Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Kanadaja kanë shprehur publikisht indinjatën e tyre ndaj përshkallëzimit ushtarak të Izraelit në Gaza dhe kanë kërcënuar me “masa konkrete” kundër Izraelit nëse ai nuk ndalon ofensivën dhe nuk lehtëson kufizimet për ndihmën humanitare.
-
Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar se janë “të tmerruar nga përshkallëzimi i Izraelit” dhe kërkoi përsëri armëpushim, pasi Izraeli ka intensifikuar ofensivën duke vrarë të paktën 87 persona në 24 orët e fundit.
-
Starmer, sëbashku me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministri kanadez Mark Carney publikuan një deklaratë të përbashkët ku e quajnë përshkallëzimin izraelit “tërësisht joproporcional” dhe shprehen kundër zgjerimit të operacioneve ushtarake në Gaza dhe ndalimit të ndihmës humanitare. Ata dënojnë gjithashtu veprimet e Izraelit në Bregun Perëndimor dhe theksojnë se zgjerimet e kolonive izraelite janë të paligjshme, duke paralajmëruar sanksione të synuara nëse situata vazhdon.
-
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka nisur “Operacionin Karrocat e Gedeonit” me synimin për të marrë kontroll të plotë në Gaza, pasi prej fillimit të marsit ka ndërprerë furnizimin me ushqim, karburant dhe ndihmë mjekësore. Netanyahu akuzoi tre vendet se po i japin “shpërblim të madh” Hamasit.
-
Tre liderët dënuan si të pamjaftueshme lejimin nga Netanyahu të vetëm disa kamionëve ndihme në Gaza pas tre muajsh bllokade të plotë, duke paralajmëruar se Izraeli shkelë të drejtën humanitare ndërkombëtare. Ata theksuan se nuk do të “qëndrojnë duarkryq” përballë “veprimeve të rënda” të Izraelit, duke dënuar gjithashtu retorikën për dëbimin e palestinezëve nga Gaza nga zyrtarë si ministri i Financave Bezalel Smotrich, dhe rikujtuan se zhvendosja e detyruar është e paligjshme.
-
Husam Zumlot, ambasadori palestinez në MB, kërkoi embargo të plotë të armëve ndaj Izraelit dhe mbështetje për përpjekjet për përgjegjësi në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
-
Francesca Albanese, raportuese speciale e OKB-së për territoret palestineze të okupuara, vuri në pikëpyetje nëse sanksionet duhet të jenë kundër individëve apo të gjithë shtetit të Izraelit.
-
Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot tha se lehtësimi i pjesshëm i bllokadës nga Izraeli ishte “krejtësisht i pamjaftueshëm” dhe se dhuna e pakufizuar dhe bllokimi i ndihmave e kanë kthyer Gazën në një “kurth vdekjeje”.
-
Një deklaratë e përbashkët nga 23 vende, përfshirë MB, Francën dhe Kanadanë, i bëri thirrje Izraelit të lejojë hyrjen e ndihmës, duke paralajmëruar për rrezikun e urisë masive në Gaza dhe duke kritikuar modelin e ri të ndihmës humanitare që lejohet në Gaza, i cili vendos ndihmat nën mbrojtje ushtarake izraelite dhe e lidh ndihmën me objektiva politike/ushtarake.
-
Amnesty International e quajti “skandaloze dhe moralisht të dënueshme” që u deshën pothuajse 80 ditë “urije të transmetuar” për të ushtruar presion ndaj Izraelit.
-
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, në 24 orët e fundit janë vrarë të paktën 87 persona dhe plagosur 290 të tjerë. Numri total i viktimave të konfirmuara në Gaza që nga fillimi i luftës është 53,573 të vrarë dhe 121,688 të plagosur.
