Refleksion mbi 8 Lavdërimet e Allahut për Ibrahimin (alejhis-selam)
Të nderuar vëllezër!
Sot, jetojmë në një botë që lëviz me shpejtësi të rrufeshme. Jemi të rrethuar nga teknologjia, rrjetet sociale dhe një lumë informacioni ku gjithsecili pretendon të jetë “model” apo “influencues”. Por, nëse ndalemi një moment dhe shohim shoqërinë tonë shqiptare, shpesh ndiejmë një zbrazëti:
Na mungojnë modelet e vërteta të moralit, qëndresës dhe sinqeritetit.
Për hëtë arsye, sot dëshiroj t’ju ftoj në një udhëtim reflektimi prapa në kohë, tek njeriu që mban një emër me kuptim profetik nga gjuha antike sirianite: Ibrahim – “Baba i mëshirshëm”.
Në Kuranin Famëlartë, në suren Nahël (ajetet 120-123), Allahu i Lartësuar e merr Ibrahimin (a.s.) si shembull universal dhe e lavdëron atë përmes 8 cilësive madhështore. Le t’i analizojmë ato, jo thjesht si histori, por si një pasqyrë për jetën tonë sot.
“Me të vërtetë, Ibrahimi ka qenë prijës shembullor (me të gjitha virtytet e mira), i përulur para Allahut, me besim monoteist dhe nuk ka qenë nga idhujtarët,
(por ka qenë) mirënjohës ndaj dhuntive të Tij. Ai e zgjodhi atë dhe e udhëzoi në rrugë të drejtë.
Ne i kemi dhënë atij të mira në këtë botë, ndërsa në botën tjetër, sigurisht që ai do të jetë nga të mirët.
Pastaj ty të shpallëm: “Paso me sinqeritet fenë e Ibrahimit, që nuk ka qenë prej idhujtarëve”
Koha për refleksion: 8 Cilësitë që i duhen Rinisë dhe Shoqërisë Sonë
“Me të vërtetë, Ibrahimi ka qenë prijës shembullor, i përulur para Allahut, me besim monoteist dhe nuk ka qenë nga idhujtarët…” (Sura Nahël)
- 1. Model dhe institucion më vete (Ummet) Allahu e quan Ibrahimin “Ummet” (një popull ose model). Ndonëse ishte i vetëm përballë një bote të tërë idhujtare, ai plotësoi virtyte aq të larta sa vlente sa një popull i tërë.
- Refleksion: Sot shpesh arsimohemi me idenë: “Çka me bë unë, krejt bota po bëjnë kështu?” Ibrahimi na mëson se edhe nëse mbetesh i vetmi në rrugën e së drejtës, ti vlen sa një popull. Behu TI modeli!
- 2. Përulësia e vërtetë (Kanit) Ai ishte tërësisht i përulur ndaj Krijuesit, duke i zbatuar urdhëresat pa asnjë hezitim. Jetojmë në epokën e egos dhe arrogancës. Përulësia ndaj Zotit na bën të fortë dhe na mbron nga rënia në thonjtë e kryelartësisë njerëzore.
- 3. Ndjekës i palëkundur i së vërtetës (Hanif) Ibrahimi refuzoi çdo besim të kotë dhe u anua plotësisht te e vërteta. Në vitin 2026, ku “të vërtetat” manipulohen dhe relativizohen çdo digjë, sa të palëkundur jemi ne në parimet tona morale dhe fetare?
- 4. Arti i mirënjohjes (Shakir) Kurani thotë se ai ishte falënderues për të gjitha dhuntitë. Si shoqëri shqiptare sot, fatkeqësisht vuajmë shpesh nga ankesat e tepërta. Ibrahimi na kujton se sekreti i paqes shpirtërore është numërimi i dëshirave të plotësuara dhe dhuntive që kemi, jo i atyre që na mungojnë.
- 5. I përzgjedhuri (Ixhteba) Allahu e zgjodhi dhe e udhëzoi në rrugën e drejtë. Zgjedhja e Zotit vjen si rezultat i pastërtisë së zemrës.
- 6. Suksesi në këtë botë (Haseneh) Allahu thotë: “Ne i kemi dhënë atij të mira në këtë botë.” Një nga këto të mira është se emri i tij kujtohet me respekt nga miliarda njerëz sot e kësaj dite.
- 7. Gradat e larta në Ahiret Ai nuk është thjesht një figurë historike, por i dalluar dhe i garantuar për botën tjetër si pjesë e të mirëve (Salihin).
- 8. Kulmi i nderit: Model për Pejgamberin Muhamed (s.a.v.s.) Allahu i shpalli Pejgamberit tonë, Muhamedit: “Paso me sinqeritet fenë e Ibrahimit”. Ky është nderimi më i madh kur vetë vula e pejgamberisë urdhërohet të ndjekë rrugën tënde.
Dy konfirmimet që vulosin figurën e Ibrahimit (a.s.)
Për ta mbyllur këtë lavdërim, Allahu na jep dy të vërteta të pakontestueshme që duhet t’i gdhendim në mendje:
- E para: Ai nuk i përkiste lëvizjeve politike apo grupimeve të ngushta. “Ibrahimi nuk ka qenë as hebre, as i krishterë, por ka qenë besimtar i vërtetë i përulur ndaj Allahut…”(Ali Imran, 67). Ai ishte i pastër, jashtë axhendave njerëzore.
- E dyta: Ai ishte njeriu i fjalës dhe i veprës. “…dhe të Ibrahimit i cili i plotësoi detyrimet.” (En-Nexhm, 37). Çdo sprovë që i erdhi që nga zjarri i Nemrudit e deri te sakrifica e djalit të tij ai e kaloi me sukses absolut.
Mesazhi im për ju sot!
Të dashur vëllezër!
Në këtë kohë moderne, ku flasim për integrim, zhvillim dhe përparim si komb dhe si shoqëri, le të mos harrojmë se zhvillimi pa moral është dështim.
Ibrahimi (alejhis-selam) na mëson se suksesi i vërtetë arrihet kur je besnik ndaj Zotit, kur mban fjalën e dhënë, kur je mirënjohës dhe kur guxon të jesh i drejtë edhe nëse je i vetëm.
Le të jetë ky qershor një moment kthese për secilin prej nesh: të pastrojmë shtëpitë tona nga pakënaqësitë, të edukojmë rininë tonë me parimet e Ibrahimit (a.s.) dhe të bëhemi ne ata “prijësit shembullorë” që i duhen vendit tonë.
O Allah, na bëj prej atyre që e pasojnë rrugën e drejtë të Ibrahimit (a.s.), na mundëso të jemi mirënjohës për dhuntitë Tua dhe na udhëzo në rrugën e të mirëve në këtë botë dhe në ahiret. Amin!
Hoxhë Ulvi Fejzullahu
