Gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, përdori një gjuhë të ashpër ndaj Izraelit, duke e akuzuar për gjenocid të vazhdueshëm në Rripin e Gazës.
Erdogan theksoi se kriza humanitare në Gaza ka kaluar çdo kufi të imagjinueshëm dhe se ajo që ndodh atje “është një nga momentet më të errëta të historisë së njerëzimit”.
Sipas tij, më shumë se 20 mijë fëmijë janë vrarë deri tani, ndërsa populli palestinez “nuk po vritet vetëm me armë, por edhe me urinë”.
Presidenti turk akuzoi Izraelin për shpronësimin e popullatës, sulmet ndaj spitaleve dhe për faktin se “gjymtyrët e fëmijëve të Gazës po priten pa anestezi” për shkak të mungesës së ilaçeve.
“Gjenocidi që po ndodh në Gaza transmetohet drejtpërdrejt në ekranet e gjithë botës,” deklaroi Erdogan, duke shtuar se Izraeli ka vrarë qëllimisht 250 gazetarë, por megjithatë “nuk ka arritur ta fshehë të vërtetën”.
Në përfundim, ai theksoi se Turqia nuk mund të qëndrojë e heshtur përballë këtyre zhvillimeve dhe u bëri thirrje vendeve të botës të veprojnë për t’i dhënë fund tragjedisë.
