Tregu global pritet të kalojë 300 miliardë dollarët dekadën e ardhshme
Ndërsa investitorët vazhdojnë të fokusohen te inteligjenca artificiale dhe prodhuesit e çipave, një industri tjetër po rritet me ritme të jashtëzakonshme: ajo e kondicionerëve.
Kompani si japonezja Daikin dhe amerikania Carrier Global kanë parë rritje të ndjeshme në bursë, të nxitura nga kërkesa gjithnjë e më e madhe për sisteme ftohjeje, ndërsa valët e të nxehtit bëhen më të shpeshta dhe më intensive.
Ajo që dikur konsiderohej një komoditet veror, sot po trajtohet si një infrastrukturë bazë. Në samitet ndërkombëtare për klimën, ftohja është vendosur në të njëjtin nivel me shërbime thelbësore si uji, energjia dhe kujdesi shëndetësor.
Vlera e tregut global të kondicionerëve llogaritet aktualisht mes 190-210 miliardë dollarëve, ndërsa parashikimet tregojnë se deri në fillim të dekadës së ardhshme mund të kalojë 300 miliardë dollarë, me një rritje mesatare prej rreth 6 për qind në vit.
Sipas vlerësimeve, mbi 80 për qind e popullsisë së botës jeton në zona ku temperaturat kërkojnë përdorimin e sistemeve të ftohjes, por vetëm rreth 40 për qind kanë qasje në një kondicioner.
Pikërisht ky hendek përbën motorin kryesor të rritjes së industrisë, veçanërisht në tregjet në zhvillim si India dhe vendet e Azisë Juglindore.
Gjigantët e industrisë
Në krye të tregut qëndron Daikin Industries, kompania japoneze me seli në Osaka, lider botëror në sektorin HVAC (ngrohje, ventilim dhe ajër i kondicionuar). Ajo kontrollon rreth 12-15 për qind të tregut global dhe gjatë vitit fiskal 2025 regjistroi të ardhura rekord prej afro 29 miliardë eurosh.
Suksesi i saj mbështetet te sistemet rezidenciale dhe komerciale me efikasitet të lartë energjetik, si edhe investimet në pompat e nxehtësisë dhe teknologjitë me ndikim më të ulët klimatik.
Një tjetër emër historik është Carrier Global, kompania amerikane që lidhet me shpikjen e kondicionerit modern në fillim të shekullit XX.
Sot ajo gjeneron mbi 21 miliardë dollarë të ardhura në vit dhe ofron zgjidhje për banesa, ndërtesa, qendra të dhënash dhe sisteme ftohjeje industriale. Vitet e fundit Carrier ka zgjeruar praninë në Evropë përmes blerjeve strategjike dhe investimeve në teknologji me efikasitet të lartë.
Dominimi i Kinës
Megjithëse Daikin dhe Carrier kryesojnë për të ardhura, prodhimi global dominohet nga Kina. Gree Electric Appliances konsiderohet prodhuesi më i madh në botë i kondicionerëve rezidencialë, ndërsa Midea Group është një tjetër gjigant që furnizon tregjet ndërkombëtare dhe prodhon pajisje edhe për marka të tjera.
Sot Kina prodhon rreth dy të tretat e të gjithë kondicionerëve në botë, ndërsa afërsisht gjysma e tyre eksportohet. Vetëm eksportet drejt Bashkimit Evropian janë rritur me mbi 40% gjatë vitit të fundit.
Në mesin e lojtarëve më të rëndësishëm renditen gjithashtu Mitsubishi Electric, LG, Samsung, Haier dhe Panasonic, të cilat konkurrojnë me produkte gjithnjë e më efikase, inteligjente dhe të lidhura me internetin.
Në segmentin industrial veprojnë kompani si Trane Technologies, Johnson Controls dhe Danfoss, të specializuara në sisteme për spitale, qendra të dhënash dhe ndërtesa të mëdha.
Një treg me potencial të madh
Ekspertët parashikojnë se kërkesa për kondicionerë do të vazhdojë të rritet, e nxitur nga temperaturat gjithnjë e më të larta dhe urbanizimi në vendet në zhvillim. Megjithatë, ky bum shoqërohet edhe me sfida serioze.
Në vende si India, Pakistani dhe Bangladeshi, përdorimi i kondicionerëve mund të përbëjë deri në 25 për qind të konsumit maksimal të energjisë elektrike, duke vënë nën presion rrjetet energjetike dhe duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit pikërisht në ditët më të nxehta.
Në Evropë, ku vetëm rreth 23 për qind e familjeve kanë kondicioner, vlon debati mes nevojës për të mbrojtur popullsinë nga temperaturat ekstreme dhe shqetësimeve për rritjen e konsumit të energjisë.
Pavarësisht këtyre sfidave, për prodhuesit kryesorë perspektivat mbeten shumë optimiste. Kompanitë që do të arrijnë të kombinojnë ftohjen efikase me konsum më të ulët energjie dhe reduktim të emetimeve pritet të dominojnë një nga tregjet më fitimprurëse të dekadës së ardhshme. \tesheshi.com\
