30.6 C
Pristina
Monday, June 17, 2024

Kryengritësit Rohingya shpallin armëpushim me qëllim të shpërndarjes së ndihmës humanitare

Më të lexuarat

Ushtria Çlirimtare e Rohingyave të Arakanit (ARSA) ka deklaruar se armëpushimi njëmujor hyn në fuqi që sot

DHAKA (AA) – Kryengritësit e minoritetit musliman Rohingya kanë shpallur armëpushim njëmujor në Arakan të Mianmarit për të mundësuar shpërndarjen e ndihmave humanitare për civilët në rajonet e krizës, raporton Anadolu Agency (AA).

Ushtria Çlirimtare e Rohingyave të Arakanit (ARSA) ka deklaruar se armëpushimi njëmujor hyn në fuqi që sot.

“ARSA inkurajon fuqimisht organizatat humanitare që të vazhdojnë të ndihmojnë të gjithë viktimat e krizës humanitare në Arakan, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare ose etnike”, thuhet në komunikatën e ARSA.

Kryengritësit muslimanë gjithashtu i bënë thirrje ushtrisë së Mianmarit të bashkohen me armëpushimin e paralajmëruar, të ulin armët dhe të mundësojnë hyrjen e ndihmës humanitare.

Muslimanët Rohingya tashmë disa vite janë pakica më e rrezikuar etnike në botë, ku tashmë disa javë është ballafaquar me një valë të re të dhunës në rajonin Arakan të Mianmarit.

ARSA është grup kryengritës i cili i kundërpërgjigjet sulmeve të ushtrisë së Mianmarit në veri të rajonit, kurse konfliktet e para në të cilat morën pjesë me këtë emër u regjistruan në tetor të vitit të kaluar.

Nën pretekstin e luftimit të grupeve militante, ushtria e Mianmar ka shkatërruar të paktën 60 fshatra muslimane gjatë ditëve të fundit, nga të cilat dhjetëra mijëra vendas janë detyruar të ikin në Bangladeshin fqinj.

Sipas raporteve më të fundit të OKB-së, 290 mijë muslimanë nga Arakani kanë hyrë në Bangladesh deri më tani ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë janë duke pritur të kalojnë kufirin.

Për shkak të faktit se në rajonin e krizës nuk ka përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, është e pamundur të flitet për bilancin e saktë të vuajtjeve në sulmet ndaj vendbanimeve muslimane. OJQ-të lokale thonë se mijëra njerëz janë vrarë.

Kombet e Bashkuara u bënë thirrje vendeve anëtare për grumbullimin e 77 milionë dollarëve për refugjatët e rrezikuar të Mianmarit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit