2.8 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

GNK: Kosova të bashkëpunojë me KFOR-in për çmilitarizim të veriut dhe të marrë hapa për vetëqeverisje të serbëve

Më të lexuarat

Kështu është thënë në raportin më të ri të Grupit Ndërkombëtar të Krizave – organizatë që harton analiza të pavarura dhe këshilla për parandalim, zgjidhje dhe menaxhim të konflikteve – të publikuar më 2 prill.

Në raportin me titull ‘Veriu i Kosovës: Pohimi i sovranitetit mes besnikërive të ndara’, dedikuar marrëdhënieve Kosovë – Serbi, me fokus në veriun e Kosovës dhe zhvillimet atje, Kosovës i sugjerohet të bashkëpunojë me forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë [KFOR] “për të çmilitarizuar veriun”.

“Kosova duhet t’i tërheqë njësitet speciale të Policisë prej rajoneve me shumicë serbe dhe derisa ta bëjë atë, t’i dislokojë ato me masë dhe vetëm në koordinim me paqeruajtësit e KFOR-it, të cilët banorët e veriut i shohin si më të besueshëm, marrë parasysh përkushtimin e tyre për neutralitet”.

Në prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia e kanë nënshkruar atë që njihet si “Marrëveshja e Parë e Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve” – e njohur si Marrëveshja e Brukselit.

Aty përmendet se do të ketë një komandant rajonal të policisë për katër komunat me shumicë serbe – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – i cili duhet të jetë serb, shtetas i Kosovës.

Por, në asnjë nga pikat e kësaj marrëveshjeje nuk përmendet shkuarja apo jo e njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri.

Sipas raportit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, për të rritur ndjesinë e sigurisë së Prishtinës, KFOR-i duhet t’i ndihmojë Kosovës në kontrollimin e kufirit, të parandalojë kontrabandën e armëve të rënda dhe t’i gjejë ato që janë futur më herët.

“E Serbia duhet të ndalojë mbështetjen për aktivitet paramilitar dhe t’i gjykojë ata që janë përfshirë në vrasjen e policit të Kosovës. Në mungesë të një zgjidhjeje politike gjithëpërfshirëse, barra do të jetë mbi Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, për të garantuar paqe dhe për të shmangur përshkallëzimin, derisa të arrihen kushtet për një marrëveshje të negociuar”.

Në raport, Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka vlerësuar se Kosova është duke e fituar betejën për kontrollin e veriut, ndonëse shpresat për normalizim marrëdhëniesh mes Prishtinës dhe Beogradit po zbehen.

Dy palët negociojnë në Bruksel për normalizim të marrëdhënieve – me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian – qysh prej vitit 2011.

Palët i kanë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

Në raport është thënë se “institucionet e mbetura serbe në territorin e Kosovës, të cilat i kanë mbijetuar luftës së vitit 1999 dhe pavarësisë së Kosovës më 2008, po shpërbëhen pas një operacioni paramilitar të mbështetur prej Serbisë në shtator të vitit 2023”.

Në shtator të vitit të kaluar, grupe të armatosura serbe e kanë sulmuar Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë zyrtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakun.

Më pas, në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë tre sulmues.

Kosova e akuzon shtetin e Serbisë për organizim dhe kryerje të sulmit, por Beogradi e mohon këtë gjë.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Ai aktualisht besohet se është i lirë në Serbi.

Sipas raportit, sulmi në Banjskë e ka kthyer vëmendjen te veriu i Kosovës dhe atë në të mirë të Prishtinës, të paktën në sytë e Brukselit dhe Uashingtnit.

Sipas analizës, sulmi “e ka krijuar një dyshim të fuqishëm që Beogradi e ka armatosur dhe trajnuar grupin paramilitar për sulmet vdekjeprurëse ndaj Policisë së Kosovës. Pa një alternativë bindëse, Serbia ka humbur shumë mbështetje që e ka fituar nga fleksibiliteti në dialogun e ndërmjetësuar të BE-së”.

Në gjetjet tjera është përmendur se pas sulmit në Banjskë, Prishtina e ka përfituar prej ndryshimit të rrethanave për të përshpejtuar integrimin e veriut dhe për të dëbuar institucionet e mbetura të Serbisë.

“Prej perspektivës së saj, incidenti e ka konfirmuar që problemi me të cilin përballet veriu janë kriminelët dhe terroristët e përkrahur prej Beogradit dhe jo serbët e thjeshtë. Ajo e ka konsideruar kërcënimin paramilitar si arsyetim për të angazhuar policinë e armatosur rëndë në atë zonë”.

Sipas raportit, “këto janë ditë të vështira për pakicën serbe, e ardhmja e të cilëve është jetike për afrim mes Beogradit dhe Prishtinës”.

“Për të mbetur komunitet që mund të vetëqeveriset, atij i duhet qasje e vazhdueshme në institucionet e Serbisë, sidomos në fushën e edukimit dhe shëndetësisë, plus mbështetja financiare. Atij i duhet edhe siguria, që mund ta fitojë me kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës, prej të cilës serbët janë tërhequr në nëntor të vitit 2022”.

Mbajtja e zgjedhjeve në komunat në veri

Grupi i sugjeron Kosovës edhe të marrë “hapa kredibilë drejt garantimit të vetëqeverisjes për pakicën serbe në veri. Zgjedhjet e reja duhet të mbahen, bashkë me dhënien fund të bojkotit të serbëve të veriut ndaj institucioneve qeveritare”.

Raporti u është referuar zgjedhjeve të reja për katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – të cilat aktualisht i udhëheqin katër shqiptarë.

Ata i kanë fituar këto pozita në zgjedhjet e mbajtura në prill të vitit të kaluar në katër komunat veriore, të cilat i ka bojkotuar popullsia serbe në veri.

Aktualisht kanë nisur procedurat për shkarkim të kryetarëve aktualë, çka do të mund të hapë rrugën për zgjedhje të reja.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ndonëse ka bojkotuar zgjedhjet e prillit, ka thënë javë më parë se është e gatshme të marrë pjesë në procesin e ri zgjedhor.

Asociacioni për Kosovën, njohja de facto për Serbinë

Kur janë përmendur marrëveshjet, në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave janë vlerësuar edhe dy aspektet më problematike në dialogun Kosovë – Serbi dhe normalizimin e raporteve mes tyre.

Në anën e Kosovës është përmendur formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Të martën, më 2 prill, edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka thënë se Kosova duhet ta zbatojë urgjentisht detyrimin shumëvjeçar për themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe në vend dhe ka paralajmëruar se ajo do të përballet me pasoja në rrugën e saj drejt BE-së, nëse dështon ta bëjë këtë.

BE: Kosova e rrezikon rrugëtimin evropian, nëse s’e themelon Asociacionin

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Por, më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Në fund të vitit të kaluar, bashkësia ndërkombëtare ua ka paraqitur palëve një draft për statutin që do të kishte ky Asociacion. Palët, fillimisht, patën thënë se e kanë pranuar atë, por nuk kanë bërë asnjë hap përpara.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 19 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk e ka pranuar këtë draft-statut.

“Një tjetër prioritet është përmbushja e nevojave të pakicës së serbëve të Kosovës – me apo pa një kornizë zyrtare për autonomi. Banorët e veriut varen prej shkollave, universiteteve dhe qendrave shëndetësore që funksionojnë në kuadër të sistemit të Serbisë. Shumica e banorëve paguhen direkt ose indirekt nga Beogradi dhe pranojnë ndihma në dinarë përmes një sistemi të zyrave postare dhe bankave që Kosova synon t’i mbyllë”, është thënë mes tjerash në raport.

Më 1 shkurt, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka nisur të zbatojë një rregullore të re që parasheh euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave me para të gatshme.

Kështu është pamundësuar përdorimi i dinarit.

Serbia deklaron se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për serbët e Kosovës dhe ua paguan atyre rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë në dinarë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores së BQK-së me arsyetimin se është fuqizuar shumë shpejt, pa ofruar alternativa të duhura për serbët që marrin dinarë.

Disa serbë të Kosovës, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë në javët e fundit e kanë pranuar se u është vështirësuar jeta pas pamundësimit për të marrë dinarë.

Serbia i ka instaluar disa bankomate në disa pika kufitare me Kosovën, për t’ia mundësuar komunitetit serb në Kosovës që të marrë dinarë.

“Diskriminimi etnik dhe barrierat gjuhësore i mbajnë shumë serbë të Kosovës larg nga tregu i punës. Nëse e humbin qasjen në punët serbe dhe përfitimet, ata do të emigrojnë. BE-ja dhe SHBA-ja duhet t’i kërkojnë Kosovës që të mundësojë vazhdimësinë e këtyre shërbimeve serbe. Ata duhet t’i kërkojnë Prishtinës që t’i japë fund ndalesës në importet e ushqimeve dhe ilaçeve prej Serbisë, dhe për çështjen e dinarit. Për të gjitha këto, Kosova duhet të ndjekë qëndrimin e SHBA-së dhe BE-së”, është thënë mes tjerash në raport.

Në anën e Serbisë është përmendur njohja de facto e Kosovës.

“Njohja de facto nënkupton që Kosova të trajtohet si shtet i pavarur pa një deklaratë zyrtare [nga Serbia] dhe ajo t’ua mundësojë shteteve tjera dhe trupave ndërkombëtare sikurse Kombet e Bashkuara që ta njohin dhe ta pranojnë atë si anëtare. Serbia është e gatshme të merret me Kosovën direkt, por është e vendosur që ta mbajë të hapur çështjen e statusit të saj” është thënë në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Kosova e ka shpallur pavarësinë në vitin 2008.

Shtetësia e saj është njohur prej 117 shteteve, përfshirë SHBA-së dhe shumicës së vendeve anëtare të BE-së.

Mirëpo, Serbia vazhdon të mos e njohë shtetin e Kosovës dhe tenton të pengojë anëtarësimin e saj në shumë organizata ndërkombëtare.
REL

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit