20 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Kriminelët në veri e kanë mbështetjen politike të Beogradit, përplasja e Kurtit me Listën Serbe dhe reagimi nga SHBA-të

Më të lexuarat

Një ditë më parë, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka folur për përpjekjet e shtetit të Kosovës për vënien e rendit dhe ligjit, si dhe luftimin e krimit e kontrabandës në veri të vendit. Ai në një konferencë për media ka folur edhe për çështjen e destabilizimit në këtë pjesë të shtetit.  

Ai në një paraqitje para gazetarëve tha se ata që duan destabilizimin e Kosovës nuk e duan sundimin e ligjit edhe në veri.

Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë tha se problemi është se interesi i personave që duan destabilizim në Kosovë gjen mbështetje politike në Beograd dhe për këtë sipas tij, faktori ndërkombëtarë duhet të mbajë shënim.

“Ata që duan destabilizim nuk e duan sundimin e ligjit. Sundimi i ligjit është duke u vendosur edhe në veri, duke u luftuar krimi, korrupsioni e kontrabanda.

Ata që janë në listën e zeze të Thesarit amerikan, ata të cilët kanë flet-arreste në Kosovë, ata që kanë punuar e punojnë për strukturat ilegale natyrisht se kanë interes destabilizimin.

Problemi është që interesi i tyre gjen mbështetje politike në Beograd.

Unë besoj se faktori ndërkombëtar do të duhej të mbajnë shënim me shkronja të theksuar për këtë mbështetje politike që ju vjen këtyre kriminelëve që duan destabilizimin e Kosovës sepse e luftojnë shtetin e Kosovës…”, tha Kurti.

E pas deklaratës së kryeministrit ka reaguar Lista Serbe.

Lista Serbe, në një komunikatë të lëshuar në faqen e tyre zyrtare, thotë se kryeministri Kurti dëshiron t’i “sulmojë” serbët, ndërkaq nënkryetari Listës Serbe, Milan Radoiçiq dëshiron t’i mbrojë ata.

“Me lëvizjet e tij të njëanshme, Albin Kurti kërkon të fitojë pikë të lira politike duke ngacmuar popullin duarthatë serb dhe në këtë mënyrë është i vetmi që kërcënon drejtpërdrejt paqen në këtë rajon, i vetëdijshëm se nuk është në gjendje të përmirësojë jetën e shqiptarëve, as të përmbush asnjë premtim të vetëm që ka bërë në fushatë. Ndryshe nga Albin Kurti që me çdo kusht dëshiron kaos dhe të sulmojë serbët, nënkryetari i Listës Serbe Milan Radoiçiq, së bashku me Listën Serbe është këtu për të mbrojtur popullin serb nga Prishtina, sepse na duhet paqe në këto kohë krize”, thuhet në njoftim.

Lista Serbe tutje thekson se shembujt e qëllimeve të liga të Kurtit janë të panumërta, derisa i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos hesht ndaj “kërcënimit të paqes dhe të parandalojnë Kurtin që të provokojnë konflikt në rajon”.

“Duhet theksuar se shembujt e qëllimeve të liga të Kurtit janë të panumërta. Një seri incidentesh dhe shembujsh të dhunës institucionale që përmbyten me keqpërdorim të autoritetit, aplikim të tepruar, joproporcional të forcës brutale ndaj qytetarëve duarthatë serbë, të cilët janë pjesëtarë të njësive speciale të Kosovës si në veri, ashtu edhe në jug që kalojnë javë të tëra janë dëshmia më e mirë se Kurti dëshiron të krijojë kushte të tilla që serbët të largohen nga habitatet e tyre shekullore. Sigurisht, në rrugën drejt realizimit të planit të tij, Kurti e kupton se kundërshtari është nënkryetari Radoiçiq dhe Lista Serbe që i mbledh të gjithë serbët nën një flamur. Prandaj nuk është për t’u habitur që më të mirët prej nesh dëbohen me akuza të rreme që serbëve t’u presin kokat, kurse Kurti pushtoi veriun pa asnjë shqetësim”, thuhet tutje në komunikatë.

Pas kësaj deklarate, SHBA i ka kujtuar kësaj partie se Radoiçiq është i sanksionuar për korrupsion dhe krim të organizuar.

Një zyrtar i lartë amerikan, në një përgjigje për Klan Kosovën, ka thënë se janë në dijeni për deklaratat e fundit të Listës Serbe për Milan Radoiçiqin dhe i kanë kujtuar Listës Serbe se ai është i sanksionuar nga Departamenti i Thesarit i shtetit amerikan për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar transnacional.

“Ne jemi në dijeni për deklaratat e fundit për Milan Radojçiqin. Milan Radoiçiq është sanksionuar nga qeveria amerikane për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar transnacional”, thuhet në këtë përgjigje.

Lista Serbe, në një komunikatë në faqen e saj zyrtare, ka thënë sot se nënkryetari Milan Radoiçiq dëshiron t’i mbrojë serbët, për të cilët pretendon se po ‘sulmohen’ nga kryeministri kosovar, Albin Kurti.

“Për dallim nga ai, për të cilin thonë se me çdo kusht do kaos dhe dëshiron t’i maltretojë serbët, Radoiçiq, nga ana tjetër, bashkë me Listën Serbe, është këtu që ta mbrojë popullin serb nga mësymjet e Prishtinës”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

Në dhjetor të vitit 2021, Ministria e Financave e SHBA-së ka futur në listë të sanksioneve Millan Radoiçiqin, Zvonko Veselinoviqin, vëllain e tij, Zharkon, dhe dhjetë persona të tjerë të lidhur me ta.

Në sqarim është thënë se Radoiçiq ka qenë zëvendës i Zvonko Veselinoviqit dhe udhëheqës i një grupi të organizuar kriminal, kur Veselinoviq është tërhequr për pak kohë.

Radoiçiq është bërë nënkryetar i Listës Serbe në vitin 2018. Mandati i është zgjatur në korrik të vitit 2021.

Radoiçiq është zgjedhur nënkryetar i Listës Serbe pak muaj pas vrasjes së politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit