Ti që jeton në kohën e internetit edhe aplikacioneve

Më të lexuarat

O biri im

Interneti, Google, Facebook-u, Twitter-i, WhatsApp-i dhe të gjitha rrjetet e komunikimit janë një det i thellë.

Në të janë humbur moralet e burrave dhe janë rrëzuar mendjet.

Në të kanë rënë të rinj e pleq.

Valët e tij kanë përpirë turpin dhe ndrojtjen, dhe në të është shkatërruar shumë moral.

Prandaj ki kujdes kur futesh në të, dhe bëhu si bleta: mos u ndal veçse te faqet e dobishme e të mira, që të përfitosh vetë së pari, e pastaj t’u sjellësh dobi të tjerëve.

O biri im

Mos u bëj si miza, e cila ulet mbi çdo gjë, të pastër e të ndyrë, sepse ajo bart sëmundje pa e kuptuar.

O biri im

Interneti është një treg i madh dhe askush nuk e ofron mallin e vet falas.

Secili kërkon diçka në këmbim.

Ka prej tyre që synojnë prishjen e moralit në këmbim të asaj që ofrojnë.

Ka prej tyre që duan të përhapin idetë e tyre të shtrembëruara.

Ka prej tyre që kërkojnë famë.

Dhe ka prej tyre që janë njerëz të mirë.

Prandaj mos shpërnda asgjë derisa ta shqyrtosh mirë atë që po shpërndan.

O biri im

Ki kujdes nga hapja e lidhjeve (linkeve), sepse disa prej tyre janë porta mashtrimi dhe burim i një të keqeje të madhe, shkatërrimi dhe rrënimi.

O biri im

Ki kujdes nga përhapja e shakave të pahijshme dhe e thashethemeve.

Ruhu nga kopjimi dhe shpërndarja e gjërave të ndaluara.

Dije se e gjithë kjo do të peshohet për ty në peshoren e veprave të mira dhe të këqija.

Prandaj zgjidhe mirë atë që paraqet, sepse blerësi nuk konsultohet.

O biri im

Para se të komentosh ose të shpërndash një mendim, mendo mirë:

A është kjo diçka me të cilën Allahu është i kënaqur, apo diçka që e zemëron Atë?

O biri im

Mos u mbështet në miqësinë e atij që nuk e kanë parë sytë e tu.

Mos i gjyko njerëzit nga ajo që shkruajnë, sepse ata mund të shtiren.

Fotografitë e tyre mund të jenë të zbukuruara.

Moralet e tyre mund të jenë të stolisura.

Fjalët e tyre mund të jenë të zgjedhura me kujdes.

Ata mund të mbajnë maska.

Dhe mund të gënjejnë me bindje.

Sa e sa njerëz që duken fetarë janë në të vërtetë më të paditurit!

Sa e sa të bukur në pamje janë më të shëmtuarit në sjellje!

Sa e sa bujarë në dukje janë më koprracët!

Sa e sa trima në dukje janë më frikacakët!

Përveç atyre që i ka mëshiruar Allahu.

Prandaj bëhu prej atyre që i ka mëshiruar Allahu.

O biri im

Ki kujdes nga emrat e rremë dhe identitetet e fshehura, sepse pronarët e tyre nuk kanë besim as te vetja.

Mos i beso atij që nuk ka besim te vetja.

Dhe mos përdor emër të rremë, sepse Allahu i Madhëruar e di të fshehtën dhe atë që është edhe më e fshehtë.

O biri im

Mos e lëndo dikë me fjalët e tua, sepse ti përfaqëson veten tënde, ndërsa ai përfaqëson veten e vet.

Ti përfaqëson moralin tënd, jo moralin e tij.

Çdo enë nxjerr atë që ka brenda.

O biri im

Ti shkruan, por edhe engjëjt shkruajnë.

Dhe Allahu i Madhëruar, mbi të gjithë, llogarit dhe mbikëqyr.

O biri im

Ajo që kam më së shumti frikë për ty në këtë det të frikshëm të internetit është shikimi i harameve, pamjeve të shthurjes dhe devijimit.

Nëse e sheh veten se ke rrëshqitur drejt këtyre ndalesave, atëherë shfrytëzoje internetin për dobinë tënde, për komunikim me shoqërinë dhe për përhapjen e fesë sate.

Por nëse e sheh veten të zhytur në baltën e mëkateve, largohu nga bota e internetit ashtu siç iket nga një bishë grabitqare, sepse zjarri do të jetë strehimi yt dhe ai do të jetë kundërshtari yt nesër para Zotit tënd.

O biri im

Ndër hyrjet më të mëdha të shejtanit janë pakujdesia dhe epshi; dhe këto janë dy shtyllat mbi të cilat mbështetet interneti.

Dije se ky mjet nuk është krijuar për të të mashtruar, por për të të shërbyer.

Prandaj përdore dhe mos lejo që ai të të përdorë.

Përfito prej tij dhe mos lejo që të të shkatërrojë.

Bëje argument në favorin tënd e jo kundër teje.

Lusim Allahun e Madhëruar të na dhurojë udhëzim dhe sukses.

Dhe mos na harroni në lutjet tuaja.

Nga arabishtja solli për ju:
Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit