Mendja evropiane dhe përballja me JOSHJEN e Islamit

Më të lexuarat

Dr. Aaid ibën Saad ed-Deuseri

Kur diçka veçohet me elementë të joshjes së brendshme të vërtetë, ajo automatikisht fiton një tipar të dyfishtë: nga njëra anë tërheq admirimin, pranimin dhe mahnitjen e njerëzve, dhe nga ana tjetër bëhet objekt i zilisë e i smirës, që lind armiq e kundërshtarë të cilët, edhe pse e admirojnë fshehtas, përpiqen ta zhvlerësojnë dhe ta dobësojnë ndikimin e saj.
Kjo është gjendja e Islamit: një fe që fiton përkrahës dhe dashamirës në çdo moment njerëz që e pranojnë me bindje dhe nënshtrim dhe në të njëjtën kohë, përballë tij ngrihen armiq në çdo etapë të historisë, të cilët, edhe pse e pranojnë madhështinë e tij, nuk e fshehin frikën nga forca dhe qëndrueshmëria e tij. Ata, nga zilia dhe smira, e luftojnë me armë dhe me ideologji.

Maxime Rodinson dhe libri “JOSHJA E ISLAMIT”

Studiuesi, orientalisti dhe sociologu francez-hebre Maxime Rodinson shkroi një libër në frëngjisht të titulluar La Fascination de l’Islam (Joshja e Islamit), i përkthyer në arabisht nga Elias Marqus.

Ky libër përmban dy tekste: i pari është një studim mbi “Trashëgiminë e qytetërimit islam në kuadrin e kulturës botërore”. Në hyrje të tij, Rodinson përmend shkrimet e disa orientalistëve që kishin folur mbi ndikimin e Islamit mbi Perëndimin dhe mbi joshjen që ai kishte ushtruar. Ai kujton emra si Montgomery Watt, që botoi një studim mbi “ndikimin e Islamit në Evropën mesjetare”, apo Edward Said, studiuesi palestinezo-amerikan, i cili me librin Orientalizmi shkaktoi një “tronditje” në rrethet orientalistike perëndimore dhe ngjalli shqetësim të madh në mesin e tyre.

Rodinson thekson në fillim të librit të tij se:

“Myslimanët, për Perëndimin e krishterë, për një kohë të gjatë përbënin një rrezik, para se të ktheheshin në një problem.”

Duke folur për Spanjën Islame, ai shpjegon se të krishterët e asaj kohe ishin nën pushtetin politik të myslimanëve, pushtet i cili megjithatë lejonte një ndikim kulturor arab aq të fortë, sa që mund të trondiste vetë besimin e krishterë. Kjo forcë ndikimi kërkonte një reagim mbrojtës nga ana e kishës: zgjidhja më e lehtë ishte shtrembërimi dhe demonizimi i imazhit të Islamit, për të mbrojtur të krishterët nga tërheqja ndaj tij.

Rodinson shkruan:
“U shpërndanë mite dhe përralla poshtëruese mes popullatës së krishterë dhe asaj hebraike… Mendohej se, duke shpifur e shtrembëruar, mund të zvogëlohej ndikimi i Islamit.”

Por ai pranon se këto përpjekje për ta njollosur Islamin shkuan dëm: ato nuk arritën të bindnin as kishën, as masat. Për pasojë, Evropa u gjend sërish përballë një “armiku numër një” – dhe kështu u mobilizua tërësisht për luftë: politikanë, klerikë, kryqtarë, shkrimtarë, poetë e kronikanë, të gjithë u angazhuan për ta luftuar këtë joshje që e shihnin si kërcënim ekzistencial.

Në këngët epike të Mesjetës, si “Kënga e Rolandit”, myslimanët u përshkruan si paganë shumëngjyrësh që adhuronin Profetin Muhamed ﷺ si një idhull. Rodinson vëren se:

“Kështu u formua imazhi i Islamit në Perëndim… Një imazh që mbeti për shekuj i mbushur me armiqësi ideologjike dhe me shtrembërime të qëllimshme.”

Tre frontet e frikës evropiane

Rodinson tregon se Europa e Mesjetës e kuptoi mirë se përballë Islamit qëndronte në tri fronte:
1. Një strukturë politike-ideologjike kundërshtare.
2. Një qytetërim i ndryshëm.
3. Një zonë ekonomike konkurrente.

Edhe pse evropianët ishin të vetëdijshëm për ndarjet e brendshme politike mes myslimanëve, ata po ashtu e dinin se ekzistonte një unitet i brendshëm fetar që mund të ringjallej në çdo kohë për t’u përballur me Perëndimin. Dhe ky solidaritet buronte nga besimi i përbashkët islam.

Prandaj, siç thotë Rodinson, elitat evropiane mendonin:

“Mund të luhet me konfliktet mes shteteve islame. Mund të bëhen aleanca të përkohshme me njërën palë, madje edhe t’i shërbehej asaj. Por masat popullore duhej patjetër të ushqeheshin me një imazh të tmerrshëm të Islamit, për t’ua ndezur urrejtjen ndaj armikut.”

Europa mesjetare dhe admirimi i fshehur

Megjithatë, ekzistonte një kategori tjetër evropianësh që patën kontakt të drejtpërdrejtë me trashëgiminë shkencore dhe kulturore islame. Ata u mahnitën nga ky qytetërim dhe zbuluan se imazhi negativ i përhapur në Perëndim nuk përputhej aspak me realitetin. Nga frika e kishës, disa prej tyre shpallnin publikisht se dijetarët muslimanë “nuk ishin myslimanë të vërtetë”, vetëm për të justifikuar punën e tyre mbi veprat e tyre.

Madje edhe vetë kryqtarët nuk mund ta fshihnin respektin për trimërinë e luftëtarit mysliman. Njëri prej tyre pranoi me keqardhje:

“Nëse do të mbanin besimin e krishterë, nuk do të gjendej askush që t’i barazonte në forcë, trimëri dhe dijeni ushtarake.”

Për të zbutur joshjen, kisha shpikte rrëfime se prijësit fisnikë muslimanë kishin qenë në të vërtetë “me origjinë të krishterë”. Kështu lindi një rrymë kulturore që besonte se myslimanët fisnikë duhej jo të luftoheshin, por të ktheheshin në krishterim.

Nga Mesjeta te kolonializmi modern

Duke kaluar te epoka moderne, studiuesi perëndimor Kim Mulholland, profesor historie në Universitetin e Minesotës, flet për joshjen e Islamit përballë kolonializmit francez. Ai sjell shembullin e Ernest Psichari (1883–1914), nip i Ernest Renanit, i rritur në një familje laike dhe racionaliste.

Në Afrikë, përballë Islamit, Psichari përjetoi një tronditje shpirtërore. Ai pa ndikimin e thellë të Islamit tek afrikanët: qetësinë, madhështinë dhe forca morale që u jepte. Kjo përvojë e bëri të dyshonte tek laicizmi i republikës franceze. Por në vend që ta pranonte Islamin, ai nga frika dhe zilija u kthye drejt katolicizmit si mburoja e vetme përballë fuqisë shpirtërore të Islamit.

Në një letër dërguar motrës së tij Henriette nga Mauritania, ai shkruante:

“Nuk mund ta imagjinosh çfarë do të thotë të jetosh tri vjet në një vend ku të gjithë falen.”

Dhe në një tjetër shënim, i pushtuar nga xhelozia për besimin e myslimanëve, ai shpërtheu:

Edhe unë kam lutjen time!

Këto përvoja, sipas Mulholland-it, e çuan drejt kthimit në katolicizëm, dhe ai vdiq si besimtar katolik, vetëm një vit pasi ishte kthyer, gjatë Luftës së Parë Botërore.

Frika, zilija dhe zbrazëtia shpirtërore e Perëndimit

Rasti i Psicharit nuk është i vetmuar. Ai përfaqëson një prirje më të gjerë në Perëndim: disa intelektualë e pranojnë Islamin ose flasin me drejtësi për të, ndërsa shumë të tjerë edhe pse e admirojnë fshehtas reagojnë me arrogancë, shpifje dhe armiqësi. Jo nga bindja, por nga zilia dhe smira.

Sociologu britanik Frank Furedi thekson:

“Islami është kthyer sot në kërcënimin kryesor për mënyrën e jetesës perëndimore. Ai ka zëvendësuar fantazmën e Luftës së Ftohtë. Por në të vërtetë, kjo histeri buron nga humbja e besimit në vetvete. Frika nga Islami nuk vjen vetëm nga paragjykimi, por nga zilia për atë që myslimanët ende kanë e që ne e kemi humbur: besimin e palëkundur, identitetin e qëndrueshëm dhe një ideologji të fortë.”

Përmbyllje

Nga Mesjeta deri në kohët moderne, Islami ka qenë për Perëndimin një fuqi e joshjes së pashmangshme: ai fiton zemra, frymëzon mendje dhe ngjall respekt, por njëkohësisht ndez frikë dhe smirë tek ata që nuk duan ta pranojnë.

Në të vërtetë, Islami nuk është problemi. Problemi është zbrazëtia shpirtërore e Perëndimit, paaftësia e tij për të qëndruar përballë një feje të fortë, të qëndrueshme dhe të plotë si Islami.
Solli në shqip Koha Islame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit