Pas Hormuzit, Teherani përgatit mbylljen e Detit të Kuq
Zinxhiri global i energjisë duket se po përballet me një kërcënim të ri – pas zhvillimeve në Ngushticën e Hormuzit – pasi Irani thuhet se u ka kërkuar Huthive të Jemenit të jenë të gatshëm të mbyllin korridorin e transportit detar të naftës në Detin e Kuq në rast se Shtetet e Bashkuara sulmojnë infrastrukturën energjetike iraniane, thanë tre burime për Reuters të enjten.
Ideja është diskutuar brenda udhëheqjes së Teheranit dhe mesazhi tashmë u është përcjellë Huthive, thanë aleatë të ngushtë të Iranit, dy burime të larta iraniane dhe një burim rajonal me njohuri për çështjen, duke folur në kushte anonimiteti.
Sipas burimeve, Huthitw u informuan së fundmi për kërkesën e Teheranit, e cila nuk ishte raportuar deri më tani. Megjithatë, ata nuk dhanë detaje të mëtejshme se si u dërgua mesazhi, as nuk sqaruan nëse ai erdhi pas kërcënimit të Donald Trump të martën për të sulmuar infrastrukturën energjetike të Iranit.
Një burim pranë lëvizjes Huthi tha se grupi ka përfunduar përgatitjet për sulme kundër anijeve duke vendosur raketa dhe dronë pranë Ngushticës Bab el-Mandab – porta për në Detin e Kuq – në malësitë e Jemenit me pamje nga Hodeida dhe Gjiri i Adenit, dhe tani është duke pritur urdhra për të nisur operacionet.
Çdo kërcënim për Detin e Kuq dhe Ngushticën Bab el-Mandab rrezikon të përkeqësojë në mënyrë dramatike krizën globale të energjisë të shkaktuar nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, duke nënvizuar rreziqet shpërthyese të një raundi të ri konflikti ushtarak.
Me Ngushticën e Hormuzit tashmë të mbyllur, çdo sulm i Huthive ndaj anijeve ose porteve të Detit të Kuq do të shkaktonte një ndërprerje të njëkohshme të të dy rrugëve kryesore të eksportit të naftës në Lindjen e Mesme, duke hapur një front të ri si në krizën e energjisë ashtu edhe në konfliktin më të gjerë të Iranit me Shtetet e Bashkuara.
I njëjti burim shtoi se përfaqësuesit e Korpusit të Gardës Revolucionare, tashmë në Jemen, do të mbikëqyrin vendimin se kur do të mbyllet Ngushtica Bab el-Mandab.
Në një shenjë të përshkallëzimit të tensioneve në rajon, Huthitë qëlluan raketa në Arabinë Saudite, duke akuzuar mbretërinë për bombardimin e një aeroporti nën kontrollin e tyre të hënën. Ky veprim theu një armëpushim katërvjeçar në konfliktin midis Riadit dhe grupit.
Torbjorn Soltvend, analisti kryesor i Lindjes së Mesme në firmën e analizës së riskut Verisk Maplecroft, tha se tensioni i ripërtërirë midis Huthive dhe Arabisë Saudite vjen në një kohë veçanërisht të keqe. “Nëse luftimet intensifikohen dhe përhapen në infrastrukturën e eksportit dhe transportin detar në Detin e Kuq, e vetmja rrugë alternative kryesore për eksportet e naftës nga rajoni do të kërcënohet”, tha Soltvend.
Dy burime rajonale pranë Riadit thanë se mbretëria po i merrte shumë seriozisht kërcënimet nga Irani dhe Huthitë, duke shtuar se Arabia Saudite ishte në dijeni se grupi jemenas tani po koordinohej ngushtë me Iranin në rajonin e Detit të Kuq.
Konflikti filloi më 28 shkurt, kur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara sulmuan Iranin, duke e shtyrë Teheranin të mbyllte Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalonin rreth një e pesta e furnizimeve të energjisë në botë para luftës. Tensionet janë përshkallëzuar më tej që kur një armëpushim i brishtë i qershorit midis Teheranit dhe Uashingtonit u prish, duke ringjallur frikën e një lufte në shkallë të plotë.
Që atëherë, një sasi e konsiderueshme e naftës së Gjirit është devijuar në Detin e Kuq nëpërmjet një tubacioni saudit, me rrugën ujore që tani mban rreth 7% të furnizimeve të energjisë në botë.
Kur Huthitë sulmuan anijet tregtare gjatë luftës në Gaza, kompanitë kryesore të transportit detar u detyruan të ridrejtonin ngarkesat e tyre nëpërmjet rrugës shumë më të gjatë dhe më të shtrenjtë përreth Afrikës. Duke pasur parasysh se vetë Arabia Saudite ka devijuar 70% të eksporteve të saj të energjisë nëpërmjet portit Yanbu të Detit të Kuq, çdo sulm i drejtpërdrejtë atje do të shkaktonte një problem të madh për tregjet e naftës.
Një nga burimet rajonale tha se udhëheqja iraniane po kërkon të ushtrojë presion mbi Shtetet e Bashkuara duke rritur koston e mundshme për ekonominë globale. Kërcënimi për transportin detar në Detin e Kuq dhe rrjedhën e eksporteve saudite është, sipas burimit, pjesë e “mentalitetit iranian”.
Mbyllja e ngushticave nuk do të jetë e vështirë, shtoi i njëjti burim, duke vënë në dukje se “kushdo që ka armë mund të prishë transportin detar. Nuk keni nevojë për raketa të sofistikuara për ta bërë këtë”.
