15.1 C
Pristina
Thursday, May 2, 2024

Erdoğan: Katari ka dëshmuar se është mik në ditë të vështira

Më të lexuarat

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan tha se marrëdhëniet midis vendit të tij dhe Katarit zhvillohen çdo ditë e më shumë dhe se mes dy vendeve ka besim reciprok

DOHA (AA) – Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan tha se marrëdhëniet midis vendit të tij dhe Katarit zhvillohen çdo ditë e më shumë dhe se mes dy vendeve ka besim reciprok, duke theksuar se “Bashkëpunimi kaq i afërt mes Turqisë dhe Katarit është i rëndësishëm edhe për të ardhmen e rajonit”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë vizitës së tij në Katar, si stacioni i tij i fundit në kuadër të vizitave të tij disa ditore në Gjirin Persik, Erdoğan ka zhvilluar intervistë për gazetën Al”-Arab”, në të cilën ka folur për marrëdhëniet mes dy shteteve, qëndrimin e Perëndimit kundrejt tentativës për grusht shteti më 15 korrik të vitit të kaluar në Turqi, krizën siriane dhe të ardhmen e marrëdhënieve me Egjiptin.

“Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Katarit në vitet e fundit janë duke u zhvilluar me shpejtësi në të gjitha aspektet. Kemi marrëdhënie të forta që mbështeten në lidhje historike. Ne kemi besim në njëri-tjetrin dhe të dy vendet kanë treguar vullnet të fortë politik për t’i sjellë marrëdhëniet në një nivel më të lartë”, ka theksuar Erdoğan, duke rikujtuar më tej vizitën e Emirit të Katarit Tamim bin Hamad al-Thani në Turqi në vitin 2014 dhe krijimin e Komitetit të Lartë Strategjik si një mekanizëm për bashkëpunim, të cilin Erdoğan e ka cilësuar si një hap të rëndësishëm.

Sipas tij, që nga ajo ditë ka pasur ndryshime të rëndësishme.

Ndërkaq, duke folur për marrëveshjet e reja që janë realizuar pas themelimit të komitetit në fjalë, Erdoğan ka vënë në pah se “Në dy takimet e para të mbajtura në Doha dhe Trabzon, ne kemi nënshkruar 30 marrëveshje. Këto janë hapa rëndësishëm”, ka thënë Erdoğan.

“Katari ka dëshmuar se është mik në ditë të vështira”

Duke theksuar se bashkëpunimi kaq i afërt mes Turqisë dhe Katarit është shumë i rëndësishëm për ardhmërinë e rajonit, presidenti turk Erdoğan ka shprehur besimin se edhe mbledhja e Komitetit që do të mbahet këtë vit në Doha do të prodhojë dobi për të dy shtetet.

“Nuk mund ta harrojnë solidarizimin dhe mbështetjen e Katarit gjatë dhe pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik. Katari ka dëshmuar se është mik në ditë të vështira”, ka vazhduar më tej Erdoğan.

“Turqia dhe Katari janë në anën e paqes në rajon

Ai gjithashtu ka shprehur mundësinë e një bashkëpunimi në mes dy vendeve në sektorin ushtarak në të cilën ata kanë marrë disa hapa.

Duke nënvizuar se Turqia dhe Katari janë në anën e paqes në rajon, Erdoğan ka thënë: “Ne duam t’i jepet fund terrorizmit dhe të gjitha formave të kërcënimeve të sigurisë. Të dy vendet janë duke bërë me të gjitha forcat atë që u takon. U bëj thirrje vendeve të tjera të rajonit, të zhvillojmë këtë bashkëpunim si shtete vëllazërore dhe së bashku të luftojmë terrorizmin dhe kërcënimet e sigurisë”, ka potencuar presidenti Erdoğan.

“Perëndimi nuk e ka kaluar provimin në rastin e tentativës për grusht shteti në Turqi”

Në lidhje me qëndrimin e vendeve perëndimore kundrejt tentativës për grusht shteti në Turqi më 15 korrik të vitit të kaluar nga Organizata Terroriste FETO, Erdoğan ka thënë se “Perëndimi, për fat të keq, nuk e ka kaluar provimin në rastin tentativës për grusht shteti në Turqi”.

Erdoğan shtoi se “Ne ishim në anën e demokracisë. Njerëzit tanë mbrojtën demokracinë dhe lirinë e tyre. Ata që u pushkatuan, të cilët u shkelën nga tanket, të cilët u sulmuan nga avionë dhe helikopterë, ishin civilë. Perëndimi këtë nuk e pa, nuk deshi ta shohë”.

Kriza në Siri

I pyetur në lidhje me krizën në Siri, Erdoğan ka thënë se Rusia që nga shtatori i vitit 2015 ka prani ushtarake në Siri dhe se Irani ka ndikim ndaj milicive shiitë të mbështetur edhe nga regjimi, Sipas tij, Turqia ndan një kufi të gjatë me këtë vend dhe ka pranuar tre milionë refugjatë sirianë.

“Meqenëse në Siri parashihet zgjidhje shumëpalëshe, këto vende kanë një rol të rëndësishëm. Paqja është kyçe për sirianët dhe interesat e të tre vendeve. Armëpushimi në Halep dhe negociatat në Astana janë hapa të rëndësishëm padyshim. Në fund të tunelit është parë një dritë. Pa u shuar kjo dritë, ne duhet ta rrisim këtë dritë, të dalim nga tuneli dhe kaosi”, ka thënë Erdogan, i cili ka shtuar se në këtë drejtim, rëndësi kanë negociatat e ardhshme në Gjenevë.

Marrëdhëniet Egjipt-Turqi

Duke folur në lidhje me krizën në Egjipt dhe marrëdhëniet mes dy shteteve, Erdoğan e ka cilësuar Egjptin si një nga shtetet më me ndikim në rajon.

“Egjipti është në krye të shteteve më me ndikim në rajon. Lidhjet tona historike me Egjiptin janë të forta dhe të thella. Populli i Egjiptit është mik i yni i vjetër. Ne nuk kemi dhe as që mund të kemi problem me vëllezërit tanë të Egjiptit. Megjithatë, sa i përket marrëdhënieve me qeverinë e Egjiptit, ato janë në nivel të ngarkuarish diplomatikë”, ka theksuar Erdoğan.

Ai ka shtuar se Turqia dhe Egjipti kanë marrëdhënie në përmasa globale, tregtare dhe ekonomike dhe se reflektimi i këtyre marrëdhënieve në politikë varet nga procesi në vijim, duke shprehur besimin për krijimin e një atmosfere më të shëndoshë jo vetëm për paqen shoqërore në Egjipt, por edhe për marrëdhëniet e jashtme të vendit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit