8.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Etika e biznesit në Islam

Më të lexuarat

Është e rëndësishme të theksohet se sikur muslimanët t’u përmbahen parimeve etike në jetën e përditshme, ata bëhen një shembull i mirë për të tjerët. Ashtu mundësojnë që të tjerët ta ndryshojnë qëndrimin dhe paragjykimet rreth islamit, dhe kështu të bëhen përfaqësues të denjë të fesë së vet.

Allahu i Madhëruar thotë:
“Popullit të Medjenit Ne i dërguam vëllanë e tyre, Shuajbin. Ai tha: “O populli im, adhuroni Allahun! Ju s’keni tjetër zot përveç Tij. Mos bëni hile as gjatë matjes, as në kandar. Unë po shoh se ju gjendeni në begati dhe kam frikë se do t’ju godasë dënimi i një dite, që ju përfshin të gjithëve. O populli im, matni drejt në litër dhe kandar, mos ua hani njerëzve hakun e tyre dhe mos bëni ngatërresa në Tokë! Ajo që ju është lënë nga Allahu, është më e mirë për ju, nëse jeni besimtarë; e unë nuk jam ruajtësi juaj”. Ata thanë: “O Shuajb, a mos vallë namazi yt urdhëron që ne t’i lëmë ato që i kanë adhuruar të parët tanë ose që të mos bëjmë me pasurinë tonë çfarë të duam? Qenke njëmend i butë dhe i drejtë ti!” Ai tha: “O populli im, mendoni pak! Nëse unë kam provë të qartë nga Zoti im, i Cili më ka furnizuar me begati të mira nga ana e Vet, a të mos ju udhëzoj në rrugën e drejtë?! Unë nuk dëshiroj të bëj atë, që jua ndaloj juve. Unë dëshiroj vetëm të përmirësoj atë që mundem. Ndërsa suksesi im vare t vetëm nga Allahu. Tek Ai mbështetem dhe Atij i drejtohem.” (Hῡd, 84-88)

I Dërguari i Allahut, Shuajbi alejhis-selam, iu dërgua popullit të Medjenit në kohën e jetës së të Dërguarit Musa alejhiss-selam. Shuajbi u dërgua te njerëzit që ishin mjaftë aktiv në biznes dhe ishin mjaftë krenar me njohuritë e biznesit dhe suksesit, por në të njëjtën kohë edhe shumë të padrejtë. I Dërguari ua tërhoqi vëmendjen t’u përmbahen parimeve rreth biznesit, por ata u zemëruan me të dhe i thanë: “Mos e përziej fenë me biznesin.” Ndërsa Kur’ani thotë që ndëshkimi i Allahut i arriti, ndërsa Shujabi dhe pasuesit t tij shpëtuan.

Vërtetë duhet seriozisht kuptuar që çdokush duhet t’u përmbahet parimeve etike në biznes. Biznesi dhe etika nuk janë gjëra të ndara, por ata janë të ndërlidhura. Allahu i Madhëruar në Kur’an na thotë:
“Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm…” (El-Ahzab, 21)

I Dërguari i Allahut, Muhammedi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ishte krijesë ideale njerëzore që meriton respekt. Ishte mësuesi më i mirë, ligjërues dhe lider, burrështetas, ligjvënës, gjykatës, diplomat, ndërmjetësues dhe komandant ushtarak, njeri më i mirë familjar, bashkëshort i shkëlqyer, prind dhe gjysh i mëshirshëm, fqinj i mirë dhe mik i popullit të vet. Ishte jashtëzakonisht i ndershëm dhe tregtar i suksesshëm.

Muhammedi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, u zgjodh nga Allahu të jetë i Dërguari i Fundit në moshën katër dhjetëvjeçare. Para fillimit të shpalljes ishte tregtar aktiv. U lind në Mekke, e cila atëkohë ishte e njohur si qytet tregtar. Karvanët nga Siria prej veriu dhe Jemeni nga jugu kalonin nëpër Mekke. Muhammedi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, shpesh herë iu bashkëngjitej. Transmetohet që ka udhëtuar në Siri, Jemen, Bahrejn, si dhe vise të tjera në Arabi. Disa historian thuan që ka udhëtuar edhe në Irak dhe Etiopi.

Që rini, ai ka qenë i përfshirë në tregti. Ai kishte një reputacion të mirë si një biznesmen i vyer, i ndershëm, i sinqertë dhe shumë i suksesshëm. Duke pasur parasysh këtë reputacion, Hatixheja, e cila atëkohë ishte një grua e suksesshme në biznes, e punësoi atë. Shumë njerëz e kërkonin dorën e saj për martesë dhe shumë njerëz punonin për të, por ajo shpesh ishte e pakënaqur me ta, sepse ata ose mashtronin ose nuk e kryenin punën e tyre siç duhet. Më në fund, ajo dëgjoi për Muhammedin, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i cili akoma nuk ishte Pejgamber, dhe e punësoi atë. Ajo e dërgoi me një karvan për të tregtuar për të, dhe rezultati i tij ishte shumë i suksesshëm. Ajo ishte e impresionuar nga puna dhe nga karakteri i tij, dhe më vonë edhe u martuan.

Pas martesës me Hatixhen, Muhammedi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, e vazhdoi punën dhe udhëtimet e tij për të tregtuar në pjesë të ndryshme të Arabisë. Në atë kohë, Arabia kishte panaire tregtare në pothuajse çdo qytet të madh të rajonit dhe Muhammedi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ndoshta i kishte vizituar ato. Pas ardhjes së shpalljes, ai ishte më pak i angazhuar në tregti, edhe pse herë pas here merrte pjesë në disa kontraktime të biznesit. Përvoja e fituar në tregti e ndihmoi që të jetë shumë i kujdesshëm me njerëzit. Shpesh herë u referohej kombeve dhe fiseve që ai takoi gjatë udhëtimeve të tij, dhe njerëzit shpesh habiteshin nha njohuritë e tij.
I Dërguari, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka theksuar se ndershmëria dhe të qenët i këndshëm me klientët është sekreti i suksesit në biznes. Ebu Seidi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmeton nga i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, hadithin vijues: “Tregtari i sinqertë dhe i besueshëm do të jetë në shoqërinë e të dërguarve, të sinqertëve dhe shehidëve!” (Hadithin e shënon Tirmidhiu)

Xhabir Ibën Abdullahu transmeton se Muhammedi, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të ka thënë: “Allahu ka mëshirë për njeriun që është bujar kur blen, kur shet dhe kur e kërkon borxhin e tij.”

I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i mësonte të tjerët rreth çështjeve fetare, dhe shtjelloi gati çdo aspekt të biznesit. Ja disa nga parimet kryesore të bërjes biznes sipas parimeve islame.

1. Nuk duhet të ketë asnjë mashtrim apo dinakëri; shënohet hadithi i Pejgamberit, salAllahu alejhi ue sel-lem ku thuhet: “Gjatë shitjes, ‘nuk ka mashtrim!’ (Hadihtin e shënon Buhariu). Kjo do të thotë se defektet e mallrave duhet të theksohen nëse ato ekzistojnë, përndryshe do të konsiderohet mashtrim i konsumatorëve.
2. Shitësit duhet evituar betimet e shumta gjatë shitjes së mallit. Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton nga i Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue sel-lem, i cili ka thënë: “Jini të kujdesshëm me betimin e shpeshtë në tregti meqë nëse ndihmon në fitimin (e përkohshëm), në fund e humb bereqetin e asaj që është fituar.” (Muttefekun alejh).
3. Në tregti kërkohet pëlqimi reciprok; i cili bazohet në hadithin e të Dërguarit, salAllahu alejhi ue sel-lem të cilin e transmeton Abdullah Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “Shitësi dhe blerësi mund të tërhiqen lirisht nga kontraktimi deri sa nuk është konfirmuar dhe nuk kanë rënë në ujdi!”
4. Të qenët korrekt në peshim; Muhammedi salAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Kur një popull mashtron matjen dhe peshimin, furnizimi i tyre është i prerë prej tyre.” (hadithin shënohet në Muvettan e imam Malikut). Islami ka vendosur kritere të qarta në shikim të matjes dhe peshimit, peshoret duhet të jenë të rregulluara që të mos i dëmtojnë konsumatorët, meqë i Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem ka theksuar: “Na janë besuar dy gjëra në të cilat popujt para jush kanë dështuar!” (Hadithin e shënon Tirmidhiu)
5. Muhammedi, salAllahu alejhi ue sel-lem ndaloi monopolin: “Kushdo që monopolizon atë është mëkatar.” (Hadithin e shënon Ebu Davudi). Këtu në veçanti mendohet grumbullimin e mallrave me arsye të shitjes në me çmim më të lartë në kohë mungesës së tyre.
6. Tregtia e lirë, çmimet e mallrave nuk duhet qenë të fiksuara, përveç se në kohëra krize dhe nevojë të madhe.
7. Mbajtja e mallit me qëllim të rritjes së çmimit është i ndaluar.
8. Tregtimi i mallrave të cilat janë haram (për shembull, gjithçka deh) e ndaluar.
“Është e qartë se çka është e lejuar (hallalli) dhe çka është e ndaluar (harami). Në mes të këtyre dyjave ka disa gjëra të dyshimta, për të cilat shumëkush nuk di se cilës kategori i takojnë. Kush ruhet prej tyre, e ruan besimin dhe nderin e tij. Kurse mund të ndodhë që ai, i cili ecë pas dyshimeve, të futet në haram.” (Hadithin e shënon Buhariu)

Roli i etikës së biznesit sot

Ne duhet t’i kujtojmë njerëzit e biznesit dhe korporatat e tyre për rolet dhe përgjegjësitë që ata mbajnë. Çështjeve të mëposhtme duhet t’i kushtohet rëndësi e veçantë:
1. Globalizimi duhet të nënkuptoj që të gjithë njerëzit janë të përfshirë në një komunitet. Të gjithë krijesat njerëzore duhet trajtuar me respekt, në mënyrë të barabartë dhe të drejtë. Eksploatimi i një grupe njerëzish nga grupi tjetër duhet të ndërpritet. Nuk duhet të ketë mosmarrëveshje midis njerëzve për shkak të racës, ngjyrës së lëkurës, kombësisë, gjinisë etj.
2. Burimet e Tokës nuk janë vetëm për ne, ne e ndajmë këtë biosferë me krijesa të tjera dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm të mos i dëmtojmë apo shfarosin ato.
3. Duhet t’i përdorim me kujdes burimet e tokës dhe të kujtojmë se e kemi për detyrë që këtë botë ta lëmë në një gjendje më të mirë për brezat që vijnë pas nesh.
4. Të gjithë krijesat njerëzore janë një familje, edhe pse posedojnë dallime. Diversiteti është i natyrshëm dhe i bukur. Ne duhet të kemi kuptueshmëri të feve dhe kulturave të njerëzve të tjerë, dhe të jemi të kujdesshëm në lidhje me emocionet e tyre.
5. Rregulli universal thotë: “Dëshiroju të tjerëve atë që ia dëshiron vetes.” Duhet të përpiqemi t’i fuqizojmë të tjerët dhe të punojmë për ta zhdukur varfërinë, urinë, analfabetizmin, sëmundjet dhe kushtet e jetesës në mënyrë që njerëzit në botë të jetojnë në mënyrë paqësore dhe me kënaqësi.
6. Të gjitha kompanitë duhet të promovojnë sjellje etike në bizneset e tyre. Njerëzit që janë aktivë në biznes, duhet të jenë të ndershëm, korrekt dhe t’i përmbushin premtimet dhe obligimet e tyre. Ne duhet t’i eliminojmë mashtrimin, abuzimin dhe rrethin e ngushtë të konkurrencës.
7. Duhet ta promovojmë lirinë politike dhe debatin e hapur.
8. Duhet ta inkurajojmë dhe mbështesim një sistem arsimor që nxit çiltërsinë dhe sinqeritetin. Fëmijëve tanë duhet t’u mësohet një mori perspektivash dhe duhet të jetë të hapur për pikëpamjet të tjera.

Autor: Dr. Muzemmil Siddiki, kryetar i Këshillit për Fikh në Amerikën e Veriut
Përktheu: Lutfi Muaremi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit