyrtarë të tjerë të lartë, që t’i inkurajojë të marrin masa për zbardhjen e rastit të vëllezërve. Nuk e ka ndërmend të dorëzohet pa gjetur vrasësit e vëllezërve që duhet të ndëshkohen.

Hetime janë kryer prej prokurorëve serbë të krimeve të luftës dhe prej agjentëve të FBI-së. Por shumica e punës është kryer para disa vitesh dhe asgjë nuk ka lëvizur.

Tribunali për Krime të Luftës në Jugosllavi po mbyllet. Serbia po negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe institucionet amerikane kanë ulur presionin ndaj autoriteteve serbe. Por vetëm Fatosi nuk e ka ndërmend të dorëzohet.

Dhe padyshim se zyrtarët me të cilët takohet në Beograd i kërkojnë të tregojë durim. Ata i thonë se shumë shpejt do të ketë sukses. «Kur më takojnë nuk është se ndihen keq. Po të ishin ndjerë keq, do të kishin kryer punë shumë kohë më parë», thekson ai. «Nganjëherë, ministrat nuk më lejojnë as të shtroj pyetjet. Ata më ndërpresin dhe thonë se nuk po e kuptojnë rastin». Por Fatosi vazhdon të jetë shumë i vendosur.

«Të merresh me krime të luftës kur është në pyetje çështja e vëllezërve tuaj, duhet të tregohesh shumë i durueshëm», thekson Iliri, i cili punën kryesore ia ka besuar vëllait Fatosit. «Kur ke punë me gjithë këta njerëz të qeverisë në Shtetet e Bashkuara dhe sidomos me këta në Serbi, ata të thonë atë çfarë dëshironi të dëgjoni dhe kështu të heqin qafe».

Është e qartë se kriminelët ishin në mesin e një numri të kufizuar njerëzish me qasje në bazën e njësisë speciale në Petrovo Sello, ku Bytyçët ishin ekzekutuar dhe varrosur.

Deri më sot, vetëm dy burra janë gjykuar – Sreten Popoviq dhe Milosh Stojanoviq, që kishin transferuar vëllezërit në makinën e bardhë nga burgu i Prokuples në Petrovo Sello. Të akuzuar për ndihmë për kryerje të krimeve të luftës, ata u liruan nga akuzat më 2009 dhe u akuzuan prapë më 2012 me dyshimin se kishin rol minor dhe mund të mos kryer krime lufte për shkak se në kohën e arrestimit ishte kryer lufta.

Fatos Bytyçi është i bindur se një prej njerëzve kryesorë të rastit është gjenerali Goran Radosavljeviq – i njohur si «Guri» – që ishte komandant i bazës së Petrovo Sellos. Ai ka thënë se nuk ishte në bazë në kohën e vrasjeve, megjithëse së paku një prej vartësve të tij e hedh poshtë këtë pretendim.

Radosaljeviq është njeri i fuqishëm. Ai ishte në krye të forcave speciale të Serbisë, ose xhandarmërisë, siç e njohin serbët. Pastaj kaloi në një firmë sigurie, duke trajnuar trupa të huaja. Tani është biznesmen i respektuar dhe anëtar i bordit ekzekutiv të Partisë Përparimtare Serbe – partisë së Tomislav Nikoliqit dhe Aleksandar Vuçiqit.

Zyrtarët serbë shpesh thonë se rasti i vëllezërve Bytyçi nuk po sqarohet për shkak të mungesës së dëshmitarëve. Fatos Bytyçi thekson se është e zorshme ta bindësh dikë të dëshmojë kundër një njeriu që del në televizor ulur pranë kryeministrit serb.

Gjatë një vizite të fundit në Serbi vjeshtën e kaluar, Fatosi pa shenja frustrimi. «Kur diplomatët amerikanë takohen me zyrtarë serbë, thonë: Ç’ka ka të re në rastin Bytyçi?», thekson ai, duke treguar shenjat e reagimit të tyre kundrejt presionit të diplomatëve amerikanë. «Ata është dashur t’u drejtohen atyre: ».

«Ata takohen përherë me kryeministrin, dhe duhet ta përmendin rastin. Duhet të udhëtojë dhjetë orë për të mbërritur në ambasadë që ajo të punojë për së afërmi me Ministrinë serbe të Punëve të Brendshme».

Diplomatët amerikanë kanë refuzuar ta komentojnë rastin. Por më 2014, zëvendësshefi i misionit, Gordon Duguid, tregoi një mori arsyesh pse askush nuk është akuzuar për vrasjet – prej transicionit nga koha e sundimit të hekurt nga një njeri i vetëm deri te rezistimi për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si dhe hezitimin serb për t’u marrë me çështje të luftës.

Në njërën prej netëve të fundit në Beograd, Fatosi rri ulur në zyrën e Fondit për të Drejtën Humanitare për të shikuar një dokumentar për rastin, emetuar prej televizionit serb që ka rastisur me vizitën e tij. Emrin e ka «Amnezia kolektive».

Themeluesja Natasha Kandiq, 70 vjeçare, është aktiviste e njohur e të drejtave të njeriut, dhe përkrahëse e vazhdueshme e Fatosit. Ajo e ka lavdëruar që «lufton kundër heshtjes». Por cilat janë mundësitë që të ketë sukses në këtë rast?

Vuçiçi ka deklaruar më 2015 se rasti do të «mbyllej më shpejt se mund ta merrni me mend». Të tjerët thonë se Serbia duhet të merret me krimet e mëdha të luftës dhe se vendi duhet të përmbyll proceset e drejtësisë me krimet e luftës para se të anëtarësohet në Bashkimin Europian.

Avokati i Bytyçëve, Praveen Madhiraju, mendon se një aktakuzë tjetër është e mundshme, por thotë se pakkush beson se figura të larta do të dalin ndonjëherë para drejtësisë.

Prej 270 rasteve të krimeve të luftës të ndjekura nga Prokuroria Serbe e Krimeve të Luftës gjatë trembëdhjetë viteve të ekzistencës së saj, të gjitha ishin raste të ushtarëve të rëndomtë, hiq gjashtë raste të figurave të njohura, thekson Milica Kostiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare. «Duhet të ndodhë mrekullia», thekson ajo. «Ka pak shpresë». Por Fatos Bytyçi beson se drejtësia do të vihet në vend. I beson Zotit. Dikur drejtësia do ta thotë fjalën e saj./Dialogplus

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit