20.7 C
Pristina
Saturday, May 18, 2024

Emëruesit e përbashkët mes Haxhit dhe Ramazanit

Më të lexuarat

Nga: Dr. Abdul Aziz Abdullah Ahmed

Emëruesit e përbashkët mes Haxhit dhe Ramazanit

Urtësitë e Zotit të lartësuar manifestohen tek krijesat dhe dispozitat e Tij. Të shumta janë rastet kur ajetet e Kuranit mbyllen me fjalët:”Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.” (Nisa, 26)
“Kështu Allahu ju sqaron juve, në mënyrë që të mos humbisni. Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.” (Nisa, 176)
Mirësitë dhe mëshira e Zotit shfaqen qartë si tek krijesat në tokë e në qiell, ashtu dhe tek ligjet dhe dispozitat e Tij. Zoti i ka krijuar krijesat dhe Ai i di mirë nevojat e tyre si fizike ashtu dhe shpirtërore. Ai e di më mirë çfarë e ushqen shpirtin e njeriut, e lartëson atë dhe e orienton. Bazuar në këtë, ai ka ligjëruar adhurime dhe rituale si në kohë ashtu dhe në vende, me emocione dhe forma të  caktuara. Këto adhurime lipset të kryhen në rrugë të ndryshme, kërkojnë përgatitje, metodë, kanë fillim e mbarim, përmbajnë objektiva dhe qëllime, korrigjojnë dhe trajtojnë shkarjet e njeriut etj…
Në një trajtesë të shkurtër, unë do të cek disa emërues të përbashkët të adhurimeve islame, sidomos atij të Haxhit dhe Ramazanit.
1 – Emëruesi i parë: Objektivi i adhurimit, i cili është: të qenit në varësi të plotë të Zotit me zemër, mishërimi i kësaj në jetën e përditshme, manifestimi i njësimit të një Zoti  të vetëm, mbërritja në gradën e ihsanit dhe devotshmërisë, ngjitja në shkallët e kënaqësisë, prehja dhe adhurimi i Zotit me sinqeritet. Për këtë, ajeti i agjërimit mbyllet me fjalët:”me shpresë se do bëheni të devotshëm.” (Bekare, 183)  dhe ajeti i Haxhit me fjalët:” Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria.” (Bekare, 197)
2 – Emëruesi i dytë ka të bëjë me edukimin specifik. Kështu, agjërimi e edukon myslimanin për t’u ngritur mbi kënaqësitë e domosdoshme të nefsit, siç është ushqimi, pija dhe marrëdhëniet intime. Në këtë rast, është besimtari ai që e kontrollon nefsin dhe jo e kundërta, është ai që e disiplinon dhe e orienton. Sakaq, ndikimi edukativ më i madh i Haxhit qëndron në braktisjen e vendbanimit, familjes dhe fëmijëve, madje dhe heqja dorë nga veshjet e përditshme, duke u nisur krejt i lehtësuar drejt Zotit.
3 – Emëruesi i tretë ka të bëjë me periudhën kohore të secilit ritual. Zoti e ka bërë obligim agjërimin e një muaji të plotë, edhe pse në Kuran i ka konsideruar si disa ditë. Sakaq, ëmbëlsinë dhe ajkën e këtij muaji, Zoti e ka caktuar në ditët e fundit të tij. E gjitha kjo vuloset me ditën e gëzuar të fitër Bajramit.
I tillë është dhe Haxhi, rituali i të cilit zhvillohet në një muaj, përgjatë disa ditëve të caktuara. Megjithatë, Zoti e ka kufizuar kohën e Haxhit, për dy faktorë thelbësorë:
I pari: Udhëtimi drejt Mekes, konsiderohet i vështirë dhe i lodhshëm, vend drejt të cilit udhëtojnë besimtarë nga të katër anët e botës. Kështu, rituali i Haxhit sinkronizon shenjtërinë e vendit dhe të kohës. Bazuar mbi këtë, Zoti e ka lënë të hapur udhëtimin për Haxh që nga fillimi i muajit Sheval për të mundësuar kryerjen e të tre llojeve të Haxhit, temettu (kryen umren fillimisht, lirohet nga veshja e haxhit pastaj kryen haxhin) kiran (bashkon umren me haxhin) ifrad (vetëm haxhin). Por aktiviteti më i madh gjatë gjithë sezonit të Haxhit, zhvillohet në dhjetë ditët e Dhul Hixh-xhe, ditë në të cilat kryhet rituali i Haxhit.
I dyti: Kufizimi i kohës së këtij rituali, mundëson bashkimin e besimtarëve nga të katër anët e globit, gjë e cila mundëson prezantimin mes tyre, shtimin e përfitimeve nga tregtia, dijet, letërsia etj…
4 – Emëruesi i katërt: Dhjetë ditshi i shenjtë. Një ndër emëruesit më madhështorë mes dy ritualeve të agjërimit dhe Haxhit, janë pikërisht dhjetë ditët e shenjta tek secili. Muaji i Ramazanit është tridhjetë ditë, por Zoti i ka specifikuar dhjetë ditët e tij të fundit, si më të rëndësishme. Këto dhjetë ditë, i ka graduar me natën e kadrit. E gjitha kjo, veç namazit, zekatit, namazit të natës etj…
Haxhi vjen afërsisht dy muaj e trembëdhjetë ditë pas Ramazanit. Megjithatë, Zoti ka vlerësuar dhe graduar më shumë dhjetë ditët e Dhul Hixh-xhes dhe nga këto dhjetë ditë, ka zgjedhur ditën e Arefatit si ditën më të shenjtë. Ashtu siç e ka shoqëruar me rituale të tjerë në vende të ndryshme si në Mina, Arefat, Muzdelife dhe ditën e Kurbanit.
5 – Emëruesi i pestë është i veçantë, pasi sinkronizohen dy rituale të përbashkëta. Rituali më spikatës i muajit të Ramazanit është agjërimi dhe kryerja e Umres, i cili është ndër ritualet plotësues të këtij muaji. Sakaq, rituali më spikatës i muajit Dhul Hixh-xhe, është Umreja dhe Haxhi, kurse agjërimi është plotësues. Kjo, sepse metodat e edukimit të njeriut janë të shumëllojta. Për këtë, Zoti e obligon atë me adhurime dhe rite të shumëllojta. Këto adhurime, prej tyre edukojnë unin e individit, e stimulojnë e motivojnë dhe dobia e tij pasqyrohet në shoqëri. Ato që edukojnë unin dhe vetë individin janë të tilla si agjërimi dhe leximi i Kuranit, kurse ato që dobitë e tij pasqyrohen në shoqëri, janë si ai i Haxhit, ritual i cili kryhet në prezencën miliona myslimanësh nga mbarë bota.
6 – Emëruesi i gjashtë është ai ku pasqyrohet efekti i bujarisë mes njerëzve. Ky është emëruesi i solidarizimit, bujarisë, zemërgjerësisë tek zekati i fitrit, lidhjeve të farefisit gjatë Ramazanit, dhurimit të mishit për Kurban Bajram gjatë Haxhit.
7 – Emëruesi i shtatë dhe i fundit është kurorëzimi i ushqimit shpirtëror me festën e dy bajrameve. Pasi kulminacioni i lumturisë në islam është kur arrihet shëndeti shpirtëror me besim dhe shëndeti fizik me disiplinë dhe rregull. Të dy këto sezone, mbyllen me festën madhështore të Bajramit, e cila shoqërohet me manifestim të gazit e haresë, përkujtimit të Zotit dhe falënderim të Tij.  Diçka e tillë është shenjë dalluese e islamit, ku adhurimet dhe ritet fetare harmonizohen me festat dhe gëzimet. E përafërt me këtë është festa javore e ditës xhuma, e cila kurorëzon namazet ditore dhe adhurimet e javës.
 
 Perktheu: Elmaz Fida
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit