20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

“Kemi vetëm një shans!” – Fillon Konferenca Botërore e Klimës

Më të lexuarat

Këtë të dielë fillon në Glasgou, Britaninë e Madhe, Konferenca Botërore e Klimës e OKB-së, e njohur si (COP26). 190 vende konsultohen për dy javë për mënyrat e arritjes së kufizimit të ngrohjes globale deri në 1,5 gradë.

 

Glasgou hap dyert nga e diela për Konferencën Botërore të Klimës së OKB-së, me pjesëmarrje të krerëve të lartë të politikës nga e gjithë bota, të deleguarve, ekspertëve e organizatave aktive në mbrojtje të klimës. Në këtë konferencë krahas presidentit amerikan, Joe Biden marrin pjesë edhe presidentë e kryetarë qeverish nga e gjithë bota, si presidenti francez, Emmanuel Macron, ai i Indisë, Narendra Modi. Kancelarja Merkel do të lidhet dy herë me fjalime përmes videos me konferencën botërore të klimës. Për dy javë të deleguarit, politikanët dhe ekspertët do të diskutojnë se si duhen zbatuar më tej objektivat për mbrojtjen e klimës, me qëllim që të arrihet synimi i kufizimit të ngrohjes globale deri në 1,5 gradë, arritja e të cilit po vihet fort në dyshim nga ekspertët.

COP26 | Glasgow

Ursula von der Leyen: Kemi vetëm një shans

Para fillimit të Konferencës Botërore të Klimës, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen paralajmëroi të shtunën shtetet pjesëmarrëse në konferencë nga vendimet e pamjaftueshme për uljen e emetimit të gazrave karbonikë. “Gjendja është shumë serioze”, tha von der Leyen për gazetën “Augsburger Allgemeine”. “Pasojat e ndryshimit të klimës i ndjejmë të gjithë, përmbytjet e tmerrshme të verës, djegiet e pyjeve në masë të papërfytyrueshme, thatësirat, një tornado në Çeki që shkatërroi 2000 shtëpi.” Shkenca që tani na thotë, kujtoi von der Leyen, se bashkësia ndërkombëtare nuk po bën sa duhet kundër ndryshimit të klimës. “Ne e dimë, se kemi vetëm një shans, prandaj ka kaq rëndësi në këtë konferencë COP26 që negociatat të zhvillohen me sukses”, kujtoi von der Leyen.

Boris Johnson, kryeministri i vendit mikpritës të Konferencës Botërore të Klimës, COP26, Britanisë së Madhe kërkoi pak para samitit të Glasgout në kuadër të samitit të G20-s që zhvillohet në Romë(30-31.10.) një përshpejtim të përpjekjeve për kufizimin e ngrohjes globale. “Njerëzimi i gjithi ndodhet në këtë pjesë të parë të ndeshjes 5:1 në disavantazh. Ne e kemi mundësinë të kompensojmë e të shpëtojmë pozicionin tonë, të kthehemi, por kjo do të kushtojë shumë fuqi.”

Demonstration Klimaschützer in Berlin

Vendet e pasura të marrin përgjegjësi

Përfaqësues të organizatave humanitare kanë bërë thirrje që vendet e pasura të marrin më shumë përgjegjësi në drejtim të mbrojtjes së klimës. Drejtori i Amnesty International për Gjermaninë, Markus Beeko u shpreh, se Gjermania nuk duhet ta bëjë transformimin në një shoqëri neutrale ndaj klimës “në kurriz të vendeve më të varfra, ku jetojnë njerëz që vuajnë më së shumti nga ndryshimet e klimës.” Amnesty ka kërkuar mbështetje më të madhe të jugut global. Kurse organizata për mbrojtjen e fëmijëve, UNICEF kërkoi që në investimet e nevojshme për klimën të kihen parasysh fëmijët dhe të rinjtë. “Ujditë e konferencës së klimës vendosin për jetën dhe të ardhmen e miliona fëmijëve dhe brezave të ardhshëm”, tha Christian Schneider, drejtor i UNICEF-it për Gjermaninë.

England | Fridays For Future Demonstration in London | Greta ThunbergGreta Thunberg demonstron në Londër

Aktivistja e njohur e klimës, Greta Thunberg protestoi para fillimit të konferencës në Londër për më shumë angazhim për klimën dhe kritikoi rolin e bankave në botë në krizën e klimës. Së bashku me demonstruesit ajo kërkoi që bankat t’i japin fund financimit të projekteve dëmtuese për klimën, mes tyre edhe mbështetjen e nxjerrjes së energjive fosile. Thunberg doli në aksion proteste para selisë së Standard Chartered Bank duke pozuar me një pllakat: “Jo më para për kaosin e klimës!” Gjatë ditëve të konferencës priten të organizohen një numër demonstratash e aksione proteste.

Pikat e grindjes

Në qendër të debatit të konferencës ndodhet zbatimi vullnetar i qëllimeve të vendosura nga shtetet deri në vitin 2030. Kërkohet që shtetet t’i përmirësojnë planet e tyre për klimën në këtë konferencë, sepse premtimet e planet aktuale nuk mjaftojnë që të kufizohet ngrohja globale deri në 1,5 gradë. Por një sërë vendesh, mes tyre edhe Kina, nuk kanë paraqitur plane të aktualizuara deri në vitin 2030, por mund ta bëjnë këtë gjatë samitit apo në samitin e G20-s që zhvillohet në fundjavë në Romë.

Protesta për mbrojtjen e klimës

Në axhendën e konferencës së OKB-së ndodhen edhe negociatat për rregullat e transparencës dhe detyrimit për raportim të shteteve për përpjekjet e bëra në mbrojtje të klimës nga. Vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet tregtisë me të drejtat e emetimeve të CO2-it, një pikë mjaft e debatuar në konferencën e fundit për klimën në Madrid, 2019. Disa vende, në krye Brazili, këmbëngulin, që të shesin certifikata emetimesh, të cilat t’i kalojnë pastaj tek bilanci i tyre për klimën.

Grindje pritet të ketë edhe tek dhënia e donacioneve për mbrojtjen e klimës vendeve më të varfra. Vendet e industrializuara nuk e kanë bërë realitet premtimin, se nga viti 2020 do të venë në dispozicion 100 miliardë dollarë mjete private apo publike për  këto vende. Një plan i presidencës britanike të konferencës parashikon që ky plan të arrihet më së voni deri në vitin 2023.   /DW/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit