16.9 C
Pristina
Monday, May 20, 2024

Ji vetvetja dhe jo dikush tjetër!

Më të lexuarat

Nga: Dr Aid Elkarnij

Ji vetvetja dhe jo dikush tjetër!

Ji vetvetja miku im, jo dikush tjetër, s’ke përse të shndërrohesh në një tjetër, kushdo qoftë ai. Është një vuajtje e pafund të mos jesh vetja. 
Ka shumë njerëz që e kanë harruar kush janë, kanë harruar karakterin e tyre, zërin, lëvizjet, të folurën, dhuntitë, rrethanat etj… për tu shkrirë me personalitetin e të tjerëve. Në fakt, ajo që vihet re kollaj, është vetëm sikleti, kapardisja falso, skuqja dhe djegia për tu bërë tjetri, depersonalizim i shëmtuar.
Që nga Ademi a.s e deri tek njeriu i fundit që do të marrë frymë mbi këtë tokë, dy veta nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë kurrë në një format. Ti je diçka e re, diçka e paprecedent në histori dhe askush nuk do të jetë si ti më pas.
Ti ndryshon krejtësisht nga filani e filani, prandaj s’ke përse hyn në xhyben e tyre, s’ke përse rend në qorrsokakun e imitimit dhe shkrirjes në specifikat e tyre.
Ji vetvetja, krijo personalitetin dhe karakterin tënd, jeto siç je krijuar, mos e ndrysho zërin, mos luaj me intonacionin, mos e ndrysho të ecurën, edukoje veten me shpalljen hyjnore, mos e fshij prezencën tënde dhe mos e ekzekuto pavarësinë tënde personale.
Ti ke shije të veçantë dhe ngjyrë të veçantë, prandaj të duam ashtu siç je, me shijen dhe ngjyrën tënde origjinale. Sepse ti je krijuar i tillë dhe të kemi njohur për të tillë. “Mos u bëni imitues të tjerëve” thotë profeti Muhamed a.s.
Për nga karakteri, njerëzit përngjajnë me botën e pemëve, dikush i ëmbël e dikush i thartë, dikush i gjatë e dikush i shkurtër. Kështu le të jenë. Nëse je si  banane, s’ke përse të hiqesh sikur je ftua. Vlera dhe hijeshia jote qëndron në të qenit banane. Ndryshimi dhe diversiteti ynë në gjuhë, dhunti dhe aftësi, është një nga argumentet e të Gjithëfuqishmit, argumente të cilat nuk duhen mohuar.
Thotë Ibnul Kajjim, Zoti e mëshiroftë:
Blije veten sot, pasi pazari dhe paratë gjenden, ashtu siç dhe malli është i lirë. Do ti vijë dita dhe pazarit dhe malli nuk do të mund të blehet as lirë e as shtrenjtë, pasi është Dita kur zullumqari të kafshojë duart nga pendimi.
 
Perktheu: Elmaz Fida
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit