30.8 C
Pristina
E martë, 3 Gusht, 2021

“Humbja e natyrës përbën rrezik për shëndetin e njeriut”

Më të lexuarat

Natyra dhe biodiversiteti nuk janë në krye të agjendës globale megjithë rrezikun me të cilin përballen, tha zyrtari i një organizate të konservimit që paralajmëron se humbjet në botën e natyrës paraqesin kërcënim të madh për ekonominë globale, si dhe shëndetin e njerëzve.

“Humbja e natyrës po rrit ndjeshmërinë tonë ndaj shpërthimeve të sëmundjeve, duke minuar përpjekjet për të trajtuar krizën klimatike dhe duke kërcënuar jetesën”, tha Gavin Edwards i Fondit Botëror për Natyrën (WWF) për Anadolu Agency (AA).

Duke folur me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Diversitetit Biologjik, e cila shënohet çdo vit më 22 maj me qëllim të rritjes së të kuptuarit dhe ndërgjegjësimin për çështjet e biodiversitetit, Edwards vuri në dukje zgjidhjen e bazuar në natyrë për qëndrueshmërinë e një planeti të shëndetshëm.

“Nga zgjidhjet e bazuara në natyrë për klimën, çështjet shëndetësore, siguria e ushqimit dhe ujit, dhe jetesa e qëndrueshme, biodiversiteti është themeli që na mban të gjithëve dhe pas pandemisë COVID-19, rrjet i sigurisë mbi të cilin mund ta ndërtojmë më mirë”, tha Edwards, i cili aktualisht shërben si koordinator global i programit të WWF-së New Deal for Nature & People.

Tema e këtij viti është “Ne jemi pjesë e zgjidhjes”, një parullë e zgjedhur që të jetë vazhdim i vrullit të gjeneruar vitin e kaluar në kuadër të temës gjithëpërfshirëse “Zgjidhjet tona janë në natyrë”, sipas OKB-së.

Duke nënvizuar se ekziston një lidhje e fortë midis humbjes së natyrës dhe rrezikut të sëmundjeve zoonotike, të cilat barten nga kafshët tek njerëzit, Edwards tha se koronavirusi i ri ka treguar se është koha për veprim transformues për të ruajtur ekosistemet natyrore dhe për të ndërtuar natyrën pozitive, me neutralitet nga karboni dhe shoqëri të qëndrueshme.

Nevojitet ndryshim sistematik

“Kriza COVID-19 tregon se duhet të bëhen ndryshime sistematike për të adresuar nxitësit mjedisorë të shpërthimeve të sëmundjeve zoonotike, ndryshimit të përdorimit të tokës, zgjerimit dhe intensifikimit të bujqësisë dhe prodhimit të kafshëve, dhe konsumimit të botës së egër me rrezik të lartë”, tha Edwards.

Duke komentuar se si COVID-19 ndikoi në jetën e egër dhe përpjekjet për ruajtjen e biodiversitetit, ai tha se mijëra punë të bazuara në turizmin rural do të rrezikohen nëse nuk ndërmerren veprime.

“Konservimet përdorin të ardhurat e tyre nga turizmi të bazuara në natyrë për të mbështetur veprimtaritë e tyre të menaxhimit të burimeve natyrore si dhe për të shtuar jetesën dhe mirëqenien e anëtarëve me pagesa direkte, ose mbështetje për ushqim, shkollim dhe të tjera”, shtoi ai.

Duke cituar një raport të vitit të kaluar nga Forumi Ekonomik Botëror (WEF) mbi potencialin e një ekonomie me natyrë pozitive që mund të gjenerojë më shumë se 10 trilionë dollarë në vlerë vjetore të biznesit, ai tha se rikuperimi i gjelbër jo vetëm që do të krijonte më shumë vende pune dhe më shumë mundësi ekonomike, por gjithashtu ndihmon botën për të shmangur pandemitë e ardhshme.

Në përgjigje të pyetjes në lidhje me hapat e mundshëm në mbrojtjen e biodiversitetit dhe natyrës, Edwards tha se është planifikuar mbajtja e Konferencës të Palëve të Konventës për Diversitetin Biologjik më 11-24 tetor dhe shtoi se udhëheqësit botërorë është planifikuar të marrin vendime kritike për klimën dhe mjedisin.

“Vendet do të miratojnë një Kornizë Globale të Biodiversitetit pas vitit 2020”, tha ai, duke shtuar se WWF u bën thirrje vendeve të sigurojnë një marrëveshje të biodiversitetit që trajton nxitësit direktë dhe indirektë të zhdukjes së natyrës.

“Rreth 1 milion specie tashmë përballen me zhdukjen, ndërsa disa të tjera janë në rrezik për t’u zhdukur brenda dekadave nëse nuk ndërmerren masa për të zvogëluar intensitetin e nxitësve të zhdukjes së biodiversitetit, sipas një raporti nga Platforma Shkencore-Politike Ndërqeveritare për Biodiversitetin dhe Shërbimet e Ekosistemit.

/aa/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit