9.2 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Frytet e namazit të falur me përkushtim

Më të lexuarat

By: ardhmeriaonline

Othman inbu Af fan (r.a) ka thënë: Profeti (a.s) ka thënë:
“Çdo musliman që bëhet gati për të falur namazin farz, nëse merr abdes në formën më të mirë, përkushtohet në namaz e në ruku,[1]atij i shlyen të gjitha mëkatet e mëparshme gjatë gjithë kohës përveç mëkateve të mëdha”.
 
Dritë mbi kuptimin e hadithit:
Në këtë hadith profetik ka një përgëzim të madh për besimtarët, pasi Allahu i Lartësuar përfshin në faljen e Tij ata, të cilët janë të kujdesshëm ndaj namazit, duke e falur atë me kushtet e duhura dhe me përkushtim. Përveç këtij hadithi, ka hadithe të tjera profetikë, që flasin për këtë temë, si hadithi që transmeton Ebu Hurejra, se profeti (a.s) ka thënë: “Pesë namazet dhe xhumaja nga xhumaja janë shlyerje mëkatesh ndërmjet tyre, nëse nuk bën mëkate të mëdha”.[2]
Nëse ti o vëlla musliman largohesh nga gjynahet e mëdha, nëse e zbaton me përpikmëri faljen e namazit farz duke i plotësuar kushtet dhe duke u falur me përkushtim, atëherë e ke fituar mëshirën, mirësinë dhe faljen e Allahut. Nuk ka dyshim se namazi është lidhja ndërmjet njeriut dhe Zotit. Kur njeriu fal namazin, ai i drejtohet Zotit. Kështu atij i del si detyrë se si t’i drejtohet Atij. Kënaqësinë e të folurit me Allahun e ndjen vetëm ai, që e ka shijuar ëmbëlsinë e besimit dhe përkushtohet në namaz, sepse namazi që falet me përkushtim është namazi i dobishëm.
Medito bashkë me mua përgëzimin hyjnor për ata, të cilët në faljen e pesë namazeve janë të kujdesshëm. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ata të cilët ndaj faljes së namazit janë të kujdesshëm janë në xhenete dhe të nderuar”.[3]
Fjala kujdes ndaj namazit ka për qëllim pikat e mëposhtme:
1- Kryerja e namazit në formën e plotë duke plotësuar kushtet dhe shtyllat e tij. Zbatimi me përpikmëri i rregullave të tij duke patur parasysh plotësimin e pastërtisë dhe të abdesit.
2- Kryejra e namazeve në kohën e duhur pa u vonuar, neglizhuar apo pa përtuar.
3- Përkushtimi, meditimi dhe prezenca e zemrës.
Shumë njerëz e kanë humbur përkushtimin në namaz, derisa janë bërë trupa pa shpirt, saqë ka prej atyre, që nuk e dinë nëse kanë falur tre apo katër rekate? Madje ka prej atyre, që gjatë namazit çukisin ashtu siç çuket gjeli. Për këta njerz duket sikur falja e namazit është një barrë e rëndë dhe ata mundohen të shpëtojnë patjetër prej tij.
Një tjetër nuk e ka shumë problem, kur ndonjëri prej namazeve i kalon koha dhe nuk është falur, por ai dëshpërohet dhe merakoset shumë kur i humb ndonjë rast që ka një përfitim material apo punë të kësaj bote. Kjo vjen si rrjedhojë e besimit të dobët, mbizotërimit të dëshirave dhe dëgjimit të kërkesave të shejtanit.
Si mund të shpresojë dikush sukses dhe shpëtim, kur nga ana tjetër neglizhon ndaj faljes së namazit, nuk i kryen obligimet që ia ka caktuar [4]Allahu, apo tregohet tolerant ndaj kryerjes së namazit në formën e plotë?!
Muslimani shpëton vetëm atëherë, kur ai është i përqëndruar në faljen e namazit, ashtu siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “Është e sigurtë se besimtarët kanë shpëtuar, të cilët gjatë faljes së namazit janë të përulur dhe të kujdesshëm”.
Frytet e namazit, që janë qetësia shpirtërore, shlyerja e mëkateve dhe gjynaheve arrihen vetëm atëherë, kur muslimani është i përkushtuar me gjithë zemër në namaz. Për këtë arsye Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kërkoni ndihmë me durim dhe namaz. Vërtetë ajo është e madhe, por jo për ata që e kanë frikë Zotin”.[5]
Prandaj vëlla i nderuar musliman, përpiqu që të jesh sa më i përqendruar në faljen e namazit. Kryerje atë në formën e duhur, mënjano idetë e ndryshme që të vijnë në kokë, largo çdo gjë që ta largon mendjen nga namazi si zërat apo vështrimet, përqendroje shikimin në një vend dhe mos lëviz shumë. Më e rëndësishmja e të gjitha këtyre është shërimi i zemrës, pastrimi i saj nga gjynahet e mëkatet dhe mbizotërimi ndaj pasionit të epsheve. Zemra është si puna e enës dhe varet se me çfarë është mbushur. Për atë zemrër, që është e zënë me dashurinë e dynjasë dhe interesimin pas punëve të saj, nuk mund të pretendohet që të ketë përkushtimin e kërkuar, sepse dhënia rëndësi e gjërave të tjera e largon atë nga përkushtimi dhe ia largon mendjen. Për këtë arsye profeti (a.s) ka thënë: “Në trup ka një copë mishi, nëse ajo rregullohet atëherë i gjithë trupi rregullohet e nëse prishet, atëherë i gjithë trupi prishet. Ajo copë mishi është zemra”.[6]
Atëherë nuk na ngelet gjë tjetër, vetëm se t`i japim rëndësi faljes së namazit, përqendrimit në të, të meditojmë në domethënien e ajeteve uranore, që lexohen gjatë namazit, të kemi shumë kujdes nga ashpërsia e zemrës dhe neglizhenca e tepërt, sepse ajo është një sëmundje shkatërruese. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “A nuk ka ardhur koha që zemrat e atyre që besuan të zbuten me këshillat dhe me atë të vërtetë që zbriti, e të mos bëhen si ata të cilëve u është dhënë libri më parë , koha zgjati e zemrat e tyre u shtangën e shumë prej tyre janë jashtë rruge”.[7]
Abdullah ibnu Shuhejri na e ka përshkruar namazin e profetit (a.s), duke thënë: “E kam parë profetin a.s. të falej e në kraharorin e tij kishte një farë gumëzhitje si gumëzhitja e mullirit”.
Kur e pyetën Hatem El Esam për mënyrën se si falej është përgjigjur duke thënë: “Kur vjen koha e namazit marr abdes duke i plotësuar rregullat e tij, pastaj shkoj në vendin ku do të falem, ulem derisa përqendrohem. Qaben e kam përpara syve, urën e Siratit poshtë këmbëve, xhenetin nga e djathta, zjarrin nga e majta, melekun e vdekjes prapa dhe mendoj se ky është namazi i fundit që do të fal. Pastaj jetoj mes shpresës dhe frikës, jap tekbir duke i dhënë hakun e tij, e lexoj Kuranin me rregulla, bie në ruku me modesti dhe përqendrohem kur bëj sexhde”.[8]
 
Përfundimet e nxjerra nga hadithi:
1- Rëndësia e madhe që ka namazi në fenë islame. Domosdoshmëria e kujdesit që duhet pasur, për ta falur namazin në kohën e caktuar dhe me përpikmëri, si dhe kryerja e tij në formën më të bukur.
2- Rëndësia e marrjes së abdesit në mënyrë të plotë dhe kujdesi nga mosmarrja e plotë e tij.
3- Namazi është trup dhe shpirt. Përkushtimi është shpirti i namazit. Muslimani duhet të përpiqet, që të ketë përkushtimin e duhur dhe të shërojë sëmundjet e zemrës, në mënyrë që të shijojë ëmbëlsinë e besimit dhe të ndjejë kënaqësinë e lutjes në namaz.
4- Namazi i falur me përulësi dhe përqendrim është namazi i dobishëm, me të cilin muslimani fiton mëshirën e Zotit, i falen mëkatet dhe shpëton në jetën e kësaj bote dhe të botës tjetër.
5- Mëkatet e mëdha shlyen vetëm me pendesën e sinqertë, pra ato nuk mund të shlyen me namaze.
[1] Transmeton imam Muslimi: 228 [2] Transmeton imam Muslimi: 233 [3] Sure El Mearixh: 34-35 [4] Sure El Mu’minun: 1-2 [5] Sure El Bekare: 45 [6] transmeton imam Muslimi: 1599 [7] Sure El Hadid: 16 [8] Marrë nga libri “Ihja Ulumid-din”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit