Trashëgimia e lavdisë së dikurshme – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Para 36 vjetësh, shumë prej nesh u ngritën në protesta për të përmbysur regjimin e diktaturës komuniste, që sundohej nga “Partia e Punës”, e cila në kongresin e saj të dhjetë ndryshoi emrin në “Partia Socialiste”.

Ajo ishte një epokë heroike dhe e paharrueshme, që solli ndryshime të mëdha, të cilat një pjesë sot i marrin si të mirëqena. Ajo lëvizje, sigurisht, ishte pjesë e një procesi ndërkombëtar që përfshiu mbarë Evropën Lindore, por gjithsesi ai brez dhe ata njerëz që u përfshinë në të kanë çfarë t’u tregojnë brezave, si guximin, sakrificën dhe trimërinë e treguar në një kohë kur frika ishte ende mbizotëruese.

Lavdia e atyre ditëve për pjesëmarrësit në ato ngjarje u shpërblye mirë më pas, për një pjesë të tyre: me poste, status social, pasuri dhe të mira materiale që solli ndryshimi i sistemit. Ndërsa të tjerë vazhduan jetën pa ndonjë privilegj të veçantë, shpesh edhe të zhgënjyer, por jo të penduar për atë që bënë.

Jo pak nga krerët e politikës së sotme, nga të dy krahët, kanë qenë pjesë e asaj lëvizjeje, kush më shumë e kush më pak. Dhe pikërisht mbi këtë trashëgimi heroike të dikurshme ata mbështesin ende sot një pjesë të mirë të legjitimitetit të tyre moral në politikë.

Por heronjtë e suksesshëm të betejave të së djeshmes mund të jenë dështimi i së sotmes.

Britania e Madhe, gjatë Luftës së Dytë Botërore, pati për kryeministër Winston Churchill-in, një njeri që u kthye në legjendë, jo vetëm për fjalimet e tij patriotike, por mbi të gjitha për organizimin e luftës dhe fitoren mbi nazifashizmin. Megjithatë, edhe pse britanikët e admironin Churchill-in pa masë si udhëheqës të shkëlqyer lufte, ata e panë si njeriun e gabuar për të udhëhequr vendin në kohë paqeje, ndaj dhe ai humbi zgjedhjet e vitit 1945.

Nuk besoj se ka ndonjë shqiptar që mund ta krahasojë atë që bëri Churchill-i me veten dhe “heroizmat” e tij në vitin 1990, sepse nuk ka të krahasuar. E megjithatë, shumë prej këtyre njerëzve dhe ithtarëve të tyre vazhdojnë të jetojnë me nostalgji këtë trashëgimi morale, duke i dhënë ende të drejtë vetes të jenë në pushtet, sikur merita e dikurshme të jetë një mandat i përjetshëm.

Legjitimiteti moral i dikurshëm nuk është pronë e përjetshme, as medalje që të mbron deri në fund të jetës nga gjykimi i kohës, i njerëzve dhe i dështimeve të tua. Një betejë e fituar dje nuk të jep të drejtën të humbësh çdo betejë sot dhe të vazhdosh të kërkosh mirënjohje. Kush ka qenë dikur në anën e drejtë të historisë, nuk është i destinuar të mbetet përgjithmonë aty, nëse sot bëhet pengesë për drejtësinë, lirinë dhe mirëqeverisjen.

Lavdia e së shkuarës meriton respekt, por jo nënshtrim. Ajo mund të jetë nder për kujtesën, por nuk mund të kthehet në licencë të përjetshme për pushtet. Sepse pushteti nuk fitohet një herë e përgjithmonë me meritat e djeshme; ai duhet merituar çdo ditë me shërbim, drejtësi, ndershmëri dhe përgjegjësi. Dhe kur këto mungojnë, asnjë lavdi e dikurshme nuk mjafton për të mbuluar dështimin e sotëm.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit