12.9 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

HRW zbulon ekzekutime masive të muslimanëve Rohingya

Më të lexuarat

Forcat e sigurisë të Mianmarit kanë ekzekutuar dhjetëra banorë muslimanë të Arakanit (Rohingya) dy ditë pas fillimit të operacionit ushtarak kundër muslimanëve në muajin gusht

YANGON (AA) – Forcat e sigurisë të Mianmarit kanë ekzekutuar dhjetëra banorë muslimanë të Arakanit (Rohingya) dy ditë pas fillimit të operacionit ushtarak kundër muslimanëve në muajin gusht, tha organizata Human Rights Watch të mërkurën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim për media grupi i të drejtave ndërkombëtare tha se dëshmitarët u kanë treguar se si ushtarët i kishin rrahur, sulmuar seksualisht, therur dhe qëlluar banorët që ishin mbledhur për siguri në një kompleks në fshatin Maung Nu në zonën e Maungdaw më 27 gusht.

“Të gjitha tmerret e krimeve kundër njerëzimit të ushtrisë së Mianmarit ndaj komunitetit Rohingya janë të dukshme në vrasjet masive në fshatin Maung Nu”, tha zëvendësdrejtori i organizatës për Azinë, Phil Robertson.

Grupi tha se imazhet satelitore tregojnë se Maung Nu dhe Hpaung Taw Pyin në afërsi janë rrafshuar për tokë, por se ka qenë në pamundësi të verifikojë se sa banorë janë vrarë.

“Këto mizori kërkojnë më shumë se fjalë nga qeveritë përkatëse. Ata duhet të japin përgjigje konkrete me rezultate”, tha Robertson.

HRW ka intervistuar 14 të mbijetuar dhe dëshmitarë nga Maung Nu dhe fshatrat përreth që janë strehuar në Bangladeshin fqinj.

Dëshmitarët kanë thënë për HRW se masakra ka ndodhur më 27 gusht, kur qindra fshatarë Rohingya janë mbledhur në një kompleks të madh banimi në Maug Nu pasi kishin frikë nga operacioni ushtarak.

Sipas OKB-së, që nga 25 gushti, rreth 507 mijë Rohingya kanë kaluar nga zona Maungdaw e Arakanit drejt Bangladeshit.

Refugjatët janë duke ikur nga një operacion ushtarak që filloi më 25 gusht të këtij viti, në të cilin forcat e sigurisë dhe turmat budiste kanë vrarë meshkuj, gra dhe fëmijë, kanë plaçkitur shtëpitë dhe kanë djegur fshatrat e muslimanëve Rohingya.

Sipas Ministrit të Jashtëm të Bangladeshit Abul Hasan Mahmood Ali, rreth 3.000 Rohingya janë vrarë si pasojë e dhunës së ushtrisë dhe budistëve fanatikë.

Komuniteti Rohingya, i përshkruar nga OKB-ja si njerëzit më të përndjekur në botë, është përballur me frikë të rritur nga sulme, pasi dhjetra u vranë në dhunën që shpërtheu në vitin 2012.

OKB ka dokumentuar përdhunime në masë, vrasje, përfshirë foshnja dhe fëmijë të vegjël, rrahjet brutale dhe zhdukje të kryera nga personeli i sigurisë. Në një raport, hetuesit e OKB-së kanë thënë se shkeljet e tilla mund të përbëjnë krim kundër njerëzimit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit