Lufta e Gazës – Ditare dhe vëzhgime (Fëmijët e Gazës… Mjerë populli që ju tradhtoi)

Më të lexuarat

Doktoresha Alaa El-Nexhar (mjeke pediatre) doli me burrin e saj, i cili po e shoqëronte në spitalin “Naser”, ku ajo punon. Pasi e la atje, u kthye në shtëpi për të kujdesur për dhjetë fëmijët e tyre. Një raketë i goditi papritur, duke vrarë në çast nëntë prej tyre. I dhjeti mbijetoi me plagë, së bashku me babain, i cili ndodhet tani në kujdesin intensiv.

Kur lajmi arriti te nëna, ajo vrapoi nga spitali në shtëpi për të parë burrin dhe fëmijët. E gjeti shtëpinë e rrënuar mbi trupat e djegur të fëmijëve të saj, aq të shkrumbuar sa nuk dallohej më asnjë tipar. Burri dhe djali i mbijetuar po përpëliteshin në gjakun e tyre.

O Zot! Çfarë zemre mund ta durojë këtë?!
Fëmijë si trëndafila, disa prej të cilëve e dinin përmendësh Librin e Zotit, e mbushnin botën me jetë, gëzim dhe dritë… u rrëmbyen nga vdekja në një çast të vetëm.
Çfarë faji kishin këta engjëj të pastër që u vranë?!
Përse u morën kështu?!
Mallkuar qofshi, o tiranë! Mjerë ju ditën kur do të paraqiteni para Zotit dhe asgjë nuk do t’ju fshihet.

Prej një viti e tetë muajsh, vdekja korr pandalshëm njerëzit e Gazës, ndërsa ju nuk bëni më shumë se të lëshoni deklarata të ftohta dhe të vdekura, të mbani samite të turpshme dhe të poshtëruara.

Sikur të ishte vetëm kaq, do të ishte më e lehtë për t’u duruar. Por, shumë prej jush jo vetëm që nuk i ndihmojnë, por për më tepër ndihmojnë armikun. E gjithë bota i ka parë portet tuaja tokësore, detare e ajrore teksa furnizojnë armikun tonë me armë, ushqim dhe ujë, ndërkohë që ju nuk jeni në gjendje të futni as një kafshatë bukë apo një gllënjkë ujë për ata që i quani “vëllezërit” tuaj. Pasha Zotin, ata nuk janë as familja juaj, as vëllezërit tuaj!

A është kaq e rëndomtë për ju të shihni mijëra njerëz që përleshën për një copë bukë, që u hidhet sikur u hidhej kafshëve, nga uria e tmerrshme që i ka kapluar?!

A janë Kolumbia, Bolivia, Namibia, Brazili, Malta, Çadi, Afrika e Jugut, Maldivet, Spanja, Franca dhe Britania më afër nesh sesa ju, sa që ata ndërpresin marrëdhëniet, tërheqin ambasadorët, dorëzojnë padi dhe mbajnë protesta, ndërsa ju jeni të dehur pas festivaleve tuaja të shfrenuara dhe ahengjeve të turpshme?!

Ju vallëzoni mbi gjakun tonë dhe këndoni mbi plagët tona, pa frikë nga Zoti, pa burrëri e pa turp.
Kanale tuaja dhe programet tuaja i japin zë armikut, e mbrojnë atë, e ftojnë në studio, ndërkohë që na sulmojnë ne më shumë se vetë armiku.

Ne po ju kujtojmë – nëse ka ndonjë që kujton. Ne po ju këshillojmë – nëse ka ende ndonjë që merr këshillë. Ne po ju frikësojmë me Zotin dhe Ditën e Fundit.

Pasha Zotin, për këtë ka llogari, gjykim dhe ndëshkim, edhe nëse vonohet. Shpërblimi është nga lloji i veprës, dhe Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.

Dijetarët e kanë njëzëri se është mëkat për këdo që nuk ndihmon vëllezërit e tij kur është i aftë ta bëjë. Disa prej tyre kanë thënë se nëse për shkak të kësaj papërgjegjësie vritet ndonjë i pafajshëm, atëherë ai që ka munguar me qëllim duhet të vritet.

Ibn Hazm (Allahu e mëshiroftë) ka thënë në “El-Muhalla” (11/185):
“Çështja: Kush i kërkon ujë një populli dhe ata nuk ia japin derisa të vdesë… Nëse ata e dinin se ai nuk kishte tjetër burim uji veç atij që ishte tek ata dhe nuk mund ta arrinte vetë kurrsesi, atëherë ata e kanë vrarë me qëllim, dhe mbi ta bie dënimi – të mos u jepet ujë deri sa të vdesin, qofshin shumë apo pak. Nëse nuk e dinin dhe mendonin se ai mund ta gjente ujë diku tjetër, atëherë janë vrasës pa qëllim dhe mbi ta bie gjoba dhe kompensimi financiar.”

Dëshmia për këtë është fjala e Allahut:
{Ndihmojeni njëri-tjetrin në të mirën dhe devotshmërinë, dhe mos ndihmoni në mëkat dhe armiqësi} [el-Maideh: 2],
{Nëse dikush ju sulmon, atëherë sulmojeni në të njëjtën masë} [el-Bekare: 194],
{Shkeljet kërkojnë hakmarrje} [el-Bekare: 194].
Çdo mysliman në botë e di se nëse një njeri i kërkon ujë një tjetri dhe ai, duke qenë i aftë, nuk ia jep derisa të vdesë nga etja, atëherë ai është sulmues dhe duhet ndëshkuar me të njëjtën masë – me siguri dhe pa asnjë dyshim.

Dhe çdo njeri i arsyeshëm e di se ajo që po ndodh në vendin tonë është më e rëndë se ajo që përshkroi Ibn Hazmi: nuk është çështje e një të eturi apo një të urituri, por e një populli të tërë që po masakrohet me armë të tmerrshme, që është i rrethuar me çdo formë të mundshme të izolimit, dhe që mbi të po ushtrohet padrejtësi dhe tirani që dridhet toka dhe qielli.

Këto shtete dhe regjime janë të afta ta shpëtojnë këtë popull të pafajshëm nga uria dhe vdekja, por i ndal frika, frika apo tradhtia. Dhe për këtë nuk kanë asnjë justifikim apo arsyetim para Allahut.

Allahu është Ai që do të gjykojë. Atij i ankohemi. Ai na mjafton dhe është mbrojtësi më i mirë.

– Bessam ibën Halil el-Safedi
E diel, 27 Dhu’l-Ka’da 1446

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit