Në Sunenin e Ebu Davudit, të cilin e ka vlerësuar si të mirë (hasen) dijetari Albani – Allahu i mëshiroftë – është transmetuar se Profeti ﷺ ka thënë:
“Kur të faleni për të vdekurin, bëjeni me sinqeritet lutjen për të.”
Disa dijetarë shpjegojnë se kjo do të thotë: kushtojeni lutjen vetëm atij dhe mos e përzieni me të tjerë.
Ata kanë thënë gjithashtu se ndër kuptimet e saj janë: sinqeriteti, përqendrimi tek Allahu, përulësia dhe përgjërimi gjatë lutjes për të ndjerin.
Po ashtu, kanë theksuar se hadithi tregon se nuk është detyrim t’i përmbahemi vetëm lutjeve të transmetuara, por është e pëlqyer të lutemi me çdo lutje të mirë dhe të përshtatshme për të ndjerin.
Një prej njerëzve të virtytshëm më tregoi se një burrë mori pjesë në xhenazen e një personi që kishte qenë me autoritet në këtë botë, dhe në lutjen e tij tha:
“O Allah, ai ishte me autoritet në këtë botë, bëje të tillë edhe pranë Teje ndër të afërmit (e Tu).”
Frymëzimi për një lutje të tillë të veçantë është tregues i pranisë së zemrës së këtij njeriu, i dhembshurisë së tij dhe i zbatimit të porosisë së Profetit ﷺ për ta bërë lutjen për të ndjerin me sinqeritet.
Falja e namazit të xhenazes është një pozitë e nderuar, me të cilën Allahu i ka nderuar besimtarët që të luten për vëllain e tyre dhe u ka dhënë atyre mundësinë e ndërmjetësimit.
Lum ai që e ndien nderin e këtij qëndrimi dhe e kryen me lutje të sinqertë dhe të dhembshur.
Dijetarët kanë thënë:
Namazi i xhenazes është ndërmjetësim për të ndjerin.
Sepse në Sahih Muslim transmetohet se Pejgamberi ﷺ ka thënë :
“Nuk ka asnjë burrë mysliman që vdes, dhe në xhenazen e tij marrin pjesë dyzet burra që nuk i bëjnë shok Allahut, veçse Allahu e pranon ndërmjetësimin e tyre për të.”
Ndërmjetësimi në botën tjetër është nga pozitat më të mëdha të nderit dhe nuk i jepet askujt përveç atij që Allahu i jep leje, është i kënaqur me të dhe ai flet drejt.
Ndërsa në këtë botë, Allahu e ka lejuar atë për çdo besimtar.
Prandaj, o rob i Allahut, mendo thellë për dhuntinë që Allahu të ka dhënë kur të ka ngritur si ndërmjetës për besimtarët.
Dhe jepi kësaj pozite nderin që meriton.
