Termi dhe fjala “laik”, duam s’duam, është e lidhur ngushtë me modelin francez të shekullarizmit, që është shumë më rigoroz dhe shpeshherë përjashtues, duke ndaluar apo kufizuar madje dhe simbolet fetare në institucione publike (p.sh. në shkolla).
Në kushtetutën e Shqipërisë është shmangur kjo fjalë, pikërisht për të mos u identifikuar me këtë model specifik të laicizmit francez, apo të ngjashëm, që është kritikuar për mospërfshirje të fesë në hapësirën publike. Në kushtetutën e Shqipërisë është përzgjedhur një formulim i atillë që është më përfshirës dhe neutral, e që i lejon fesë të jetë pjesë e jetës publike, por pa qenë pjesë zyrtare e shtetit.
Përveç kësaj fjala “laik” ka një jehonë negative nga e kaluara represive komuniste ateiste ndaj fesë, dhe mbart një kuptim dogmatik antifetar, për shumë njerëz. Shpesh, në gjuhën e përditshme, e ndonjëherë edhe në ndonjë ligjërim politik, termi “laik” ngatërrohet me ateizmin shtetëror.
Kështu që shmangia e fjalës “laik” ka qenë e qëllimshme, për të siguruar qytetarët shqiptarë se shteti nuk është kundër fesë, por është ruajtur thelbi dhe përmbajta e konceptit.
Kushtetuta e Shqipërisë, për sa i përket lirisë dhe të drejtës së ushtrimit të besimit fetar mbart frymën e shekullarizmit anglo-sakson, që është më tolerant ndaj fesë dhe jo të laicizmit francez, apo të ngjashëm me të, që janë më shtrëngues ndaj lirisë së ushtrimit të besimit.
Kushtetuta e Shqipërisë, e sotme që kemi në fuqi, miratuar me referendum në 1998, përmend që në hyrje të saj Zotin duke thënë:
“Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare,…”
Ndërsa kushtetuta komuniste e 1976, që në hyrje të saj ngre lart antifetarizmin e saj duke thënë:
“U shembën bazat e obskurantizmit fetar. Figura morale e njeriut
punonjës, ndërgjegjja dhe botëkuptimi i tij formohen në bazë të ideologjisë proletare, e cila është ideologjia sunduese.”
Dhe në nenin 3 përcakton se “Në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë ideologjia sunduese është marksizëm-leninizmi. Në bazë të parimeve të tij zhvillohet gjithë rendi shoqëror socialist.”
Ndërsa fjala “laik” përmendej në këtë kushtetutë vetëm një herë, në nenin 33, për të përshkruar karakterin laik të arsimit shqiptar. E pasuar kjo nga neni 37, ku shteti komunist nuk njihte asnjë fe dhe përkrahte e zhvillonte propagandën ateiste për të rrënjosur te njerëzit botëkuptimin materialist shkencor. Dhe i gjithë ky antifetarizëm, përmbyllej me nenin famëkeq 55 të kësaj kushtetute, që ndalonte krijimin e çfarëdo organizate me karakter fetar.
Kështu që politikanët tanë, që mbartin një trashëgimi antifetare arsimore në formimin e tyre intelektual, duhet t’i kenë parasysh këto koncepte dhe formulime juridike, para se t’i përdorin ato vend e pavend, për të kufizuar të drejtat dhe lirinë e ushtrimit të fesë, që garanton kushtetuta e këtij vendi.
hoxhë Dr. Justinian Topulli
