Pani Operacional – Njësia e Analizës së Platformës për Çështje Ushtarake
Në luftën që vazhdon tashmë prej 21 muajsh në Rripin e Gazës, rezistenca palestineze ka adoptuar një qasje taktike që mund të përkufizohet si “Manovra e Vdekjes së Ngadaltë”. Kjo nuk është një strategji e konfrontimeve të hapura dhe të dendura, por një taktikë e rrallë e konsumimit gradual dhe të vazhdueshëm të armikut – në një mjedis të ndërlikuar, të paqëndrueshëm dhe me shumë shtresa.
Çfarë është “Manovra e Vdekjes së Ngadaltë”?
Kjo taktikë synon të shkatërrojë gradualisht aftësinë e armikut për të marrë vendime dhe për të fituar terren, duke e detyruar atë të luftojë nën kushte të pafavorshme dhe të paqarta. Manovra mbështetet në pesë shtylla thelbësore:
1️⃣ Fragmentimi i betejës
Çdo zonë e Gazës – qofshin Rafah, Shuxhajeh, Khan Yunis apo Jabalia – shndërrohet në një front të veçantë, me sistemin e vet mbrojtës, njësi të pavarura luftarake dhe kurthe të përgatitura paraprakisht. Kjo ndarje e terrenit pengon përqendrimin e forcave pushtuese dhe i lodh ato në mënyrë të shpërndarë.
2️⃣ Shpërndarja në kohë dhe zjarr
Rezistenca nuk kërkon të rrëzojë armikun brenda një dite. Përkundrazi, ajo e tërheq atë në një konflikt të gjatë e të lodhshëm, ku çdo ditë luftimi bëhet barrë e re për trupat pushtuese – një barrë psikologjike, logjistike dhe morale. Edhe mungesa e qartësisë për “fundin” e betejës shndërrohet në një formë të ndëshkimit.
3️⃣ Kurthe të shumëfishta dhe me shtresa
Asgjë nuk është e vetme apo spontane. Një shpërthim tërheq armikun, tjetri e godet, një i tretë e godet edhe më rëndë, dhe një i katërt i pengon evakuimin. Sulmet nuk vijnë nga një pikë – por nga shumë drejtime njëherësh. Këtu koha nuk është vetëm kohë: është armë.
4️⃣ Inxhinieri luftarake e përpunuar
Rrjeti i luftës urbane është ndërtuar me mjeshtëri: shtylla elektrike të minuara, shtëpi të mbushura me eksplozivë, rrugë të nënshtruara me kurthe, tunele që çajnë mes lagjesh e gjithë kjo e shndërron ambientin civil në një labirint vdekjeje që shpërbën çdo përparim tokësor të pushtuesit.
5️⃣ Goditje psikologjike të menaxhuara me kujdes
Lufta zhvillohet edhe në ekran. Pamje të kurtheve të suksesshme publikohen pas orësh, pajisje të konfiskuara nga armiku shpërndahen në rrjete, e madje edhe humbje që Izraeli përpiqet t’i fshehë, bëhen publike nga vetë rezistenca. Kjo goditje morale përçon frikë, hutim dhe ndarje brenda ushtrisë dhe shoqërisë izraelite.
⸻
Fuqia e Dëmtimit Pa Përballje
“Manovra e Vdekjes së Ngadaltë” nuk është vetëm një strategji luftarake është një art i lodhjes pa përplasje të drejtpërdrejtë. Me një qasje të përshkallëzuar, rezistenca copëton mekanikën e luftës izraelite, e detyron armikun të luajë sipas rregullave të saj dhe e shndërron çdo metër të pushtuar në një kosto që nuk justifikon fitimin.
Në këtë lloj lufte, fitorja nuk është më në “kontrollin e territorit”, por në shterimin e vullnetit për ta pushtuar atë. Dhe në fund, është vullneti ai që fiton luftën.
Rami Ebu Zubejde
