10 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Kur fëmija ha dhe`

Më të lexuarat

Kur fëmija ha dhe`

Kemi dëgjuar shpesh për fëmijë që kanë dëshirë të hanë baltë, rërë, flokë, rroba etj, ndoshta edhe ne mund të kemi qenë një ndër këto fëmijë. Çdo kush do e interpretonte në forma të ndryshme arsyen përse ndodh kjo, por në të vërtet ky fenomen shkencërisht njihet si ‘Çrregullimi Pica’. Fjala Pica është fjalë latine për laraskën, zog ky i njohur për oreks të madh dhe pa dallim. Ky çrregullim përfshin 10% – 30% të fëmijëve të moshave 1-6 vjeç, të cilët karakterizohen nga dëshira të pakontrolluara dhe këmbëngulëse për të ngrënë gjëra jo të ngrënshme. Fillimi i picës është rreth moshës 12-24 muaj dhe pas kësaj moshe gradualisht fillon të zhduket si sjellje. Nëse sjellja vazhdon akoma ndërkohë që fëmija rritet atëherë mund ta konsiderojmë një çrregullim të mundshëm. Pica haset më së tepërmi tek personat me probleme mendore, tek gratë shtatzëna dhe tek fëmijët 2-3 vjeçar.
Edhe pse konsumimi i disa gjërave të caktuara mund të jetë i padëmshëm, pica është konsideruar si një çrregullim serioz i të ngrënit që mund të rezultojë edhe në probleme serioze shëndetësore si helmime apo anemi ferrodeficitare (anemi e shkaktuar nga mungesa e hekurit).
Jo për çdo fëmijë që ka dëshirë ngrënien e baltës apo gjërave të tjera jo të ngrënshme, mund të themi se ka çrregullimin pica. Tek fëmijët ky nuk është një fenomen shqetësues, vetëm nëse ndodh rregullisht për një muaj ose më gjatë. 
Sipas studimeve të ndryshme janë ndërtuar shumë teori mbi arsyen e këtij çrregullimi, por shkaqet specifike janë ende të panjohura. Ndër disa shkaqe të pranueshme mund të përmendim:
–          Defiçenca ushqyese. P.sh., nevoja për të marrë substanca tokësore (rëra, balta) lidhet me defiçencat për zink dhe hekur.
–          Probleme të zhvillimit, si, vonesa mendore, autizmi, çrregullime të tjera të zhvillimit ose anomali të trurit.
–          Reagim ndaj stresit apo presioneve që fëmija përjeton.
–          Mekanizëm kompensues nëpërmjet të cilit fëmija kënaq nevojat e tij orale, pasi gjatë stadit oral fëmijët kanë instinktin e futjes së gjërave në gojë.
Në rastet kur pica ndodh brenda normave të zhvillimit të fëmijës, prindërit e kanë më të lehtë të ndërhynë në shmangien e kësaj sjelljeje. Nëse pica ndodh si reagim ndaj stresit, prindërit duhet të mundohen të kuptojnë dhe të shmangin faktorët e stresit e ta ndihmojnë fëmijën ta çlirojë stresin në forma të tjera, një prej të cilave do të ishte të luash me të. Kur pica ndodh si mekanizëm kompensues i kënaqësive orale të fëmijës, atëherë mundohuni t’i ofroni fëmijës alternativa të tjera si biberonin në rastin e foshnjave, apo diçka tjetër të padëmshme që fëmija mund ta mbajë në gojë.
Nëse shqetësimi vjen duke u rritur atëherë duhet të drejtoheni tek mjeku për të parë nëse fëmija ka defiçenca ushqyese të cilat mund t’i marrë nëpërmjet medikamenteve, ose tek psikologu i cili nëpërmjet teknikave të sjelljes, do t’ju ndihmojë të zhdukni sjelljen e padëshiruar të fëmijës.         
Suada Hajredinaj

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit