Koprracia me dije a koprracia me pasuri?!

Më të lexuarat

“Ata që bëjnë koprraci, u urdhërojnë njerëzve koprracinë dhe fshehin atë që Allahu u ka dhënë nga mirësia e Tij. Dhe Ne kemi përgatitur për mohuesit një dënim poshtërues.”

Kjo ajet më ndali dje gjatë rishikimit të sures En-Nisa, dhe vazhdova të mendoj për të dhe të çuditem nga mënyra se si i Përgjithëdijshmi dhe i Gjithëdijshmi i përshkruan këto shpirtra. Ai i përshkruan me disa cilësi:

Se janë koprracë,
se i urdhërojnë njerëzit të jenë koprracë,
dhe se fshehin atë që Allahu u ka dhënë nga mirësia e Tij.

Në tefsir, për koprracinë këtu janë përmendur dy mendime kryesore:

I pari: koprracia me dijen. Madje transmetohet nga Said ibn Xhubejr (Allahu e mëshiroftë) se ka thënë: “Kjo ka të bëjë me dijen, nuk ka lidhje me dynjanë.”

I dyti: koprracia me pasurinë dhe me shpenzimin në rrugën e Allahut.

Të dy kuptimet i përfshin ajeti, por i dyti është më i përgjithshëm. Megjithatë, imam Taberiu e ka përparësuar mendimin e parë, për shkak të përshkrimit pasues: “u urdhërojnë njerëzve koprracinë”.

Ai tha:
“Ne e konsideruam këtë mendim më të saktë, sepse Allahu i përshkroi ata se i urdhërojnë njerëzit për koprraci. Dhe nuk kemi ditur për ndonjë popull që ta ketë konsideruar koprracinë si fe apo moral, përkundrazi e kanë parë si të shëmtuar dhe e kanë qortuar atë që e bën. Edhe nëse vetë janë koprracë, ata lavdërojnë bujarinë dhe e konsiderojnë atë nga virtytet. Prandaj themi se koprracia e përmendur këtu është koprracia me dijen, të cilën Allahu ua kishte dhënë, por ata e fshehën dhe nuk ua sqaruan njerëzve.”

Megjithatë, edhe përshkrimi “u urdhërojnë njerëzve koprracinë” mund të ndodhë edhe nga ai që është koprrac në përgjithësi. Njeriu shumë koprrac nuk e pëlqen dhënien, as nga vetja e as nga të tjerët, prandaj e ndalon atë.

Sa i përket përshkrimit të tretë: “fshehin atë që Allahu u ka dhënë nga mirësia e Tij”, ai lidhet kryesisht me fshehjen e dijes dhe me fshehjen e së vërtetës së profetësisë së Muhamedit ﷺ. Por edhe fshehja e pasurisë mund të përfshihet në të.

Gjëja më e çuditshme për mua në këtë ajet është se të gjitha këto cilësi vijnë si shpjegim i një përshkrimi shumë të rrezikshëm, ku Allahu thotë:

“Vërtet Allahu nuk e do atë që është mendjemadh dhe mburravec, ata që bëjnë koprraci…”

Pra, ka një lidhje mes koprracisë (me dije, me pasuri dhe me çdo mirësi) dhe mendjemadhësisë e krenarisë boshe.

Ndoshta ajo që e shtyn njeriun të jetë koprrac dhe të fshehë të mirën që ka, është frika se mos të tjerët barazohen me të. Sepse ai mendon se ajo që ka (dije apo pasuri) e bën më të lartë se të tjerët.

Kjo shihet te disa njerëz me dije, të cilët i përçmojnë nxënësit e tyre, nuk i respektojnë, nuk i mëshirojnë dhe nuk u japin nga dija e tyre, përveç aq sa të mbeten gjithmonë të varur prej tyre.

Po ashtu edhe te njerëzit me pasuri, të cilët i përbuzin lypësit, nuk duan të japin vetë dhe as që të tjerët të japin, që të mos kenë edhe ata atë që kanë vetë, ose të mos bëhen të pavarur prej tyre.

Kjo pamje e shëmtuar ishte gjendja e hebrenjve me Profetin ﷺ dhe me besimtarët, si edhe me arabët para dërgimit të Profetit ﷺ. Pavarësisht vuajtjeve dhe shtypjes, ata mendonin në vete se ishin më të mirë se të tjerët, se meritonin atë që të tjerët nuk e meritonin, dhe se nderi dhe mirësia u takonin vetëm atyre.

Kjo u shfaq shpesh në fjalët e tyre në Kuran, si kur thanë:
“Ne jemi bijtë e Allahut dhe të dashurit e Tij”,
dhe në mënyrën si kërkonin fitore kundër jobesimtarëve para ardhjes së Profetit ﷺ.

Prandaj Allahu tha:
“Dhe Ne kemi përgatitur për mohuesit një dënim poshtërues.”

Sepse njeriu mendjemadh dhe mburravec nuk meriton nderim dhe lartësim, por përkundrazi — meriton poshtërim dhe dënim.

O Allah, ne të kërkojmë mbrojtje dhe mirëqenie.
Dr. Halid Drejis

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit