Ruajtja e kohës tek të parët – Hoxhë Fitim Gërguri

Më të lexuarat

Të parët i kushtonin rëndësi të madhe kohës dhe përpiqeshin të mos humbnin as çastet më të shkurtra të saj. Davud Tai e hante bukën të thërrmuar, sepse thoshte se koha që kursehej në krahasim me përtypjen e bukës së zakonshme mjaftonte për të lexuar pesëdhjetë ajete.
Edhe Othman Bakalavi ishte vazhdimisht i angazhuar me përmendjen e Allahut. Ai tregonte se gjatë iftarit ndihej rëndë, sepse ngrënia e pengonte për pak çaste nga dhikri. Kjo tregon se sa të lidhur ishin të parët me adhurimin dhe sa shumë e çmonin çdo minutë të jetës.
Njëri prej të parëve i këshillonte shokët e tij që, pasi të largoheshin prej tij, të shpërndaheshin dhe të mos vazhdonin rrugën së bashku. Ai shpresonte se, duke qenë vetëm, secili prej tyre do ta shfrytëzonte rrugën për të lexuar Kuran, ndërsa po të qëndronin së bashku, mund ta kalonin kohën me biseda.
Koha është shumë e çmuar për t’u humbur pa dobi. I Dërguari i Allahut, sal Allahu alejhi ve selem, ka thënë: “Kush thotë: ‘SubhanAllahil Adhim ve bihamdihi’, për të mbillet një palmë në Xhenet.”

(Hadithi transmetohet nga Xhabir ibën Abdullah, Allahu qoftë i kënaqur me të dy. Atë e ka transmetuar Imam Tirmidhiu në librin e tij “Xhamia”, vëll. 5/ 511, në kapitullin e lutjeve, si dhe Hakimi në “Mustedrek”, vëll. 1/ 501, në kapitullin e lutjes.
Imam Tirmidhiu ka thënë për të: “Hadith hasen garib”, ndërsa Imam Hakimi ka thënë: “Është autentik sipas kushteve të Imam Muslimit.”)

Prandaj, njeriu duhet të mendojë se sa shumë shpërblime mund t’i humbasë duke i kaluar orët në pakujdesi. Ditët e jetës janë si një arë: çdo vepër e mirë është një farë që mbillet për botën tjetër. Njeriu i mençur nuk e lë arën e tij pa mbjellë dhe nuk e shtyn punën derisa t’i kalojë koha.

Fitim Gërguri
28.07.2026

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit