Arma sekrete ruse në dorë të iranianëve që po lë pa gjumë Pentagonin…

Më të lexuarat

Teknologjia e re mund të ketë ndryshuar balancat në Lindjen e Mesme

Shërbimet perëndimore të inteligjencës dyshojnë se Moska i ka dhënë Iranit një teknologji të avancuar navigimi për dronët, duke rritur ndjeshëm saktësinë e sulmeve ndaj objektivave amerikane në Lindjen e Mesme.

Nëse këto informacione konfirmohen, do të bëhej fjalë për një përshkallëzim të ri në përplasjen mes Rusisë dhe SHBA-së.

Sipas një memorandumi të brendshëm të një prej shërbimeve të inteligjencës së vendeve baltike, Rusia ka ndihmuar në mënyrë “thelbësore” Iranin që të godasë me saktësi të lartë objektiva amerikane në Lindjen e Mesme.

Dokumenti, përmbajtja e të cilit i është bërë e njohur gazetës italiane La Stampa nga një burim i inteligjencës dhe është shpërndarë edhe tek agjenci të tjera evropiane, e cilëson këtë skenar si “shumë të mundshëm”.

Edhe CIA është informuar menjëherë dhe ka nisur një hetim, megjithëse ende nuk ka arritur në përfundime zyrtare. Në muajin mars, të paktën dy objekte të lidhura me CIA-n u goditën nga Irani.

Njëri ishte stacioni i agjencisë brenda ambasadës amerikane në Riad, Arabinë Saudite, ndërsa tjetri ndodhej në një vend të pazbuluar në Irakun lindor.

Katër burime amerikane i kanë konfirmuar agjencisë Reuters, se Moska nuk i ka dhënë Teheranit vetëm koordinatat e objektivave amerikane në rajon, por edhe një sistem të përparuar navigimi për dronët, i cili konsiderohet vendimtar për rritjen e saktësisë së goditjeve.

Në qendër të këtij bashkëpunimi dyshohet se ndodhet sistemi rus Kometa-M. Ai nuk është një sistem klasik navigimi për dronët, por një grup antenash dhe marrësish satelitorë GNSS, të projektuar për t’i rezistuar ndërhyrjeve elektronike (anti-jamming).

Kjo teknologji u lejon dronëve, raketave dhe bombave të drejtuara të vazhdojnë të marrin sinjale GLONASS dhe GPS, edhe kur kundërshtari përpiqet t’i bllokojë ato me luftë elektronike.

Rusia e përdor tashmë Kometa-M në dronët sulmues Geran, në versionet e modifikuara të Shahed, në bombat rrëshqitëse UMPK, raketat lundruese dhe raketat balistike Iskander, të cilat kanë rezultuar veçanërisht të vështira për t’u ndalur nga mbrojtja ajrore ukrainase.

Deri në vitin 2025, dronët iranianë të familjes Shahed-136 dhe Mohajer-6 përdornin sisteme navigimi të zhvilluara në Iran, relativisht të thjeshta.

Por gjatë vitit 2026, analiza të shumta me burime të hapura (OSINT) kanë dokumentuar se në mbetjet e dronëve iranianë të rrëzuar në Lindjen e Mesme po zbulohen gjithnjë e më shpesh module ruse navigimi, përfshirë edhe Kometa-M.

Sipas vlerësimeve të inteligjencës perëndimore, sulmi ndaj ambasadës amerikane në Arabinë Saudite është kryer me versione të përmirësuara ruse të dronëve Shahed.

As Shtëpia e Bardhë dhe as CIA nuk kanë komentuar publikisht këto pretendime.

Një pranim zyrtar se Rusia po furnizon Iranin me teknologji ushtarake për të goditur objektiva amerikane, do të përfaqësonte një përshkallëzim serioz në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës.

Nga ana tjetër, Kremlini ka refuzuar të komentojë hetimin amerikan. Megjithatë, një burim iranian i tha së fundmi agjencisë shtetërore ruse TASS se kontakti i parë ndërkombëtar i Udhëheqësit Suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, mund të jetë një bisedë telefonike ose edhe një takim me Vladimir Putinin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk e mohoi këtë mundësi, duke deklaruar se presidenti rus “mbetet i hapur për kontakte të tilla”. \tesheshi.com\

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit