13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Nano: Unë në krye të PS-së

Më të lexuarat

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta dhe ai i PS-së, Edi Rama, kishin një plan për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Berisha dhe ky plan u bë pjesë e darkës tetëorëshe të dy liderëve politikë në Gjirin e Lalzit.

Ky denoncim u bë mbrëmë nga ish kryeministri Fatos Nano, gjatë një interviste me gazetarin Blendi Fevziu në Tv Klan tek emisioni “Opinion”.
“Darka prej 8 orësh ngriti kërcënimin e thyerjes së mazhorancës aktuale, Edi Rama u fut me hundë dhe jo me kokë në konspiracionin e madh për të ndërtuar 71 deputetë që do të rrëzonin me mocion mosbesimi kryeministrin aktual”, ka deklaruar Nano.
Fatos Nano ka thënë se Berisha u detyrua të tërhiqet nga zhvillimet pararendëse ku biseda për kandidimin e ish kreut socialist për postin e presidentit, ishte në stad normal.
“Berisha nuk kishte rrugëdalje tjetër veçse të ruante radhët e mazhoranës nga takimi Rama-Meta, gjë që nuk e lejonte as atë vetë, që të bënte hapin prej shtetari për t’u hedhur matanë gardhit për zgjedhjen e kryetarit të shtetit mbi palët”, ka thënë Nano.
Gjatë intervistës, Nano u shpreh se do të rikthehet në gjirin e PS për të fituar siç tha ai zgjedhjet e vitit 2013.
Nano vlerësoi se ka ardhur koha që të kthehet në krye të PS pasi siç pretendoi ai, këtë parti e ka përfshirë sëmundja “Rama”.
Për më tepër, Nano ka premtuar se në zgjedhjet e ardhshme, PS me të në krye do të marrë më shumë se 63 deputetë duke siguruar një mandat qeverisës me atë kryeministër.
“Do të kthehem në PS duke shëruar sëmundjen e PS. Kthehem të bashkëdrejtoj PS-në me të gjithë ata që meritojnë mbështetjen e zgjedhësve në gjithë Shqipërinë. Ata mund të reagojnë ashtu sikurse Rama dhe mund të mbrojnë me metoda jodemokratike pozitën apo zyrat e tyre përfaqësuese. Sfida do të jetë e vazhdueshme, shëruese, dhe ringjallëse. Do të konkurrohet në të gjitha nivelet dhe në varësi të reagimit dhe veprimit të tyre politik do të vendosim për përfaqësimin ose jo të socialistëve në një listë tjetër”, siguroi Nano.
Ai ka shtuar se tashmë ka ardhur koha, janë mbledhur të gjitha provat për të vepruar politikisht për kapsulimin dhe izolimin e sëmundjes Rama në PS për të shpëtuar PS-në dhe për të bërë të mundur që aftësitë e PS-së të jenë në ballafaqimet elektorale”. /Indeksonline/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit