Ndriçimi apo iluminimi në thelb dhe në origjinë është term fetar, që lidhet me dritën që karakterizon mesazhin që vjen nga Zoti, qoftë kjo e parë në trajtë fizike, qoftë kjo si metaforë shpirtërore për ndriçimin e shpirtit nga errësira e injorancës që e karakterizon njeriun. Zoti është dritë (jo në kuptimin e qenies së Tij, e paperceptueshme nga krijesat), shpallja e Tij është dritë, krijesat më të afërta me Të, engjëjt, janë krijuar nga drita dhe përçues të dritës së Tij, njerëzit që mbartin mesazhin e Zotit janë të përndriturit dhe dritë për pjesën tjetër të njerëzimit.
Ndërkohë duke “vjedhur” pikërisht këtë term rrënjësisht fetar, moderniteti dhe pjellat e tij, e përshkruan veten se ishin ata të iluminuarit, sepse qenë ata që e “nxorën” botën nga errësirat e padijes materialiste në dritën e shkencës bashkëkohore. Por përvetësuesit e termit nuk u ndalën me kaq, ata çdo ndryshim social, kulturor, ideologjik dhe botëkuptimor, që përmbyste normat tradicionale me të cilat njerëzimi ka jetuar për mijëra vjet, i quajtën iluministe.
Dhe ja tek jemi sot, në kohën më ekstreme, ndoshta, të përmbysjes së vlerave dhe virtyteve njerëzore, ku pranimi i të ashtuquajturës përkatësi e shumëfishtë gjinore, jobinar apo të qenit homo, trans dhe një mori të tjera emërtimesh dhe identitetesh gjinore e seksuale të çuditshme, quhet ilumizëm, përparim, zhvillim dhe demokraci!
Në fakt asgjë e re në betejën e gjatë të djallit për t’i zhytur njerëzit në errësirën e pafesisë. “Imitimi” i Zotit ka qenë përherë prirje e atyre që duan ta “zëvendësojnë” Atë me veten. Qysh herët në kulturën e krishterë perëndimore shejtani është emërtuar ironikisht si Lucifer (dritësjellës).
Hoxhë Dr. Justinian Topulli
