Largohu nga ajo që nuk ka rëndësi…

Më të lexuarat

Gjithmonë në Ramazan përpiqemi të flasim për gjërat që duhet të bëjmë: agjërimin, namazin, faljen e natës, sadakanë dhe lidhjet familjare. Por çfarë ndodh me angazhimin në gjëra të kota? Me orët që humbasin në debate pa dobi, ose në ndjekjen e gjërave që nuk na afrojnë me Allahun dhe nuk na ngritin vlerën?

Ndoshta gjëja më e rrezikshme që na vjedh kohën sot është telefoni. E marrim për disa minuta dhe papritur shohim se ka kaluar një orë.

Kalojmë nga një aplikacion në tjetrin pa qëllim, shohim video pa fund, zhytemi në lajme që nuk na përkasin dhe e harxhojmë jetën duke rrëshqitur nëpër ekrane.

Ramazani nuk është sezon për t’u zhytur në programe e seriale deri në agim, as garë për të ndjekur çdo gjë të re, as mundësi për të mbushur netët me argëtim të zbrazët. Ai është një muaj që synon të na zgjojë ndërgjegjen, jo të na mbytë në shpërqendrim.

Sa herë është shtyrë një hatme e Kuranit për shkak të një njoftimi të rastësishëm?
Sa lutje është ndërprerë për shkak të një mesazhi?
Sa çaste përulësie janë humbur sepse telefoni ishte më afër nesh se Mushafi?

Bëje telefonin mjet, jo qëllim. Përdore për atë që të sjell dobi, jo për atë që të shteron. Sepse minutat e Ramazanit janë shumë të çmuara për t’u shpërdoruar, dhe zemrat janë shumë të ndjeshme për t’u rënduar me zhurmën e ekraneve.

Largohu nga ajo që nuk ka rëndësi…
që shpirti yt të lehtësohet, zemra jote të pastrohet dhe ditët e tua të bekohen. Koha që kemi në këtë muaj është amanet, prandaj mos e bëj pjesën më të madhe ekran dhe pjesën më të vogël adhurim.

 

Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit