16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Lumturia e besimtarit

Më të lexuarat

Ubejdullah ibnu Muhsin transmeton nga i dërguari i Allahut, se ai ka thënë:
“Kush gdhin i qetë në vatrën e tij,i shëndoshë në trup dhe ka të garantuar rrizkun e ditës, është tamam sikur ka poseduar të tërë dynjanë.”[1]

Dritë mbi kuptimin e hadithit:
Jeta e kësaj bote është sprovë. Musliman i suksesshëm është ai, i cili për mirësinë që i është dhënë falenderon dhe kur i bie ndonjë fatkeqsi duron. Ai jeton i qetë shpirtërisht. Nëse Allahu i dhuron shëndet, siguri në shtëpi dhe kënaqësi me atë që i është përcaktuar si furnizim, atëherë atij i kanë ardhur të gjitha të mirat e kësaj bote. Me këto tre krahë ai fluturon në atmosferën e lumturisë e le të jetë i lumtur me këto mirësi, vlerën e të cilave ia di vetëm ai që nuk i ka.
Medito me mua mbi këtë hadith profetik të mrekullueshëm, që sqaron përkrahësit e lumturisë të besimtarëve. Besimtari e siguron lumturinë me atë që e ka nderuar Allahu nëpërmjet besimit, bindjes së thellë dhe kënaqësisë. Pas kësaj ai e shton akoma më tepër lumturinë, nëpërmjet mirësive dhe begative që ia ka dhuruar Allahu. Ndër më të dalluarat janë këto tre çështje:
1-Siguria dhe qetësia shpirtërore
2- Shëndeti trupor dhe ruajtja nga sëmundjet.
3- Mjaftueshmëria e ushqimit ditor që është hallall.

Disa shpjegues të hadithit fjalën vatër e komentojnë me shtëpinë e ngushtë në bodrum. Prandaj qëllimi i hadithit flet për sigurinë, që arrihet qoftë edhe në një shtëpi të ngushtë, sepse qetësia shpirtërore e bën njeriun të ndjehet i hapur dhe i qetë. Ndërsa meraku dhe frika e tepërt ia vështirësojnë jetën njeriut edhe nëse jeton në kështjella të larta. Prandaj nga kjo del qartë, se siguria dhe qetësia shpirtërore është e domosdoshme për arritjen e lumturisë dhe këtë e arrijnë vetëm besimtarët.

Një poet ka thënë:
Nëse një djalosh është musliman, ka ushqimin ditor
Shëndetin trupor dhe është i sigurtë
Ka zotëruar dhe sunduar dynjanë
E atëherë ai ka për detyrë të falenderojë Allahun, Dhuruesin e tij.
Shiko me vëmendje konfirmimin që i ka bërë profeti (a.s) për mjaftueshmërinë e përkrahësve të arritjes së lumturisë duke thënë: “Është tamam sikur ka poseduar të tërë dynjanë”.
Kjo ndodh, sepse kënaqësia e rrënjosur në zemrën e besimtarit i ka dhënë mundësi, që të fluturojë në atmosferën e lumturisë dhe i ka siguruar një jetë të qetë nga kjo begati që i është dhënë. Ndërsa të tjerët, të cilët orvaten të grumbullojnë sa më shumë prej të ardhurave të kësaj bote, apo të jenë lakmitarë për të kërkuar sa më shumë nga gërmadhat e saj, të gjitha këto nuk ia shtojnë lumturinë njeriut, sepse ajo është pamje e jashtme mashtruese, në të cilën njeriu gjen prehje për një çast dhe është i gëzuar, por shumë shpejt ai mërzitet prej saj dhe do të kërkojë tjetrën. Ai do ta shtojë dëshpërimin dhe merakun, nëse nuk e zotëron shtesën dhe nëse i jepet një luginë plot me ar do të shpresojë që të ketë një të dytë.

Një poet është shprehur bukur kur ka shkruajtur:
Sa të varfër i njohim të pasur në shpirt
Dhe sa të pasur i njohim të varfër në shpirt

Një poet tjetër është shprehur:
Thonë nuk ka nevojë për asgjë, por për Zotin pasuria
E lekëve është në ngopjen dhe mjaftueshmërinë.

Nga mëshira e Allahut për robërit e Tij është, se Ai e ka bërë burimin e lumturisë së tyre në thellësi të shpirtit, shumë afër tyre. Pasurinë e vërtetë e ka bërë në pasurinë e shpirtit dhe jo në pasurinë e madhe, sepse paraja vjen e ikën, zhduket dhe humbet. Nëse lumturia do të sigurohej në posedimin e një pasurie të madhe, atëherë sigurimi i saj do të ishte mjaft i vështirë. Për këtë arsye profeti a.s. ka thënë: “Nuk është i pasur ai që ka shumë mall, por i pasur është ai i cili është i pasur në shpirt”. [2]Gjithashtu ai ka thënë: “Ka shpëtuar ai, i cili ka besuar, rrizku ka qenë i mjaftueshëm për të dhe është i kënaqur me atë që i ka dhënë Allahu”.[3] Në një transmetim tjetër ka thënë: “Lum si ai që është udhëzuar në Islam, furnizimin e ka të mjaftueshëm dhe është i kënaqur”.[4]

Përfitimet e nxjerra nga hadithi:
1- Mirësia më e madhe është mirësia e Islamit dhe pasuria më e madhe është pasuria e shpirtit.
2- Lumturia sigurohet vetëm atëherë, kur ekziston kënaqësia dhe siguria shpirtërore, që është fryt prej fryteve të besimit, ashtu siç ka thënë Allahu i Lartësuar në Kur’an: “Ata të cilët kanë besuar dhe nuk e kanë veshur atë me padrejtësi, ata janë të sigurtë dhe të qetë”.[5] Ndërsa orvatja dhe përpjekja për të përfituar nga rrënojat e kësaj bote trashëgon fatkeqësi, merak dhe turbullim.
3- Domosdoshmëria e falenderimit të mirësisë, njohjes së vlerës dhe mospërbuzja e saj edhe nëse është e vogël në këndvështrimin e tij.
4- Shëndeti është kurorë e vendosur mbi kokat e të shëndoshëve. Njeri i lumtur është ai njeri, i cili shpejton që të shfrytëzojë shëndetin dhe zhdërvjelltësinë, përpara se të sëmuret apo të jetë i lodhur.
[1] Transmeton imam Tirmidhiu: 2346. hadithi është i saktë [2] Transmetojnë imam Buhariu: 6081 dhe imam Muslimi: 1051 [3] Transmeton imam Muslimi: 1054 [4] Transmeton imam Tirmidhiu: 2350 [5] Sure El En’am: 82

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit