13.6 C
Pristina
Sunday, October 13, 2024

MËNYRA E DEBATIT DHE KOMUNIKIMI NË FAMILJE

Më të lexuarat

Prej faktorëve që e pengojnë komunikimin brenda familjes në ditët e sotme janë edhe polemikat e kota e pavlerë. Debati, pavarësisht se në plan të parë mund të duket jo i dëmshëm dhe i logjikshëm apo si një faktor i pazëvendësueshëm i komunikimit, nëse nuk zhvillohet komfort rregullave, me kalimin e kohës mund ta zbehë dashurinë dhe respektin për sho-shoqin. Fatkeqësisht në shumë raste duke qenë se kjo situatë nuk kalohet me sukses, debati më tepër se dobi, sjell dëme. Kështu që, çiftet që pretendojnë të kenë komunikim më të frytshëm duke debatuar, me kalimin e kohës ftohen dhe largohen nga njëri-tjetrit. Me kalimin e kohës duke mos e vënë re dëmin që i sjell debati atyre dhe familjes, bashkëshortët fillojnë të kërkojnë fajtorë të tjerë duke pyetur “Mos vallë na ka bërë dikush magji?” apo “Mos e kanë marrë nazar marrëdhënien tonë?”. Në fakt, faji nuk është jashtë, është brenda, dhe pikërisht ata vetë janë fajtorët. Ajo që nuk njeh asnjë parim në debat apo edhe pse i njeh i lë mënjanë, është egoja e njeriut.

Që debati apo diskutimi të japë frytet të cilat priten prej tij dhe që të ruhemi prej dëmeve të tij, duhen ndjekur disa parime të cilat mund t’i shtjellojmë si më poshtë:

Vetëdija që vendimi i fundit do të jepet para Allahut

Si në çështjet familjare apo edhe në çështje të tjera jashtë saj, diskutimet  duhen bërë me ndjenjën e ihsanit (të veprosh sikur e sheh Allahun, edhe pse nuk e sheh, Ai të shikon ty). Sepse Allahu mbikëqyr çdo situatë të robërve të Tij. Çdo çështje për të cilën debatohet, çdo çështje që nuk ka dakordësi midis palëve do të sillet në praninë e Allahut (xh.sh) ditën e kiametit. “Me të vërtetë, ti do të vdesësh, e me të vërtetë edhe ata do të vdesin. E pastaj, në Ditën e gjykimit, te Zoti juaj do të polemizoni.”[1] Kur zbret ky ajet, Zubejr b. Avam (r.a) e pyet të Dërguarin e Allahut (s.a.s.):

-O i Dërguari I Allahut, çështjet që kemi diskutuar në këtë botë, polemikat e debatet ndryshme, a përsëriten sërish ditën e kiametit?

-Po,- i thotë i Dërguari i Allahut.

-Atëherë, situata qenka shumë e vështirë,[2]-thotë Zubejr b. Avam (r.a). Kështu që, duhet pasur kujdes që kur debatojmë rreth një çështjeje mos të sillemi egoistë për të mbrojtur pretendimin tonë, pa parë se si është e vërteta. Të mos shkojmë në botën tjetër me cënime të të drejtave të të tjerëve pa e vënë re.

Në të kundërt, kushdo që flet, flet pa ndjerë asnjë lloj përgjegjësie dhe e dëmton komunikim. Kurani famëlartë duke na paraqitur një shembull nga epoka e lumturisë, na jep një shembull të vyer në këtë çështje:

Eus b. Samit, që ishte nga ensarët, një ditë nxehet me gruan e tij, Haule b. Thalebe dhe i thotë: “Shpina jote është për mua si shpina e nënës time”. Pa kaluar shumë, ai bëhet pishman për këtë veprim. Por, Haule nuk mund ta pranonte këtë krahasim, i cili binte ndesh me traditën e asaj kohe. Ky krahisim në atë kohë nuk kishte kuptim tjetër veç divorcit. Ajo nuk donte që t’i shkatërrohej foleja familjare. Si përfundim e gjen zgjidhjen duke ia treguar të Dërguarit të Allahun ngjarjen me të gjitha detajet e saj. Ajo u shpreh se e kishte kaluar rininë në shërbim të burrit të saj, i kishte dhënë shumë fëmijë atij, dhe se kërkonte që Profeti (s.a.s.) t’i gjente një zgjidhje për të mos u ndarë nga burri pas krahasimit që ai kishte bëre, krahasim ky që në atë kohë ishte ekuivalent me divorcin. Profeti (s.a.s.) i thotë që gjykimi për këtë çështje vazhdon të jetë i njëjtë dhe që nuk ka zbritur revelatë e re për këtë çështje. Haule këmbënguli shumë për të treguar se sa e rëndë ishte situatë për të, por nuk arriti ta merrte përgjigjen që priste.

Kur e kuptoi që këmbëngulja nuk kishte ndonjë dobi, u tërhoq në një cep dhe filloi t’i lutet Allahut: “Zoti im! Jam shumë e vetmuar. Kjo ndarje më bën të vuaj së tepërmi. Kam fëmijë të vegjël, nëse i lë që të jetojnë me të atin e tyre do të vuajnë shumë, nëse i marr unë do të vuajnë urie. Po ta paraqes Ty gjendjen time. Më shpëto nga kjo vështirësi. Zbriti një revelatë të Dërguarit tënd!” Pak pasi Haule e përfundoi duanë, filloi të zbriste një ajet. Profeti (s.a.s.) e thërret Haulen, i lexon asaj ajetin e zbritur dhe e përgëzon që martesa e saj vazhdon akoma.[3]

Ajetet e zbritura për këtë çështje janë: “Vërtet Allahu i dëgjoi fjalët e asaj që bisedoi me Ty për burrin e vet dhe që iu ankua Allahut. Allahu dëgjon bisedat tuaja. Se, Allahu, me të vërtetë, i dëgjon dhe i sheh të gjitha.”[4]

Aishja (r.a) e cila ishte dëshmitare e kësaj ngjarjeje duke thënë: “Sa i lartë është Allahu që dëgjon çdo zë! Ajo zonja kur po i paraqiste gjendjen e saj Allahut, fliste me aq zë të ulët sa ishte pamundur ta dëgjoje një pjesë të fjalëve të saj.”[5], në fakt me këto fjalë ajo (r.a) po interpretonte ajetin e parë ku Allahu thotë: “Allahu, me të vërtetë, i dëgjon dhe i sheh të gjitha.”

Për rrjedhojë, ata që mendojnë se nuk i dëgjon njeri kur debatojnë mes tyre, nuk duhet ta harrojnë asnjëherë faktin që Allahu dëgjon çdo gjë në çdo çast. Kjo do t’i kursejë atyre shumë fjalë të padrejta e sjellje të pahijshme.

Çështja duhet paraqitur Allahut (xh.sh) dhe Profetit (s.a.s)

Një çështje që diskutohet brenda familjes, duhet para nëse është në Kuran apo në thëniet profetike. Nëse çështja gjen zgjidhje aty, duhet braktisur debati për të mos dëmtuar marrëdhëniet familjare dhe duhet parë si parashtrohet në Kuran apo në traditën profetike. Urdhri i Kuranit drejtuar besimtarëve është i qartë në këtë çështje: “Betohem në Zotin tënd, se ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, përderisa mos të marrin ty për gjykatës, për ato konflikte që ekzistojnë ne mes tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dëshpërimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht.”[6] Kështu që, për një çështje që nuk biem dakord edhe pse kemi mendimin tonë, çështja duhet t’i parashtrohet Kuranin dhe traditës së Profetit, duhet t’i dorëzohemi gjykimit të Kuranit dhe synetit.

Nuk duhet të mbytemi në debat, duhet t’i dorëzohemi të vërtetës

Gjatë debateve, në të shumtën e rasteve njeriu nuk e ruan dot gjakftohtësinë dhe duke menduar që “duhet të dal fitimtar në çfarëdolloj forme”, pa e parë nëse informacioni është i saktë apo i gabuar e përdor si argument dhe mundohet t’ia mbyllë gojën bashkëbiseduesit apo ta mundë atë. Ata që debatojnë një çështje mes tyre, duhet të kenë kujdes këtë detaj, nuk duhet ta kalojnë kufirin në debat dhe nuk duhet të mbyten në egon e tyre. Profeti ynë (s.a.s.) i tërheq vërejtjen popullit të tij në këtë çështje dhe thotë: “Atë që e urren më shumë Allahu, është ai që gjatë debatit (për të dalë fitimtar, devijon nga e drejta) vazhdon debatin në mënyrë të ashpër.”[7] Për rrjedhojë, principi që duhet ndjekur në debat nuk është triumfi, por kërkimi i së vërtetës së bashku. Në të kundërt, nëse nuk ruhet ky princip dhe vazhdon debati, nuk përftohet ndonjë dobi nga ky debat dhe merr gjynahe të shumta sipas shprehjes së Profetit (s.a.s.): “Njeriut i mjafton si gjynah (edhe pse e di që nuk ka të drejtë) ta vazhdojë debatin.”[8] Në situata të tilla, bashkëshortët pa qenë të vetëdijshëm ashtu siç e humbasin sho-shoqin në këtë botë, duke u futur në gjynahe bëjnë që të humbasin edhe në jetën e pasme. Për rrjedhojë, rruga për të fituar këtu dhe në jetën e pasme është të mos të këmbëngulësh në gabim dhe kur e drejta del në pah ta pranosh atë, nëse është nevoja t’i kërkosh falje atij që ka të drejtë apo nëse është cënuar e drejta e robit t’i kërkohet që t’ia bëj hallall.

Në debat esencial është pajtimi

Kur debatohen çështjet brenda familjes, një prej pikave që duhen pasur kujdes është edhe pajtimi. Masa që na jep Kurani në debat, veçanërisht në ato familjare është edhe principi: “Pajtimi është më i dobishmi.”[9] Bashkëshortët kur debatojnë rreth diçkaje, duhet të kenë si qëllim që të bashkohen në një pikë, edhe nëse nuk e arrijnë dot këtë, duhet t’i lenë gjithmonë një derë hapur pajtimit. Të mos kapen pas egos së tyre dhe ta shohin sho-shoqin si dy armiq që nuk do të pajtohen asnjëherë. Sepse, në martesë gruaja dhe burri nuk janë konkurrent e as armik i njëri-tjetrit, por janë palë dhe vëllezër. Kuvendet e diskutimit nuk janë fushëbeteja dhe bashkëshortët nuk janë armiq të pozicionuar në dy fronte të kundërta. Si natyrë njerëzore, nëse përbrenda iu lindin ndjenja armiqësore, duhet të sjellin ndërmend vëllazërinë dhe marrëdhëniet mes tyre. Duhet të veprojnë sipas këtij rregulli që ka vendosur i Dërguari i Allahut (s.a.s.): “Nëse kërkon armik, armiku yt më i ashpër është ai që ndodhet midis dy anëve të tua, nefsi (egoja).”[10] Komunikimi me njëri-tjetrin duhet të jetë gjithmonë në linjën e vëllazërisë, miqësisë, dashurisë, respektit dhe pajtimit. Sepse nuk janë vetëm fjalët ato që të çojnë në një pikë të përbashkët dhe në përqafim në fund, por janë edhe ruajtja e këtyre principeve.

Një prej principeve bazë të debatit që Profeti (s.a.s.) i ka dhënë njerëzimit, është edhe ky: “Duaje me masë atë që do, një ditë ai mund të bëhet armiku yt. Me atë që inatosesh, inatosu me masë se ndoshta një ditë ai mund të bëhet miku yt.”[11]

Të mbytesh në debat është nga hipokrizia, ndërsa ta mbyllësh atë sa më herët është nga besimi.

Një prej rreziqeve shpirtërore që ka si parim armiqësinë dhe jo  pajtimin në debat, është edhe hipokrizia. Në plan të parë, debati pa masë mund të duket sikur nuk ka lidhje me hipokrizinë. Por Profeti (s.a.s.) kur përmend tiparet e hipokritit, që kur flet gënjen, kur bën marrëveshje nuk e respekton, kur premton nuk e mban fjalën, përmend edhe: “Kur futet në konflikt devijon nga e vërteta (e tepron në armiqësi pa ndjekur asnjë lloj parimi).”[12] Për këtë arsye Profeti (s.a.s.) thotë: “Mos u zhyt asnjëherë në debat me vëllain tënd, mos bëj shaka të tepruara me të dhe mos i premto atij diçka që nuk e përmbush dot.”[13]

Në të kundërt, të mos e zgjatësh debatin dhe ta përfundosh një çast e më parë, është pjesë e besimit të sinqertë që të mos dëmtosh unitetin e vëllazërinë, dhe kjo ka shpërblim shumë të madh siç shprehet Profeti ynë (s.a.s.): “Unë jam garant që do t’i jepet një vilë në cep të xhenetit atij që hedh hapin e parë drejt mbylljes së debatit edhe pse ka të drejtë. Jam garant edhe që, atij të cilit nuk gënjen qoftë edhe për shaka, do t’i jepet një vilë në mes të xhenetit. Po ashtu jam garant, atij që është me moral të mirë, do t’i jepet një vilë në vendin më të lartë të xhenetit.”[14] Për rrjedhojë, debati më i mirë dhe më fitimprurës është ai që përfundon sa më shpejt. Nëse burri dhe gruaja e përvetësojnë këtë princip në jetën e tyre dhe e vënë në praktikë, debatet familjare nuk do të devijojnë nga boshti i pajtimit dhe nuk do të shndërrohen në zënka e armiqësi. Për më tepër, ata që sillen në këtë mënyrë, në botën tjetër para se të shohin vilën që premton Profeti (s.a.s.), do të shohin që foleja e tyre familjare është shndërruar në saraj të përjetshëm në xhenet.

Duhet të kihen parasysh edhe virtytet e bashkëbiseduesit.

Një prej reflektimeve të të qenurit i drejtë dhe i ndërgjegjshëm është përmendja e virtyteve të mira të bashkëbiseduesit në fillim të debatit, dhe jo fokusimi në anët negative dhe qortimi i tyre. Në të kundërt, ta fillosh debatin duke kritikuar e qortuar, do ta tensionojë bashkëbiseduesin dhe do të verë në lëvizje egon e tij për të mbrojtur veten dhe jo të drejtën. Aq më tepër kur fokusi i debatit nuk është vënia në pah e të metave të bashkëbiseduesit, por arritja e një pike të përbashkët në të drejtë.

Përfundimi

Debati edhe pse duket i dobishëm në plan të parë, nëse nuk zhvillohet duke u bazuar në principet të cilat i përmendëm më sipër, sjell më shumë dëme sesa dobi dhe e prish komunikimin e shëndoshë. Nga kjo pikëpamje, ai është nga sprovat e rënda të gjuhës. Është një prej pikave ku shejtani mund të penetrojë brenda njeriut dhe ta inkurajojë atë për armiqësi. Është një ves që ushqen në zemrën dhe ndjenjat e njeriut mllef e urrejtje. Është ves i keq që e shkatërron ndjenjën e sigurisë dhe besimit mes partnerëve, i ftoh ata nga njëri-tjetri, aq sa mund të çojë deri në ndarjen e tyre. Kështu që, debati duhet zgjatur sa më pak dhe duhet të kihen parasysh principet e përmendura më sipër. E lusim Allahun (xh.sh.) që të na ruajë nga e keqja e gjuhës dhe nga debati shterpë e pa masë!

A. Asllani

[1] Surja Zumer, 30-31.

[2] Tirmidhi, Tefsir 40; Ahmed b. Hanbel, Musned, III/21.

[3] Ebu Davud, Talak 7.

[4] Shk. Surja Muxhadele, 1-5.

[5] Kurtubi, el-Xhami’ li-Ahkami’l-Kuran, IX/6440.

[6] Surja Nisa, 65.

[7] Buharî, Ahkam 34; Medhalim 15; Muslim, Ilim 2 (2668) ;Neueui, Şerhu Muslim, VIII/437.

[8] Tirmidhi, Birr, 58 (1994); Darrimi, I/336 (Hadis No: 296).

[9] Surja Nisa, 128.

[10] Axhluni, Keshfu’l-Hafa, I/143.

[11] Tirmidhi, Birr 60.

[12] Buhari, Iman 24 (34); Muslim, Kitebu Iman, 106.

[13] Buhari, el-Edebu’l-Mufred, fq. 106 (394); Tirmidhi, Birr 58 (1995).

[14] Ebu Davud, Edeb 8 (4800); Tirmidhi, Birr 58 (1993).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit