Hadithet që flasin për këtë dhikër pas namazit farz
Thënia dhjetë here pas farzit të Sabahut dhe farzit të Akshamit ‘La ilahe il-l’Allah, vahdehu la sherike leh, lehu-l-mulku, ve lehu-l-hamdu, juhji ve jumit, ve huve ‘alâ kulli shej’in kadîr’
Duke e parë se ky dhikër pak promovohet në mesin e besimtarëve, kurse nga ana tjetër sjell një shpërblim madhështorë mendoja se ja vlen të bëhet temë edhe të insistohet në publikimin e këtij materiali.
Historia ime me këtë dhikër
Në vitet e para që kisha shkuar për studime në Jordani, në vitin 1991, u njofotva me disa shokë me të cilët rrinim pas namazit të sabahut në xhamin e universitetit. Në shoqërim me ta e bënin dhikrin e mëngjesi në këtë xhami pas namazit të sabahut e deri në lindje të diellit dhe pastaj falnim dy rekate namaz për të fituar shpërblimin e haxhit dhe umres të plotë, siç ka ardhur në hadithin të cilin e transmeton imam Tirmidhiu dhe për të cilin hadith shejh Albani ka vlerësuar se është hadith hasen. (Es-Sahiha; nr. 3403).
Në mes tyre ishte edhe ky dhikër për vlerën e të cilit dhikër më kishin sqaruar ata.
Dhe nga ajo kohë insistoja që ti rri gati këtij dhikrit megjithëse herë pas here largohesha prej tij.
Tani e sa vjet përsëri përpiqem t’i rri gati këtij dhikrit edhe ka kohë që kam vendosur të bëjë një shkrim e prononcim për këtë dhikër edhe vlerën që ka, por ja që deri më sot nuk ia kam arritur.
Kurse sot, arrita të përmbledh këtë material edhe ta paraqesh para jush.
Versionet e haditheve që flasin për këtë vepër
- Na transmeton Imam Tirmidhiu nga Ebu Dherri – Allahu qoftë i kënaqur me të – se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Kush thotë pas namazit të sabahut, ndërsa është ulur në këmbët e tij dhe para se të flasë:
‘La ilahe il-l’Allah, vahdehu la sherike leh, lehu-l-mulku, ve lehu-l-hamdu, juhji ve jumit, ve huve ‘alâ kulli shej’in kadîr’, dhjetë herë,
I shkruhen për të dhjetë të mira,
I fshihen prej tij dhjetë të këqija,
ngrihet për të dhjetë shkallë,
dhe ai është atë ditë në mbrojtje nga çdo e urryer,
dhe i ruajtur nga shejtani,
dhe asnjë mëkat që e bënë atë ditë – përveç shirkut ndaj Allahut, nuk e dëmton”.
Tirmidhiu, nr. 3474. Shejh Albani e ka vlerësuar si hasen li gajrihi në librin e tij “Sahihut-Tergibi vet-Terhibi”, 1/321.
- Na e transmeton Imam Ahmedi në “El-Musned”, nga Ummu Seleme – Allahu qoftë i kënaqur me të – se ajo ka thënë:
U përcoll se Fatimja – Allahu qoftë i kënaqur me të – erdhi te Profeti ﷺ duke i u ankuar për lodhjen e shërbimit (punëve të shtëpisë).
Ajo tha:
“O i Dërguar i Allahut! Pasha Allahun, unë kam bluar me dorën time derisa më janë lodhur duart dhe kam gatuar derisa jam rraskapitur.”
I Dërguari i Allahut ﷺ i tha:
“A do që të të mësoj diçka që është më e mirë për ty se një shërbëtor?
Kur të shtrihesh në shtratin tënd, thuaj:
Subhanallah tridhjetë e tri herë,
Allahu Ekber tridhjetë e tre herë,
El-hamdulillah tridhjetë e katër herë;
kjo është më e mirë për ty se një shërbëtor.”
Dhe kur të falësh namazin e sabahut, thuaj:
“La ilahe il-l’Allah, vahdehu la sherike leh, lehu-l-mulku, ve lehu-l-hamdu, juhji ve jumit, ve huve ‘alâ kulli shej’in kadîr” dhjetë herë.
Për ty shkruhen dhjetë të mira,
fshihen prej teje dhjetë të këqija,
ngrihesh dhjetë shkallë,
për secilën sikur të kesh liruar një bir të Ismailit,
dhe bëhesh i ruajtur nga shejtani,
dhe je i mbrojtur nga çdo e urryer,
dhe asnjë mëkat nuk të dëmton atë ditë – përveç shirkut ndaj Allahut.
La ilahe il-l’Allah, vahdehu la sherike lehu është roja yte përball çdo shejtani edhe përball çdo të keqe mes kohës kur e thua në mengjes dhe kohës kur e thua në mbrëmje.
Ahmedi, 44/175 me nr. 26551 dhe recenzorët e librit e kanë vlerësuar si hadith sahihun ligajrihi, 44/176.
- Na transmeton Taberaniu, nga Mu’adh ibn Xhebeli – Allahu qoftë i kënaqur me të – i cili ka thënë:
I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Kush thotë, kur të largohet nga namazi i sabahut, para se të flasë:
‘La ilahe il-l’Allah, vahdehu la sherike leh, lehu-l-mulku, ve lehu-l-hamdu, juhji ve jumit, ve huve ‘alâ kulli shej’in kadîr’ dhjetë herë, Allahu ia jep shtatë gjëra:
- Allahu i jep me to dhjetë të mira,
- fshin prej tij dhjetë të këqija,
- e ngre atë dhjetë shkallë,
- i shënohet sikur të ketë liruar dhjetë robër,
- dhe i jep atij mbrojtje nga shejtani dhe siguri nga e urryerja,
- dhe nuk e dëmton atë ditë asnjë mëkat – përveç shirkut ndaj Allahut.”
Dhe kush e thotë kur largohet nga namazi i akshamit, jepet për të shpërblim i njëjtë.”
Libri Ed-Dua nga Imam Taberaniu, nr. 224 dhe “Mu’xhemul-Kebir”, 20/64, nr. 119 dhe Amelu-lJeumi vel-Lejleti, Ibën Suniu, fq. 265, kurse shejh Albani e vlerëson si hasen ligajrihi në “Sahihut-Tergibi vet-Terhibi”, 1/114.
4 – Me një transmetim tjetër të Tirmidhiut, nga ‘Amr ibn Shejb es-Sebei’, i cili ka thënë se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Kush thotë: ‘La ilahe il-l’Allah, vahdehu la sherike leh,
lehu-l-mulku, ve lehu-l-hamdu, juhji ve jumit, ve huve ‘alâ kulli shej’in kadîr’, dhjetë herë pas namazit të akshamit,
Allahu dërgon të armatosur që e ruajnë nga shejtani deri në mëngjes,
Allahu ia shkruan me to dhjetë të mira të mëdha,
fshin prej tij dhjetë mëkate shkatërruese,
dhe i jep atij shpërblimin sa të lironte dhjetë robër besimtarë.”
Tirmidhiu, nr. 3534 dhe Nesaiu, nr. 10413, kurse shejh Albani e ka vlerësuar si hasen ligajrihi në “Sahihut-Tergibi vet-Terhibi”, 1/113 me nr. 473.
Sqarim i disa kuptimeve të haditheve:
La ilahe il-lallah – (ska hyjni tjetër veç Allahut)
Shejh Muhamed ibën Salih ibën Uthejmini thotë: kjo fjali ka kuptimin se askush nuk e meriton adhurimin pos Allahut. Hyjniteti (të qenurit i adhuruar) i Tij është pjesë e rububijetit (të qenurit Zot e Krijues) të Tij, sepse ai që e hyjnizon dikë ai e pranon edhe si Zot edhe Krijues, pasi që për të qenë i adhuruar Ai duhet të jetë edhe Krijues e Zot edhe i veshur me cilësi të Plota dhe domethënë: adhurone Atë dhe lutene Atë me Emrat e Cilësitë e Tij për të arritur synimet e kërkesat tuaja”. (Sherhu Rijadus-Salihin, hadithi nr. 60).
Vahdehu la sherike lehu – “I vetëm dhe pa ortak”
Munaviu thotë: Vetëm Allahu është i Vetmi dhe i veçuari, i cili nuk ka ortak as sipas argumenteve fetare e as sipas argumenteve logjike dhe kjo pjesë është potencim i fjalisë së parë, “i vetëm”. (Fejdul-Kadir, 5/200).
Lehul-Mulku – “Atij i takon Pushteti”
I përmendi si veçori të dalluar pushtetin dhe falënderimin që domethënë se i gjithë pushteti dhe i gjithë falënderimi në mënyrë absolute i takon vetëm Allahut e askujt tjetër veç Tij. (el-Munteka, Shehul-Muveta lil-Baxhij, 3/77).
Lehul-Hamdu – “Atij i takon falënderimi”
Domethënë Atij i takon falënderimi absolut, pasi që Ai falënderohet gjatë të mirave me falënderim e mirënjohje, kurse gjatë momenteve të këqija Ai falënderohet duke ia dorëzuar çështjen e tij Allahut.
Juhji ve jumijtu – “Ai ngjall edhe ai merr shpirtë”
I vetmi që jep jetë edhe i vetmi që merr jetë dhe se çdo shpirt që vdes, me shkak apo pa shkak, vdes me lejen e Tij. (Tefsirus-Sadij, fq. 742).
Bijedihil-Hajru – “Në dorën e Tij është e Mira”
Ibën Rexhebi thotë: Allahu është i pasur Vetvetiu dhe nuk ka nevojë për askë, Ai ka plotësinë absolute në Qenien, Cilësitë dhe Veprimet e Tija, ashtu që edhe pushteti i Tij është pushtet i plotë në çdo aspekt. (Xhamiul-Ulumi vel-Hikemi, fq. 228).
Ve huve ala kul-li shejin kadir – Ai është i Gjithëmundshëm
Ibën Xheriri thotë: Ai ka fuqin që tu ringjall pas vdekjes, tu ndëshkojë për shkak të idhujtarisë dhe shumë gjëra tjera të cilat mund ti Dëshirojë për ju. (Tefsir Taberij, 15/232)
Imam Ibën Kajimi thotë: Krejt gjërat janë në Dorën e Tij, rregullimi i krejt asaj që është nën pushtetin e Tij është e Tija, e kjo është synimi i thirrjes edhe ajka e mesazhit. (Medarixhus-salikin, 3/349).
Pas namazit të sabahut
Imam Ibën Haxheri thotë: kuptimi i hadithi është se ky dhikër thuhet pas përfundimit të namazit edhe nëse vonohet nga përfundimi i namazit e nuk bëhet menjëherë pas namazit, saqë kjo kohë të mos llogaritet se ia ktheu shpinën namazit, apo e harroi dhikrin apo u angazhua me gjëra tjera që duhet të thuhen pas namazit, siç është leximi i ajetul-kursisë, krejt kjo nuk e dëmton këtë situatë. (Fet’hul-Barij, 2/328).
Para se ti drejtojë këmbët dhe para se të flet
Domethënë para se ti drejtojë këmbët nga pozita në të cilën ishte gjatë teshehudit.
Kjo vlen për njeriun që falet si xhemat në xhami, kurse për imamin vlen rregulli tjetër se pasi të thotë tre herë estagfirullah dhe Allahumme entes-selam ve minkesselam tebarekte ja dhel-xhelali vel-ikram drejtohet me fytyrë kah xhemati dhe pastaj e thotë këtë lutje. (It’haful-Muslim, 1/460).
Hadithet na mësojnë:
- Këto hadithe na tregojnë vlerën e madhe që ka ky dhikër nëse thuhet pas namazit të sabahut dhe namazit të akshamit, e kurse mirësitë e Allahut i jepen kujt të doje Allahu.
- Njëri hadith na tregon se dhikri para gjymit duke thënë:
Subhanallah tridhjetë e tri herë,
Allahu Ekber tridhjetë e tre herë,
El-hamdulillah tridhjetë e katër herë;
Është më mirë se të kesh një shërbëtor i cili të ndihmon në punët shtëpiake.
Domethënë se dhikri të ndihmon që të forcohesh edhe fizikisht.
- Allahu ia fal njeriut mëkatet që i bënë gjatë kësaj dite edhe kësaj nate në të cilën e bën këtë dhikër dhe nuk e dënon për to.
- Asnjë mëkat veç shirkut nuk e dëmton e as nuk e rrethakon këtë njeri që bën këtë dhikër, kurse shirkun Allahu nuk e fal:
إِنَّ ٱللَّهَ لَا يَغْفِرُ أَن يُشْرَكَ بِهِۦ وَيَغْفِرُ مَا دُونَ ذَٰلِكَ لِمَن يَشَآءُ ۚ
“Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë”. (En-Nisa: 48).
- Disa dijetarë thonë se formulimi i këtyre haditheve jep me kuptu se mund të thotë edhe më shumë se dhjetë herë dhe se nëse e shtojmë më shumë se dhjetë herë nuk e largon atë shpërblim, por mundet të jetë shkak për tu shtuar shpërblimi, apo mund të sjell ndonjë lutje apo lexim më të mirë se ky. ((El-Fet’hur-Rabanij”, 10/54).
- Kush e thotë këtë dhikër i fiton shtatë fitime të mëdha:
Një: Allahu i jep me to dhjetë të mira,
Dy: I fshin prej tij dhjetë të këqija,
Tre: E ngre atë dhjetë shkallë,
Katër: I shënohet sikur të ketë liruar dhjetë robër,
Pesë: Nuk e dëmton atë ditë asnjë mëkat – përveç shirkut ndaj Allahut,
Gjashtë: I jep atij mbrojtje nga shejtani dhe nga çdo e keqe deri në ngrysje apo deri në mëngjes,
Shtatë: Është siguri dhe mbrojtje nga çdo gjë e urryer.
Këto shtatë përfitime i fiton muslimani i cili e thotë këtë dhikër, i cili është i lehtë për atë që ia lehtëson Allahu.
Allahu na ndihmoftë ta zbatojmë këtë porosi pejgamberike edhe tua mësojmë tjerëve!
Hoxhë Bekir Halimi
