Gaza nuk është thjesht një copë toke në Lindjen e Mesme. Ajo nuk është thjesht një vend në hartë. Gaza është një pjesë e ndërgjegjes sonë, është një shenjë e gjallë e moralit dhe shpirtit të këtij umeti. Gaza është simboli i qëndresës dhe i vetëdijes, që na kujton betejat e para të muslimanëve, si Bedri, Uhudi, dhe Tebuku, ku u formua për herë të parë identiteti ynë i vërtetë.
Shumë njerëz flasin për Gazën vetëm si një problem politik ose si një vend në luftë, por harrojnë thelbin: Gaza është një tregues i gjendjes sonë shpirtërore. Kur Gaza është nën sulm, ajo nuk goditet vetëm nga jashtë – ajo prek dhe nxjerr në dritë edhe brendinë tonë. Ajo na tregon nëse jemi të ndjeshëm ndaj padrejtësisë apo jo, nëse jemi të bashkuar si umet apo thjesht të shpërndarë si individë të dobët.
Gaza na bën pyetje që nuk mund t’i shmangim:
A jemi ende të lidhur me Islamin që vepron, që reagon, që mbron të dobëtin?
Apo jemi zhytur në një Islam dekorativ, që merret vetëm me pamjen dhe jo me drejtësinë?
A kemi ende ndjeshmëri ndaj dhembjes së tjetrit, apo jemi bërë të ftohtë dhe të preokupuar vetëm me veten tonë?
Gaza është një pasqyrë. Ajo nuk flet vetëm me fjalë, por me gjak dhe me qëndresë. Na mëson se çfarë do të thotë besnikëri, burrëri dhe sakrificë. Gaza na kujton se “Umeti Islam” nuk është vetëm një emër, por një ndjenjë e përbashkët, një trup i vetëm që dhemb kur një pjesë e tij plagoset.
Në të vërtetë, ne kemi më shumë nevojë për Gazën sesa ajo për ne.
Sepse ajo na zgjon nga gjumi, na kujton kush jemi dhe çfarë kemi humbur: unitetin, dinjitetin, moralin dhe ndjeshmërinë.
Në një kohë ku egoizmi është bërë pjesë e jetës sonë, Gaza na thërret të kthehemi te vlerat e vërteta. Ajo është prova e fundit që tregon se ende ka gjak të pastër në këtë umet që nuk është helmuar.
Përkthim dhe përshtatje
Amar Dauti
