Ngjarja e Imam Abdullah ibën Mubarekut në fushën e betejës

Më të lexuarat

Abdullah ibën Mubarek

El-Mervezi ka thënë:

Ishim në një ekspeditë ushtarake së bashku me Abdullah ibën Mubarekun në tokat e Bizantit. Kur u përballën dy ushtritë, nga radhët e armikut doli një luftëtar romak, trupmadh dhe i pajisur me një armë të rëndë. Ai thërriste për dyluftim duke thënë:

“A ka ndonjë që del në duel me mua?”

Një musliman doli përballë tij, por romaku e vrau. Pastaj doli një i dytë dhe e vrau edhe atë. Më pas një i tretë… derisa vrau gjashtë muslimanë.

Pastaj muslimanët u tërhoqën dhe askush nuk guxonte të dilte për ta përballuar. Ai vazhdonte të sillej mes dy ushtrive duke thirrur:

“A ka ndonjë luftëtar që del kundër meje?”

Atëherë, nga radhët e muslimanëve doli një burrë me fytyrën e mbuluar dhe i tha:

“Unë jam për ty!”

Ata luftuan për një kohë, derisa muslimani e goditi romakun me shtizë dhe e vrau.

Më pas, luftëtari i mbuluar u ndal përballë radhëve të romakëve, duke tundur shpatën e tij dhe tha:

“Kush del të luftojë me mua?”

Një romak doli dhe ai e vrau. Pastaj doli një i dytë dhe e vrau. Më pas një i tretë… derisa vrau gjashtë romakë.

Pastaj tha:

“Kush del për dyluftim?”

Por këtë herë askush nga romakët nuk guxoi të dilte përballë tij.

Më pas ai u kthye dhe u fut sërish në radhët e muslimanëve. Lufta vazhdoi mes të dy ushtrive.

El-Mervezi thotë:

“Vazhdova ta vëzhgoja derisa të zbuloja se kush ishte ky luftëtar me fytyrë të mbuluar. U afrova, ia kapa skajin e mbulesës dhe ia zbulova fytyrën. Kur pashë, ai ishte Abdullah ibën Mubareku, dijetari i madh!”

Ubejd ibën Sinan ka thënë:

“Ai merrte pjesë në beteja dhe tregonte trimëri të jashtëzakonshme. Por kur vinte koha e ndarjes së plaçkës së luftës, largohej. Dikush e pyeti për këtë, ndërsa ai u përgjigj:

‘Më njeh Ai për të Cilin luftoj.’”

Një vështrim mbi personalitetin e tij

Abdullah ibën Mubareku ishte imami i kohës së tij dhe një prej imamëve të mëdhenj të brezave të parë të muslimanëve (selefëve). Tek ai u bashkuan dija dhe xhihadi. Edhe kur ndodhej në kufijtë e mbrojtjes dhe në fushat e betejës, nuk e linte mënjanë mësimin e njerëzve. Sa herë që arrinte në një vendroje kufitare, muxhahidët mblidheshin rreth tij për të mësuar dije, për të shkruar hadithe prej tij dhe, njëkohësisht, për të mësuar prej tij trimërinë dhe guximin.

Burimet:

* Mir’ât el-Xhinan – cituar nga Ibn Sa’d.
* Tarikh Bagdad – nga El-Hatib el-Bagdadi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit