11.5 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Logjikë e gabuar në trajtimin e problemeve të BIK-ut

Më të lexuarat

Sedat Islami

Thellësisht jam ndier keq kur kam parë reagimet e disa ish-profesorëve të mi, ish-kolegëve dhe kolegëve, të cilët, duke u inspiruar nga protesta shumë kundërthënëse, e politizuar tejmase dhe e keqpërdorur deri në palcë, e studentëve të UP-së, ngritën zërin edhe për keqpërdorimet e ngjashme në BIK. Thënë të drejtën, ajo që nuk më pëlqente këtu kishte të bëjë me logjikën dhe formën se si kërkohej trajtimi i këtij problemi, ndryshe, verifikimi i titujve dhe gradave shkencore nuk është çështje rreth të cilës sillet ideologji e caktuar se duhet bërë apo jo. Dhe këtu nuk duhet të përjashtohet askush, madje as ata që kërkojnë të bëhen verifikimet. Kjo çështje është edhe fetare, madje më shumë se sa administrative. Vetëm se e keqja qëndron në atë se kur problemeve iu jepet një ngjyrë e caktuar, politike, klani, grupi, partie, e pastaj, ato edhe pse janë nevojë dhe të domosdoshme për tu diskutuar, ngelin vetëm zhurmë. Njerëzit duan zgjidhje të pangjyrë. Zgjidhje për ata. Kështu janë dhe imamët dhe punëtorët e BI-së. Janë alergjikë kur në zgjidhje shohin ndonjë ngjyrë ose nuhasin ndonjë erë. Janë edhe skeptikë për ndryshime kur propaganduesit e ndryshimeve iu shfaqen me ngjyra.

Do të doja kalimthi të hedh në diskutim tri teza pse nismat tona për ndryshime, reforma, zhvillim, nuk po kanë sukses.

1) Tëhuajësimi i metodës diskutuese

Islami është feja, e cila ka si tipar dallues shumulijjetin ose gjithëpërfshirjen e problemeve. Nuk ka problem, që në një apo formë tjetër, nuk ka një zgjidhje. Në këtë kontekst, edhe problemet e brendshme të muslimanëve, kanë zgjidhje. Defekti tek ne qëndron se kemi përvetësuar forma dhe metoda tjera të zgjidhjes së problemeve. Të merren protestat si shkas dhe të bëhet thirrje për ngritje edhe kundër hierarkisë së BIK-ut, kjo është injorancë e skajshme. Të merret model sistemi debatues i kohës e të dalim kundër njëri tjetrit me sharje, fyerje, shpifje..As kjo nuk na shkon shtati. Ne nuk i shndërrojmë problemet tona në fushata elektorale.

2) Ndryshimet me mentalitet shkatarraqësh, jo revolucionarësh

Problemet tona janë fe ndërsa feja nuk është politikë. Është vizion mediokrish ai që parasheh zgjidhjen e problemeve në formë të dhunshme. Pasojat do të ishin të paparashikueshme. Mendoja rreth këtyre thirrjeve për të zgjidhë problemet brenda BIK-ut me protesta çfarë tragjedie do të sillnin! Sa intriguesi e mashtruesi do të infiltrohej në to, sa partizanë të shumtë të “islamit tradicional” do të shfaqeshin si përkrahës, të cilët do të gjenin kohën më të përshtatshme të shfrynin mllefin ndaj fesë dhe objekteve fetare.

3) Aspiratat klanore

Më bëri përshtypje lajmi se në BIK paskësh kohë që kërkesa për verifikim të diplomave qenka dorëzuar. Isha kureshtar ta di se kush e ka bërë këtë ngase unë së bashku me disa hoxhallarë e kemi ngritur zërin shumë herë që të bëhet verifikimi, sidomos tash kur është rritur numri i të diplomuarve në shkencat fetare. Por, habia ime ishte se të gjithë të nënshkruarit në kërkesën e drejtuar BIK-ut për verifikim diplomash ishin ata që sot njihen si opozitë. Nuk do t’i paragjykoj, që të mos më paragjykojnë, por kuptohej sikur kërkesa kishte një ngjyrë, sidomos kur ajo është përdorur edhe si pjesë e fushatës për zgjedhjen e myftiut të Republikës së Kosovës.
Personalisht kam bindjen se megjithëqë qasjet na kanë ndarë në taborre, qëllimet duhet të jenë ato që na bashkojnë. BIK-u është shtëpi më e madhe se sa të zë disa dhe t’i largoj të tjerët. Le të ofrojmë vizionet tona për ndryshime në dobi të BIK-ut. Le ta bëjmë këtë vetëm në emër të fesë dhe për interes të BIK-ut. Suksesi i BIK-ut nuk është individual. E kemi shtëpi, kushdo që kontribuon për të, ka kontribuar edhe për ne.

Dhe krejt në fund, këto janë vetëm thirrje vëllazërore dhe kolegiale. Iu lutem, pranoni për të këtilla!/sedatislami/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit