15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

MASHTI dhe DKA-të synojnë që mësimi të nisë më 27 shtator, vendimi pritet të merret deri në fundjavë

Më të lexuarat

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë se synojnë që më 27 shtator të fillojë mësimi në shkolla dhe puna në çerdhe.

Nagavci në një prononcim për Telegrafin u shpreh se deri në fundjavë pritet të merret vendimi.

“Shumë mirë që po ulen numrat, e po besoj që kur të shqyrtohen masat do të mundësohet fillimi i vitit të ri shkollor me prezencë fizike, në bazë të udhëzuesit. Udhëzuesi i ka katër skenar, ku varësisht prej situatës nëpër komuna do të vendoset”, tha Nagavci për Telegrafin.

Ajo shtoi se synimi është që të kthehen me mësim fizik në shkolla më 27 shtator, e po ashtu të hapen edhe çerdhet.

“Varet plotësisht prej rekomandimeve të IKSHPK-së, ashtu siç kemi vepruar deri më tash. Kanë qenë rekomandimet e IKSHPK-së. Do të rishqyrtohen masat, janë në fuqi deri më 26, do të shqyrtohen edhe njëherë, mandej edhe vendimi, unë pres që me qenë një vendim që e mundëson edhe mësimin”, tha Nagavci.

Ajo u shpreh se kanë takime të rregullta me drejtorët komunal të arsimit.

“Takimet i kemi të rregullta, dje kemi pasur takimin me Task Forcën dhe me DKA-të. Në Task Forcë përfshihen edhe përfaqësues të prindërve, komunave edhe SBASHK-u. Takimet janë të rregullta, ne kemi qenë gati, por rekomandimet e IKSHPK-së kanë qenë që me u pezullu”, tha Nagavci për Telegrafin.

Në anën tjetër kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi theksoi se komunat janë të gatshme dhe kërkojnë që fillimi i vitit të ri shkollor të fillojë më 27 shtator.

“Kjo u konkludua në takimin e kolegjiumit të drejtorëve të arsimit në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës. Çdo vendim për cilin skenar të zhvillimit të procesit mësimor do të merret nga Task Forca Komunale e Arsimit”, tha Ibrahimi për Telegrafin.

Ai u shpreh se sfidë do të mbetet zëvendësimi i mësimdhënësve shtatzëna dhe atyre me sëmundje kronike.

“Kërkohet që Qeveria e Kosovës të miratojë një buxhet shtesë që të hartohet lista për zëvendësimin e këtyre mësimdhënësve në mënyrë që mos të humbet mësimi”, tha Ibrahimi. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit