9.1 C
Pristina
Saturday, May 4, 2024

Kreu i diplomacisë saudite: ju rrëfej Arabinë e re të Princit Salman dhe e vërteta e raporteve me Iranin dhe Izraelin

Më të lexuarat

“Asnjë dialog me Iranin. Asnjë kompromis me rebelët Houthi në Jemen dhe aq më pak me emrin Al Thani për krizën e Katarit. Do të ecim përpara me reformat në emër të një vendi jo më skllav të korrupsionit dhe të situatave që pjellin kriza”.

Kështu e intepreton krusin e ri të Arabisë së re Saudite të Mohammed Bin Salman, ministri i jashtëm i Riadit, Adel al Jubeir, i cili ka sjellë në Konferencën Mesdhetare të Romës mesazhin e trashëgimtarit të fronit të Arabisë Saudite, sot njeriu më i fuqishëm i Lindjes së Mesme, ai që me lëvizjet e tij është në gjendje të lëvizë gjilpërën e peshores ndërmjet luftës dhe paqes. Në suazat e konferencës MED, të organizuar nga Italia, pas një takimi bilateral me shefin e diplomacisë së Jashtme italiane, Angelino Alfano, ministri i jashtëm saudit, Al Jubeir flet për një intervistë të dhënë për La Repubblica.

Ministër, situata në Jemen në orët e fundit duket se ndodhet në favor të Arabisë Saudite, por vendi është në prag të kolapsit humanitar dhe Arabia Saudite është një nga përgjegjësit e situatës….

Jemi të vetëdijshëm për situatën humanitare të Jemenit. Jemi siç e dini kontributori më i madh i ndihmave ndaj atij vendi. Por nuk është faji ynë qëse njerëzit vuajnë nga uria; rebelët Houthi grabisin ndihmat për t’i shitur. Vendosin pagesa për anijet që sjellin ushqime, veshmbathje dhe ilaçe dhe sulmojnë vendin tim. Nuk është Arabia Saudite që e ka dashur këtë luftë. Por ne nuk do të linim që një vend fqinj me 20 milionë banorë të ishte peng i një milicie me 50 mijë vetë e armatosur dhe financuar nga Irani. Ç’farë do të bënit ju nëse dikush do të hidhte raketa kundër aeroportit të Fiumicino-s siç houthnjtë kanë bërë me aeroportin e Riadit?

Për të folur për Irain, do të ishit gati për një dialog me Teheranin për të zbutur tensionet në rajon?

Kemi braktisur idenë e dialogut. Nga viti 1979 kemi provuar, por e gjithë ajo që kemi marrë mbrapsht është shkatërrimi dhe vdekja. Po flasim për një vend që armatos dhe mbron terroristët dhe që ka vrarë diplomatët tanë. Ka sulmuar selitë tona diplomatike dhe është e lidhur dyfish me Al Qaeda-n që në vitet ’90, siç kanë treguar dokumentet e gjetura në strofullën e Osama bin Laden. Mos vallë kjo është sjellja e një vendi që do të dialogojë? Irani duhet të vendosë që të sillet si një shtet normal, ose të vazhdojë si një komb i jashtëligjshëm. Në këto kushte me ta nuk mund të flitet.

Çfarë i kërkoni Iranit?

Që të ndalin sulmet dhe mbështetjen ndaj terrorizmit. Irani mbështet houthinjtë, regjimin e Bashar al Assad-it në Siri dhe terroristët e Al Qaeda-s. Është koha për t’i thënë “mjaft”. Irani nuk ka punë në rajonin arab, duhet të qëndrojë jashtë. Iranianët të qëndrojnë në Persi.

Vendi juaj ka arritur kryetitujt e gazetave të të gjithë botës me valën antikorrupsion të 3 javëve më parë ku 11 princa janë nën akuzë. Është një larje hesapesh apo një operacion transparence?

Princi trashëgimtar ka shpallur 6 muaj më parë që nuk do të ketë falje për askënd që ka abuzuar. Hetimet po ecin prej 6 muajsh dhe ky operacion është shumë popullor në Arabinë Saudite. Duam të ndryshojmë vendin tonë, ta hapim atë, por nuk mund të lejojmë korrupsionin që ta bllokojë. Besoj se investitorët janë të lumtur se nuk duhet të korruptojnë dikë nëse duan të bëjnë biznes në Arabinë Saudite.

Është folur shumë për relacionin e ri ndërmjet Arabisë Saudite dhe Izraelit, mund të na shpjegoni për çfarë raporti bëhet fjalë?

Nuk ka asnjë raport. Nuk kemi marrëdhënie dhe nuk mund të kemi deri në zgjidhjen e çështjes palestineze. Por sigurisht që në këtë moment Arabia Saudite ka disa interesa të përbashkëta në rajon me Izraelin.

Përktheu: Alba Skëndaj – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit