12.7 C
Pristina
Thursday, May 2, 2024

MATEMATIKA E GABUAR E PRINDËRVE NË RASTIN E ARSIMTARES NË MALISHEVË

Më të lexuarat

Në fshatin Drenoc të Malishevës, përkatësisht në Shkollën e Mesme të Ulët “Visar Krasniqi”, nxënësit e një klase për 2 ditë radhazi e kanë bojkotuar mësimin për shkak se arsimtarja e matematikës Fatmire Bujupi, bartë shami, e që sipas tyre  po ndjellë frikë tek ta. Ndërkohë që, zyrtarë të arsimit  në këtë komunë pohojnë se arsimtarja e ka kualifikimin e duhur dhe lusin fëmijët që të mos bojkotojnë mësimin.

Reagimet në rrjetet sociale pas këtij lajmi kanë qenë të shumta. Disa nga reagimet bazohen në aspektin juridik, e disa në atë human.

Gazeta e Re u njoftua nga Zyra për Informim e Komunës së Malishevës se edhe sot ka vazhduar bojkoti ndërkohë që sipas tyre, ky rast është duke u shqytuar dhe se  ende nuk ka ndonjë vendim për momentin.
Zyrtarët e Avokatit të Popullit të pyetur për një qëndrim rreth rastit, nuk pranuan të prononcohen pasi që sipas tyre është një rast i freskët  dhe se duhet hetuar në detaje nga ta.

Publicisti Halil Matoshi ka reaguar ashpër ndaj rastit në fjalë. “Me rastin e arsimtares Bujupi janë shkelur me të dyja kambët të drejtat dhe liritë e njeriut (liria e besimit) si dhe ato qytetare (ndaj nji grueje në nji shoqni shtypëse), i asht shkelë e drejta e punës dhe ushtrimit të lirë të profesionit, kodit të etikës dhe respekti ndaj tjetrës/tjetrit (paragjykim, damkosje pra fyemje pubklike dhe lëndim psiqik)”, ka thënë Matoshi i cili i thirrur në akte juridike ka numëruar pesë fakte sipas të cilave arsimtarja Bujupi është diskriminuar.

Ligjëruesja universitare, Besa Ismaili, për Gazeta e Re thotë se i gjithë ky rast ishte një inskenim i padrejtë ndaj arsimtares.

Ishte e nënkuptueshme prej nga vije frika e atyre që ishin të pranishëm në sallë. Ishte gjithashtu e qartë, për më tepër ishte vështirë të bëhej dallimi, vija ndarëse mes bindjeve të tyre dhe dashakeqësisë, inateve, hakmarrjeve dhe inskenimeve. Natyrisht, frika na bën qe autoritarizmi, konformiteti dhe paragjykimi të pranohen më lehtë! Sa kohë që këto janë faktorët që rëndojnë kohezionin shoqëror, demokracinë dhe sekularizmin në Kosovë”, thotë Ismaili.

Sipas saj, ky rast është njollë për shkollën e për prindërit. “Kjo është një ditë me njollë për shkollën, për ata prindër që janë rreshtuar në krah të padrejtësisë dhe të paligjshmes. Një ditë do të turpërohen për këtë ata vet, dhe pasardhësit e tyre do t`i kujtojnë me kokëulje! Malisheva dhe Kosova duhet të krenohen me sukseset e një gruaje, një nënë, një matematikaneje të re e të suksesshme dhe jo ta linçojnë atë”, vlerëson Ismaili.

Sipas saj, duhen sjellur para drejtësisë  ata që e kanë kurdisur këtë rast.

“Në aspektin e debatit që kanë kurdisur një grup prindërish se bashku me drejtoreshën e shkollës dhe kolektivin, e vlerësoj se duhet të sillen përpara drejtësisë që kanë cenuar integritetin e një punonjëseje duke marrë pretekst shaminë e saj, dhe kanë sfiduar një vendim të ligjshëm përmes veprimeve anarkike”, përfundon ajo.

Dukagjin Pupovci, ekspert i arsimit dhe përfaqësues i Qendrës për Arsim e Kosovës e sheh të papranueshëm aktin e bojkotimit të nxënësve duke thënë se nuk arsyetohet mbjellja e frikës.

“Njerëzit tonë janë mësuar që gratë me shamia t’i shohin në shtëpi ose duke bërë punë fizike të zakonshme, prandaj, deri diku, e kuptoj reagimin e komunitetit të fshatit Drenoc. Besoj se nuk do të reagonin kështu sikur në vend të arsimtares Fatmire të ishte ndonjë “arsimtar Fatmir”, po ashtu fetar, dhe me një mjekër që e simbolizon besimin e tij.  Megjithatë, nuk arsyetohet me asgjë mbjellja e frikës nga shamia tek fëmijët, e sidomos vënia e lidhjes në mes të shamisë dhe ISIS-it. Kjo është e papranueshme edhe për një shoqëri evropiane, me traditë të krishterë, e lëre më për një shoqëri me 90% qytetarë të besimit islam”, potencon Pupovci.

Sipas tij, është në interesin më të mirë të fëmijëve të Drenocit dhe gjithë Kosovës të edukohen në frymën evropiane, duke respektuar të drejtën e secilit për të shprehur identitetin fetar. “Dhe, kush ua do më shumë të mirën fëmijëve sesa prindërit e tyre. Prandaj, ata prindër duhet të reflektojnë për qëndrimet e veta, të mos harrojnë se edhe vet janë rritur në një mjedis ku shamia nuk është e huaj dhe të mos i bëjnë padrejtësi një gruaje që vetëm kërkon ta ushtrojë profesionin e vet. Shpresoj se problemi do të zgjidhet në këtë nivel, pa pasur nevojë që të ndërhyjnë organet shtetërore për t’i mbrojtur të drejtat elementare të një qytetareje të Kosovës”, deklaron Pupovci.
Neni 8 i Kushtetutës që përcakton se Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështjen e besimeve fetare, sipas juristit Rrahim Ajeti, nuk shkelet me faktin se një mësuese punon në një shkollë me shami.

“Neni 8 do të shkelej vetëm nëse: 1. Shteti administron çështjet fetare; 2. Nëse ai do të subvenciononte ose financonte projekte fetare; 3. Nëse shteti në çfarëdo forme, direkte a indirekte do të përkrahte a ndihmonte rritjen a fuqizimin e një feje të caktuar brenda territorit të vet shtetëror ose në ndonjë shtet tjetër. Edhe neni 38 i Kushtetutës, qartësisht garanton lirinë fetare dhe të drejtën që çdokush ta manifestojë lirshëm fenë e saj/tij. Sipas po këtij neni, liria e manifestimit të fesë mund të kufizohet vetëm nëse do të ishte e domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë, rendit dhe shëndetit publik. Por ne nuk dimë që ka pasur raste tek ne që shamia të ketë rrezikuar rendin ose sigurinë publike, a e të ketë dëmtuar shëndetin e popullatës”, thotë Ajeti.

Sipas tij, Kushtetuta jonë nuk e ndalon bartjen e shamisë. “As kushtetuta e as të gjitha aktet tjera ndërkombëtare që janë pjesë integrale e sistemit tone kushtetues juridik dhe që zbatohen direkt në Kosove, duke filluar nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut; Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj, dhe të gjitha aktet tjera që Kosova i konsideron si të vetat, nuk e ndalojnë bartjen e shamisë në shkolla publike. Asnjë interpretim i Kushtetutës nuk mund të bëhet duke i mënjanuar këto akte, të cilat në fakt kanë epërsi mbi kushtetutën dhe të drejtën tonë nacionale. Kushtetuta jonë nuk e ndalon bartjen e shamisë në shkolla publike dhe me asnjë akt tjetër juridik me fuqi më të ulët shteti s’ka të drejtë ta ndalojë bartjen e shamisë. Shteti e ka të ndaluar të ndalojë veprime e sjellje që nuk sjellin kurrfarë dëmi. Çdo ndalim i bartjes së shamisë saj, paraqet shkelje të të drejtave dhe është një absurd i cili duhet të mënjanohet nga sistemi juridik”, shprehet Ajeti. /Gazetaere.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit