2.8 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

FAMILJA – VATËR E BESIMIT

Më të lexuarat

Ka fole familjare të bekuara, të ngritura mbi logjikën dhe gjykimin, duke u mbështetur qysh në hapat e para te Zoti, që funksionojnë gjatë gjithë jetës si një shkollë dhe, me nxënësit që përgatisin, sigurojnë vazhdimësinë dhe pavdekësinë e kombit që i përkasin. Kombet që i bëjnë shtëpitë të begatshme sa dhe shkollat, dhe shkollat të ngrohta sa dhe foletë familjare, quhet se kanë realizuar reformën më të madhe dhe kanë vënë në garanci qetësinë dhe lumturinë e brezave të ardhshëm…

(Kriteret)

Tashmë të gjithë e pranojmë se familja shqiptare po pëson transformime strukturore dhe konceptuale. Pohojmë se ajo po shkon drejt modelit të “familjes moderne”. Shikojmë e përjetojmë sfidat, problemet dhe sëmundjet e saj, që drobisin dhe çojnë drejt vdekjes një e nga një qelizat vitale të kombit.

Përkundër shumë e shumë problemeve, duhet theksuar se kurrsesi nuk mund të vihet në pikëpyetje ekzistenca e familjes, si njësi bazë e shoqërisë njerëzore. Zhvillimi i njerëzimit është projektuar dhe ndodh vetëm mbi strukturën familjare. Ky është një nga ligjet e Allahut. Prandaj bëhet fjalë për model të ndërtimit dhe funksionimit të familjes dhe jo për konceptin e saj. Thuajse të gjithë sociologët, pavarësisht rrymave të mendimit filozofik, janë të unifikuar në domosdoshmërinë e njësisë familjare. Kjo është sanksionuar me konsensus ndërkombëtar si në Deklaratën e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut, ashtu edhe në Kodet e Familjes që aplikohen në sistemet juridike të të gjithë shteteve në botë. Debati ideor zhvillohet në prizmin e ndërtimit, funksionimit dhe eficencës së modeleve alternative, që ofrojnë zhvillimet shoqërore në kohë të ndryshme.

Familja që ndërtuan dhe përjetuan të parët tanë, deri para afro 50-60 viteve, të cilën shpesh e emërtojnë edhe si tradicionale, ditë pas dite po i adresohet kujtesës historike. Ajo po bëhet thjesht një objekt reference për studime e analiza shkencore, apo për biseda popullore plot nuanca nostalgjie. Në vendin tonë, transformimi i modelit familjar ka filluar që në vitin 1960, pikërisht atëherë kur u intensifikua lufta shumëfrontëshe ndaj fesë, kur kërkohej të imponohej me forcë evolucioni drejt “njeriut të ri”. Në historinë e besimit, familja është guri i themelit të zhvillimit të shoqërisë njerëzore, ndërsa besimi në Zot është uji i gjallërisë familjare. Familja e ngjizur nëpërmjet besimit në Zot përbën modelin më të natyrshëm, më të përshtatshëm e më të konsoliduar për të siguruar vazhdimësinë e shoqërisë njerëzore. Historia e gjatë e njerëzimit e ka dëshmuar më së miri këtë. Por, duke i injoruar çmendurisht argumentet historikë, propaganda e shfrenuar ateiste për çrrënjosjen e besimit në Zot, e ndjekur nga pas me makineritë shkatërruese të objekteve të kultit, i dha goditjet dhe tronditjet e para serioze modelit tradicional të familjes shqiptare dhe institucioneve që punonin për qëndrueshmërinë e saj. Vitet ‘90 e më pas, problemet e tranzicionit të stërzgjatur drejt demokracisë liberale, keqfunksionimi i drejtësisë dhe strukturave menaxhuese shtetërore, institucionet e brishta fetare, emigracioni i lartë, përhapja e varësisë ndaj lojërave të fatit, imoralitetit dhe substancave degraduese (pijet dehëse, drogat etj), e gjetën të dobët imunitetin e shoqërisë shqiptare, për shkak të luftës thuajse gjysmëshekullore ndaj fesë. Efektet e saj sot i ndjen individi, familja si institucion dhe kombi.

Me gjithë vështirësitë, gjithë këto vite kanë provuar dhe treguar një fakt bindës: familjet ku praktikohet, apo dëshmohet lidhja e ngushtë me parimet fetare, janë më pak të prekura nga kriza shumëplanëshe familjare. Edhe pse deri tani nuk ka studime serioze të ndikimit të besimit në Zot në jetën familjare, sociologët dhe psikologët vazhdojnë, më së paku, ta anashkalojnë këtë faktor, apo ka raste kur ata e trajtojnë në këndvështrimin ofendues, si mbeturinë të së kaluarës dhe si shfaqje të fanatizmit. E megjithatë, realiteti duket ndryshe nga ç’mendojnë specialistët: familjet besimtare shqiptare përbëjnë qendrën e gravitetit të ekuilibrave socialë dhe garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm të kombit. Është detyrë e besimtarëve, e prijësve dhe e institucioneve fetare përfaqësuese të tyre, që të punojnë me ngulm në promovimin e këtij kontributi tepër të çmuar e të prekshëm të besimit në shërbim të kombit. Besimtarët dhe familjet e tyre po bëhen bazamenti i ruajtjes së ekuilibrave socialë si në tejkalimin e krizave, ashtu edhe në proceset e stërmundimshme të demokratizimit.

 

Modeli i familjes si vatër e besimit

Me një kërkim e hulumtim të vëmendshëm në minierën kur’anore do të zbulosh dhe përfitosh me qindra xhevahirë-ajete, që me shkëlqimin e tyre ndriçojnë si llamba shtëpitë e besimit. Drita udhëzuese e tyre, diku e drejtpërdrejtë, diku e fshehur si fruti mes gjethesh, depërton për t’u bërë e dukshme për rendësin drejt besimit dhe frymëzuese për ndërtimin e një vatre familjare shembullore.

Ashtu siç Krijuesi caktoi Ademin dhe Nuhun si zanafillës të individualitetit njerëzor dhe besimit të kulluar, po ashtu Allahu i Gjithëditur përzgjodhi mes njerëzisë familjen e Ibrahimit dhe familjen e Imranit, si përfaqësueset më të mira të modelit të familjes – vatër e besimit. (Kur’an, 3/ 33-34) Ato janë familje tërësisht besimtare, që shërbejnë me përkushtim për fenë e Zotit dhe që janë përkujdesur e kanë lënë pasardhës të kapur fort pas besimit të pastër. Ismaili, Is’haku, Jakubi, Jusufi dhe Isai, qenë disa nga Lajmëtarët e dalluar, pasardhës të këtyre dy familjeve të nderuara.

Përmes ajeteve kur’anore, që përshkruajnë copëza domethënëse nga jeta e këtyre dy familjeve, Allahu na orienton në rrugën më të mirë të modelimit hap pas hapi të një vatre familjare të shëndetshme.

I Gjithëdituri, nëpërmjet Kur’anit, na përkujton lutjet e shumta të Ibrahimit apo edhe të bashkëshortes së Imranit, për të na mësuar se prindërit, që në krye të herës dhe vazhdimisht, duhet t’i luten me sinqeritet Lutjepranuesit Allah për fëmijët. Lutjet duhet të jenë si për zhvillimin shpirtëror individual e familjar, ashtu edhe për përparimin material e civilizues. “Zoti ynë! Na bëj të dyve (babë e bir) besimtarë të sinqertë ndaj Teje dhe nga pasardhësit tanë njerëz të bindur ndaj Teje. Na i mëso rregullat e adhurimit dhe na fal. Vërtet Ti je që fal shumë dhe je Mëshirues!” (Kur’an, 2/128) “Zoti im! Bëje këtë një qytet të sigurt dhe më mbro mua e bijtë e mi nga adhurimi i idhujve!” (Kur’an, 14/35) “Zoti im! Më dhuro mua (fëmijë) prej punëmirëve!” (Kur’an, 37/100) Kështu lutej, ndër të tjera, pejgamberi Ibrahim. Të njëjtën esencë imani përmbante edhe lutja e gruas së nderuar të Imranit për foshnjën ende të palindur (Merjemen): “Zoti im! Këtë që është në barkun tim, vendosa ta kushtoj vetëm për shërbimin Tënd. Pra, pranoje këtë prej meje!” (Kur’an, 3/35)

Në suren Ahkaf (ajetet 15-17), Allahu i Lartëmadhëruar sërish sjell në vëmendjen e prindërve se jeta familjare duhet të shërbejë për një edukim brenda kufijve të besimit për secilin prej anëtarëve të familjes. Jeta familjare duhet të shërbejë, më së paku, si një prej shkaqeve për të medituar dhe mësuar rreth mrekullisë së krijimit të njeriut. “Ne e krijuam njeriun prej një ajke (lëngu), e një balte. Pastaj atë (ajkë-baltë) e bëmë (e shndërruam) pikë uji (farë) në një vend të sigurt. Më pas, atë pikë uji e bëmë copë gjaku, e atë gjak të ngurtë e bëmë copë mishi, e atë copë mishi e shndërruam në eshtra, edhe eshtrave ua veshëm mishin, pastaj atë e bëmë krijesë tjetër (me shpirt). I lartë është Allahu, më i miri Krijues! Mandej, pas kësaj (krijese) ju do të vdisni.” (Kur’an, 23/12-15) Mes errësirave dhe “larg” shikimit, këto etapa embrionale të njeriut krijojnë te prindërit, sidomos bashkëshortët e rinj, një pritshmëri emocionale të paharrueshme. Që në momentin kur kuptojnë fillimin e një jete të re nga e paqena “pikë lëngu që hidhet”, babai dhe nëna ndiejnë, prekin, ledhatojnë, emocionohen pa fund, por kalojnë edhe ankthe, ngazëllehen e kridhen në kënaqësi, por, herë-herë, edhe shqetësohen nga problemet, duke përcjellë me kërshëri çast pas çasti fazat e jetës njerëzore, rritjen deri në pjekuri. Përmes përjetimesh dhe kujtimesh të tilla, më së pari, prindërit duhet të mbushen me besim në Zotin Krijues, Mëshirues e Bamirës. Pastaj, ata duhet ta falënderojnë pareshtur Allahun për dhuratën e çmuar jetësore, siç bënte Ibrahimi shembullor për fëmijët e tij. “Falënderoj Allahun që m’i dhuroi mua në pleqëri Ismailin dhe Is’hakun! Vërtet, Zoti im dëgjon dhe i përgjigjet lutjes!” (Kur’an, 14/39) Dhe, pa rënë në harresë e gaflet, këtë besim të natyrshëm duhet t’ua transmetojnë me mençuri edhe fëmijëve përgjatë procesit të edukimit. Pikërisht një ngulmim të tillë kërkon të kultivojë Allahu te baballarët dhe nënat, te gjyshërit e gjyshet, kur i përsërit dhe i ripërsërit me dhjetëra herë ajetet e Kur’anit lidhur me krijimin. “Le të shikojë njeriu prej çkahit është krijuar!..” (Kur’an, 86/5-8) “A nuk ka qenë ai një pikë uji që derdhet? E, pastaj u bë gjak i trashë. E, Ai e krijoi dhe e përsosi. Dhe prej tij Ai bëri dy lloje: mashkullin dhe femrën…” (Kur’an, 75/37-39) “O ju njerëz, nëse dyshoni për ringjalljen, atëherë (mendoni krijimin tuaj që) Ne u krijuam ju prej dheu, pastaj prej uji, pastaj prej një gjaku të ngjizur, pastaj prej një sa kafshatë mishi, që është krijesë e formuluar ose e paformuluar, në mënyrë që t’ju sqarojmë. Ndërsa atë që e dëshirojmë Ne, e përqendrojmë në mitër deri në një afat të caktuar, e mandej u nxjerrim foshnje dhe ashtu të arrini pjekurinë tuaj. Dikush prej jush vdes herët, e dikush jeton deri në pleqëri të thellë, në mënyrë që të mos dijë asgjë nga dija që ka pasur.” (Kur’an, 22/5)

Sërish, jeta familjare duhet të shërbejë si shkak për të medituar, për të mësuar dhe për t’u ngopur me besim nëpërmjet mrekullisë së zinxhirit ushqimor në natyrë. Prindërit punojnë për çdo ditë për të përfituar të mira materiale për rritjen e fëmijëve. Me të njëjtin vullnet, ritëm e shqetësim duhet t’i përkushtohen edhe familjes dhe edukimit familjar sipas besimit në Zot. Ajetet 24-32 në suren “Abese” i janë adresuar çdonjërit, por edhe prindërve. “Njeriu le të shikojë ushqimin e vet. Ne lëshuam shi të mjaftueshëm. Pastaj e çamë tokën sipas nevojës së bimës. Dhe, bëmë që në të të mbijnë drithëra. Edhe rrush e perime. Edhe ullinj e hurma. Edhe kopshte të dendura. Edhe pemë e kullosa. Si mjete gjallërimi për ju dhe për bagëtinë tuaj.” Këto ajete të mrekullueshme (e shumë të tjerë), që përshkruajnë kuptueshëm zinxhirin ushqimor, duhet të jenë vazhdimisht në vëmendjen e babait, të nënës, gjyshit e gjyshes. Vërtet, përgjithësisht ne shikojmë, por nuk mendojmë. Ne e shikojmë ushqimin dy herë, tre, katër, apo pesë e më shumë herë në ditë, por a mendojmë rrugën e gjatë e të ndërlikuar të ushqimit, që prej formimit e rënies së shiut e deri te konsumi i tij? Zhvillimi preciz i këtyre proceseve dhe lidhja kaq e përsosur e hallkave të zinxhirit ushqimor, të ftojnë dhe të mbushin me besim në Zotin e Gjithëmëshirshëm. Është detyrë e prindërve që, me urtësi, me durim dhe pa u nxituar, me karar e pa i bezdisur, t’u ofrojnë fëmijëve të tilla argumente, t’ua shërbejnë fëmijëve (bashkë me ushqimin) edhe ujin e freskinë e oazit të besimit. Kjo metodë kur’anore garanton edukim familjar të shëndetshëm dhe mirësiplotë. Këtë na e mëson Allahu kur përshkruan pjesë nga historia e familjes së Imranit. Merjemi, e bija e Imranit dhe nëna e Isait a.s., është sjellë në Kur’an si shembulli i fëmijës së edukuar në këtë frymë besimi. “Zoti e pranoi kushtimin e saj. E vuri nën kujdesin e Zekerias dhe e rriti me një edukatë të mirë. Kur Zekeria hynte në dhomën e saj dhe gjente gjithmonë ushqime të tjera, e pyeste: “O Merjem! Nga të kanë ardhur këto?” Dhe ajo i përgjigjej: “Nga Allahu, se Allahu atë që do e furnizon pa masë!” (Kur’an, 3/37)

Fëmija, që për çdo ditë, merr pikë-pikë edhe qumështin e besimit, bëhet “si pa u kuptuar” pjesëtar në harmoninë familjare. Kështu, merr formë dalëngadalë modeli i familjes vatër e besimit: prindër dhe fëmijë besimtarë e falënderues ndaj Allahut, prindër dhe fëmijë punëmirë, prindër dhe fëmijë që përballojnë së bashku vështirësitë e jetës, prindër që përkujdesen e luten për fëmijët dhe fëmijë që respektojnë e luten për prindërit. Tamam ashtu siç e modelon familjen Allahu në formën e një lutjeje: “Zoti im! Më inspiro mua që të falënderoj për të mirën Tënde që ma dhurove mua dhe prindërve të mi, që të bëj vepra të mira që i pëlqen Ti dhe m’i bëj të mirë pasardhësit e mi! Unë pendohem tek Ti dhe unë jam me myslimanët! Të tillët janë ata që Ne ua pranojmë në mënyrën më të mirë atë që punuan, ua kapërcejmë të këqijat e tyre, duke i radhitur me banuesit e xhenetit. Ky është premtim i vërtetë që u është premtuar” (Kur’an, 46/15-16).

Blerim Lazimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit